05 Dhjetor 2022

“Alibia” e tarifave të reja të rrymës për ngritjen e çmimeve të shumë produkteve elementare

Shkruar nga Mehmet Gjata

Tregtarët dhe shumë prodhues kosovarë, ata vendor pra, ndër ta sidomos furrëtarët, po duket që mezi kanë pritur vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja të çmimit të ngritur të energjisë elektrike për të paralajmëruar vrullshëm dhe paturpësisht dhe pa asnjë fakt ngritjen e çmimeve, sidomos të produkteve esenciale ushqimore dhe të tjerave.

 Në bazë të kërcënimeve të tyre, dhe të Sindikatës së bizneseve private të Kosovës, prodhuesit dhe tregtarët kosovarë nuk u mjaftuan me ngritjet enorme, thuajse të përditshme të ngritjes së çmimeve, sidomos të atyre ushqimore, që nga shtatori dhe deri në nëntor – dhjetor të vitit të kaluar.

Në tetorin e vjetshëm, madje hapi i ngritjes së çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm edhe pse ishte galopant dhe në përmasa të pamata, thuaja se ishte bërë i rëndomtë. Sepse, praktikisht nuk kishte ditë që konsumatori kosovar të mos përballej me befasira të pakëndshme me të hyrë, qoftë në shitore të vogla, në markete apo në megamarketet tona, me ngritje të rrufeshme të çmimeve.

Në këtë mënyrë, të dhënat e publikuara në raportet e rregullta të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), sa qel e mbyllë sytë, bëheshin të pabesueshme, të pavlera dhe si të tilla nuk mund të përdoreshin për analiza dhe hulumtime të zhvillimeve dhe ecurive të ngritjes së çmimeve në vendin tonë. Sepse, çmimet po ngriteshin egërsisht dhe stihikisht, sipas dëshirës dhe vullnetit të tregtarëve me prirje manipulative, zhvatëse dhe të pasurimit brenda natës.

Sot kemi çmime ndjeshëm më të larta të grurit, miellit, bukës dhe të të gjitha produkteve që kanë si lëndë të parë miellin, por edhe të produkteve të tjera se sa ato që i bëri publike këto ditë ASK-ja.

Sipas këtyre të dhënave, vjet, deri në përmbyllje të vitit, janë ngritur çmimet e të të gjitha produkteve dhe mallrave në Kosovë, ndër to mbi 17 për qind janë ngritur çmimet e prodhimeve bujqësore dhe ato blegtorale.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në raportin më të fundit të publikuar rreth “Indeksit të Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi, për TM4 2021”, konstaton se gjatë vitit të kaluar, çmimet e prodhimeve blegtorale (qumështi, vezët dhe mjalti etj) janë rritur për 12.79%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020. Kurse, në kuadër të prodhimeve bimore (drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë) çmimet janë rritur për 22.07 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2021.

Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i të gjitha prodhimeve bujqësore në Kosovë ka pasur rritje për 17.24 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Po të merren për bazë ngritjet e çmimeve edhe të produkteve të tjera elementare, siç janë buka, djathi, perimet, vaji, shihet qartë se gjatë tetorit, nëntorit, por edhe dhjetorit, vrulli i ngritjes së çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm ishte bërë tronditës.

Nuk ka pasur ditë që konsumatorin kosovar të mos e presë befasia e pakëndshme e ngritjes së rrufeshme të çmimeve, me të hyrë qoftë në shitore të vogla, në markete apo në megamarketet tona.

Që nga muaji tetor, konsumatorët shumicë (lexo kosovarët e varfër) po e ndjejnë barrën e shtuar në buxhetet e tyre nga rritja e çmimeve. Në muajt e fundit të vitit 2021 dhe fillim të 2022, familjet kosovare pothuajse çdo produkt po e blejnë më shtrenjtë.

Në dhjetor, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve edhe të një shporte bazë mallrash, arriti në nivelin jo shumë të lakmueshëm prej 4,9 për qind, e dhënë kjo që flet për luhatjen e ndjeshme të çmimeve duke shkuar lartë.

Nga fillimi i shkurtit, çmimet e karburanteve u rritën sërish, dhe ato tani këto ditë kanë shkuar në stratosferë. Më 8 shkurt, çmimi i një litre naftë në vend, sillej nga 1 euro e 27 centë deri në rreth 1 euro e 35 centë, ndërkohë që çmimi i një litre të benzinës tregtohej nga 1 euro e 29 centë deri në 1 euro e 36 centë.

 Përkundër këtyre çmimeve enorme dhe thuaja rekorde, zyrtarët e Shoqatës së Naftëtarëve në Kosovë, i kanë thënë Buletinit Ekonomik se çmimet e derivateve në Kosovë mund të kenë akoma rritje më të madhe ditëve në vazhdim.

Dhe ky fakt, nuk është se e ka shqetësuar edhe aq shumë asnjërin nga institucionet kompetente kosovare, dhe as sindikatën që tani ka zënë të kërcënojë me paralajmërimin se do të ngriten çmimet pas tarifave të reja të energjisë elektrike.

 Dhe të kuptohemi, në asnjë çast dhe në asnjë moment nuk mendojmë dhe as që kemi menduar ndonjëherë se ngritja e çmimit të rrymës është zgjidhje e mirë.

Përkundrazi, Buletini Ekonomik me dhjetëra tema ka trajtuar pasojat e çmimeve të ngritura të energjisë elektrike duke u deklaruar gjithnjë kundër shtrenjtimit të rrymës dhe veçmas kundër rivendosjes së bllok-tarifave, duke konsideruar se me bllok-tarifa konsumatori goditet dy herë, pra për ta ngritet çmimi i rrymës dyfish.

Por nuk është as e ndershme, as e ligjshme të paralajmërohen ngritje çmimi të një varg produktesh me pretekstin se janë ngritur çmimet e rrymës, edhe pse për prodhuesit kosovarë, jo një herë por shumë herë u tha edhe zyrtarisht se nuk ka çmime të ngritura të energjisë elektrike.

Po paralajmërojnë çmime të ngritura të gjithë, edhe tregtarët, edhe prodhuesit, edhe sindikatat, edhe bukëpjekësit, edhe prodhuesit e lëngjeve edhe ata të pemëve dhe të perimeve, përkundër faktit botërisht të ditur se nuk ka tarifa të reja me çmime të ngritura për bizneset dhe për prodhuesit kosovarë.

Sadoqë dihet tani, çmimet e ngritura të rrymës përfshijnë vetëm konsumatorët e amvisërisë. Për rastin e bizneseve, që nuk do të preken nga rritja e tarifave të energjisë, kryeministri Albin Kurti tha se “kjo po bëhet me qëllim që të shmanget rritja e mëtejme e çmimeve të produkteve, që në mënyrë të drejtëpërdrejtë do t’i prekte qytetarët dhe vet bizneset”.

Dhe megjithë këto njoftime se nuk do të ketë shtrenjtime të energjisë elektrike tek biznesi dhe prodhuesit privat, përfaqësuesi i Sindikatave të Pavarura të Sektorit privat, por dhe një numër folësish në Kuvendin e Kosovës, vazhdojnë t’i bien kumbanës se “shtrenjtimi i rrymës do të afektojë edhe në shtrenjtimin e produkteve ushqimore ose prodhimeve të tjera në treg”.

Tendenca për të ngritur akoma çmimet e produkteve elementare, sidomos të atyre ushqimore, dhe atyre të bukës, produktit më të konsumuar në Kosovë, por edhe të shërbimve prej më të ndyshmeve, ka kohë që ka dalë në sipërfaqe.

 Ka ditë që po trumpetohet, jo vetëm nga furrëtarët që gjatë nëntorit, e në vazhdimësinë në vijim, përditë kanë promovuar kërkesa për çmime akoma të rritura. Furrtarët, tani për çmimet e reja të ngritura të bukës po e përdorin si alibi dhe pretekst ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, edhe pse vet furrëtarët e kanë fare të qartë se bizneset dhe sektori privat nuk do të preken nga çmimet e reja.

Nga fillimi i këtij viti, që kur u shpërfaqën dhe u bënë publike kërkesat për ngritje çmimi të rrymës, e sidomos nga fillimi i këtij muaji, më shumë furrëtarë e tregtarë, sikur janë pajtuar “me turpin”, dhe nuk e kanë për gjë ngarendjen për të përligjur ngritjen në qiell të çmimeve të produkteve të prodhuara dhe të tregtuara nga ta, sikur të jenë në gara, kush më shumë dhe kush më shpejtë të thyejë rekorde në ngritjen e çmimeve.

Kësisoj, ata paralajmërojnë që një bukë që tani tregtohet me 50 centë ta shesin me 1 euro, që do të thotë me çmim 100 për qind më të shtrenjtë, me pretekstin e çmimeve të reja të rrymës, sadoqë këto çmime nuk i kanë prekur fare ata.

Por, nuk është vetëm ky produkt që manipulohet me çmimin e tij. Ka edhe shumë të tjerë. Ndërkohë që ndaj kërkesave agresive për ngritjen kaq egërsisht të çmimeve, me pretekstin e ngritjes së çmimeve të energjisë elektrike si dhe dukuria e rishpërfaqur manipulative dhe zhvatëse e një numri tregtarësh, tashmë sikur nuk po shqetëson edhe aq shumë as zyrtarët e këtij vendi ekstremisht të varfër e as institucionet kompetente vendore.

Pra, për paralajmërimet kërcënuese për një ngritje të re e të rrufeshme të çmimeve të shumë produkteve me ndikim në mënyrën e jetesës së kosovarëve dhe në varfërimin e mëtejshëm të tyre, si rrjedhojë e çmimeve enorme të ushqimeve bazë, sikur po heshtin në njëfarë mënyre ose po reagojnë si pa zë dhe pa qartë institucionet kompetente dhe që e kanë detyrë të bëjnë këtë.

Ndërkohë që nuk mund ta mohojë askush në Kosovë se tani kemi tendenca jo të pakta për rritje të pa kontrolluar, egërsisisht manipulative të çmimeve, dhe fatkeqësisht kemi edhe varfëri pafundsisht të theksueshme.

Mbetet të shihet se a do të ndodhë një kontroll më efikas nga institucionet kompetente të shfrenimit të mëtejshëm të çmimve, gjithnjë në kuadër të ligjit dhe të normave e rregullativës së ekonomisë së tregut, që do të ishte e mirëseardhur, por edhe e mirëpritur nga kosovarët, mbase edhe e domosdoshme për ta evituar kaosin evident në ecuritë e çmimeve në vend.

Së paku, të thuhet publikisht nga zyrtarët e Kosovës dhe nga ZRRE-ja se çmimi i ngritur i energjisë elektrike nuk është alibi, as nuk duhet të jetë pretekst për çmime të ngritura të produkteve të shumta elementare, sepse çmimi rrymës nuk është ngritur për bizneset dhe prodhuesit e Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022 - Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 interviston Njazi Thaçin, Luigj Imerin, Perparim Kabashin, Nagip Krasniqin, Faruk Hajrizin, Rrezarta Pllanën, Hysen Fazliun, Musa Misinin, Skender Hazirin, Ali Hamitin, Izet Rushitin dhe Krenar Bujupin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)