27 Nëntor 2022

A ka cilësi me 43-47 nxënës ne një klase

Klasat të stërmbushura me nxënës në shkollat e qytetit në Komunën e Fushë Kosovës.

Shkurar nga Albert Kurtulaj

Përderisa në të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës është mjaftë sfiduese rënia e numrit të nxënësve në shkolla, komuna e Fushë Kosovës ka rritje të konsiderueshëm të numrit të nxënësve.

Përderisa Komunat si ajo e Kamenicës ka rënie të numrit të nxënësve për 44%, ajo e Junikut për 42%, Viti e Dragash për 39%, Gjilan e Deçan për 36%, është  pothuaj se e vetmja komuna e Fushë Kosovës që ka rritje të numrit të nxënësve për 17%.

Sipas Udhëzimit administrativ, në institucionet edukativo-arsimore, respektivisht në shkollat fillore në një klasë-paralele për nivelin e parë 1-5 duhet të jenë 30 nxënës, maksimumi i lejuar është 35 dhe në paralele për nivelin e dytë 6-9 duhet të jenë 32 nxënës, maksimumi i lejuar 35.

Në shkollat fillore në qytetin e Fushë Kosovës klasat janë të mbingarkuara më numër të nxënësve, pothuaj se secila klasë ka mbi 40 nxënës e numri shkon deri në 47 nxënës për klasë.

Në këtë situatë shqetësuese, për nivelin dhe cilësinë e arsimit në këto shkolla me numër tepër të madh të nxënësve në klasa, në kundërshtim të plotë me kriteret e Udhëzimit Administrativ 22/2013, Qeveria dhe Institucionet përgjegjëse do duhej të ndërmerrni masa dhe veprime të menjëhershme.

Ministria e Arsimit dhe Ministria e Financave do duhej qe për vitin 2022 Komunën e Fushë Kosovës dhe Arsimin në këtë komunë ta vendosin në TOP-Prioritet.

Duke ju referuar një raporti të besueshëm të GAP-it, vërejta se në një komunë ku rënia e numrit të nxënësve është për 42%, rritja e numrit të mësimdhënësve është për 22%.

E kundërta ndodhë me komunën e Fushë Kosovës ku ka rënie të personelit arsimor, përderisa rritje të madhe të numrit të nxënësve.

Në këtë rast vërehet qartë se Komuna e Fushë Kosovës ka nevojë për regrutim shtesë të stafit mësimdhënës, ku do duhej patjetër të merreshin në konsideratë edhe shërbimet përcjellëse në shkollë si pedagog, psikolog e staf mbështetës për fëmijët me nevoja të veçanta.

Komuna e Fushë Kosovës duhet të bëjë të pamundurën që ta kthej vëmendjen e Qeverisë, kundrejt këtij problem shqetësues.

Bashkëpunimi i ngushtë në mes të institucioneve lokale dhe atyre qendrore është imediat, i domosdoshëm dhe kërkohet reagim i menjëhershëm.

Në të kundërtën edhe përkundër vullnetit e punës së jashtëzakonshme të mësimdhënësve dhe drejtuesve të këtyre shkollave cilësia e dëshiruar nuk do mund të arrihet.

Pushtetet, përgjegjësitë dhe kompetencat e nivelit qendrorë dhe nivelit lokal sa i përket organizimit të arsimit parauniversitarë janë të ndara, por qëllimi për një arsim më të mirë e cilësi është e përbashkët.

Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, shkollë kjo me numrin më të madh të nxënësve në klasa, në Republikën e Kosovës, bëjë thirrje për reagim të menjëhershëm, serioz e pa improvizime si domosdoshmëri për kalimin e kësaj situate.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 nëntor 2022

- Në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. (Kuvendi i Shqipërisë në Tiranë, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës së Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës organizojnë “Ditën e Hapur’’ në të cilën do të marrin pjesë edhe udhëheqësit më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 12:00)