19 Mars 2024

4 opsionet e Kosovës për gazin Amerikan

Shkruar nga Ekrem Krasniqi

Mungesa e përgjegjës përfundimtare e Kryeministrit Albin Kurti ndaj autoriteteve Amerikane për gazifikim në Kosovë tashmë pas tetë muajve ka marrë përmasat e një konfuzioni tej mase. Madje edhe të përmasave të çuditshme për shkak të krejt anëtarëve të qeverisë, të cilët ende nuk kanë arritur që të sqarojnë para publikut vendor dhe ta bindin atë me gjysmë argumentet e tyre deri më tash pse nuk ka një përgjigje përfundimtare, negative apo pozitive.  

Do të duhej kohë më e gjatë për të dekompozuar paraqitjet dhe arsyetimet e pjesëtarëve të kësaj qeverie para publikut. Por, cili do të ishte efekti i tyre dhe sa do të ishte interesi i publikut për t’u futur në këtë shkrim me kundër-argumente të shumta ndaj kësaj lloj qasjeje jo transparente të qeverisë, madje edhe nga aspekti i gjerë financiar.   

Prandaj, meqë konsideroj se ky debat deri më tash ka qenë jo i shëndoshë dhe më pak se gjysmak e konsiderojmë se debat duhet zgjeruar përtej asaj çka ndodhet tash për tash në tavolinën e negociatave midis palës kosovare, amerikane dhe greke.  

Për këtë arsye, ky shkrim kësaj here nuk është vetëm për një opsion të ofertës amerikane dhe greke bërë Kosovës, por opsionet që Kosova, kjo apo qeveria e ardhshme, duhet t’ia bëjë pa vonës qeverisë së Kryetarit Joe Biden në rend të parë.  

Opsioni 1: Sjellja e gazit Amerikan nga terminali në Aleksandroupolis   

Tashmë tetë muaj është diskutuar ky opsion nga qeveria aktuale, pra nga terminali LNG atje, përmes Maqedonisë për të arritur në Kosovë dhe ende nuk ka as një JO, e as një PO përfundimtare ndaj propozimit Amerikan.

E kam shkruar edhe më herët këtij viti se Kosova duhet të pranojë këtë opsion VETËM me kushtin nëse Greqia do ta njihte pavarësinë e Kosovës.   

Nëse Greqia në momentin e fundit do t’i thoshte jo njohjes në shkëmbim të marrjes së gazit nga ky terminal, atëherë këto bisedime duhet të marrin fund pa vonesë. Kjo duhet të jetë e vetmja arsye e refuzimit, e jo kalkulimet e tjera me të cilat po arsyetohet qeveria e Kosovës dhe madje atë me argumente dhe shifra jo komplete dhe aspak gjithëpërfshirëse, para publikut vendor.  

Opsioni 2: Marrja e gaz amerikan përmes LNG terminalit në Vlorë të Shqipërisë   

Nëse opsioni i parë (përmes Greqisë) dështon, ky opsion përmes Shqipërisë financiarisht do të ishte më i shtrenjtë për Kosovën, e Shqipërinë po ashtu, për shkak të gjatësisë prej 380 km nga Prishtina deri në Vlorë për tubacionin i cili do të duhej ndërtuar në të dy anët e kufirit.  

Por, kostoja mund të zvogëlohet pjesërisht nëse Kosova do të bëhej aksionare përmes investitorëve privat apo publik (ndaras), apo në versionin e investitorëve të përbashkët PPP (partneritet publiko-privat), të të dy vendeve apo dhe të huaj në LNG terminalin në Vlorë dhe në UGS (depo nëntokësore të gazit).

Maqedonia (ndërmarrjet e saj të energjisë) është bërë aksionare edhe në termocentralin e rrymës me gaz Amerikan që do të ndërtohet tek Aleksandropulisi, e edhe në UGS atje.

Opsioni 3 : Bashkë-investimi i Kosovës me Shqipërinë në termocentralin në Vlorë   

Ky lloj investimi i përbashkët midis të dy vendeve, Kosovë dhe Shqipëri, në termocentralin me gaz në Vlorë  dhe rritja e kapacitetit të tij nga 100 MWh, për 250 MWh më shumë, po ashtu është në interes të të dy palëve dhe sidomos për Kosovën.   

Kjo sasi e rrymës në pronësi të Kosovës do të konsumohej në Kosovë pa ndonjë kosto shtesë transportimi/përçimi, sepse tashmë Shqipëria dhe Kosova e kanë bërë bashkimin e tyre të rrjetit, hapësirës elektrike.  

Nuk besojmë se qeveria amerikane e ka opsion të vetëm të marrjes së gazit amerikan nga Kosova vetëm përmes Greqisë. I njëjti gaz do të blihej për konsum në Kosovë, apo/dhe përdorej pra në Shqipëri për prodhim rryme në Vlorë për Kosovën.  

Pra, në opsionin 2 dhe 3 i njëjti gaz do blihej nga Kosova, por me vendndodhje të ndryshme të përdorimit të tij për prodhim rryme.  

Fjalët e kota duhet ndalur, projektet e përbashkëta duhet filluar  

Opsionet 2 dhe 3, ndërkohë do të shënonin një moment krejtësisht të ri në bashkëpunimin ekonomik midis të dy vendeve, pra për fillimin e projekteve të përbashkëta konkrete të bashkë-investimeve midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Pikërisht projektet e këtilla në energji, pra gaz dhe rrymë elektrike, do të ishin më të mirat dhe më të nevojshmet, kur kemi parasysh problemet që të dy shtetet kanë me sasinë e pamjaftueshme të rrymës e të cilën po detyrohen ta importojnë nga të tjerët.  

Këto dy opsione do të ishin krejtësisht risi dhe ndryshe nga fjalori i zbrazët i të dy kryeministrave, edhe Albin Kurtit edhe Edi Ramës, të cilët flasin kot para mikrofonave për mundësinë përkatësisht “dëshirat” e tyre për bashkim të të dy shteteve në një.  

Projektet konkrete si këto të propozuara këtu nën 2 dhe 3 janë ato që do të hapnin dhe trasonin rrugën e fuqizimit ekonomik të të dy vendeve dhe do të krijonin perspektiva të reja të përbashkëta ekonomike.

Prandaj, opsionet 2 dhe 3 për këtë lloj bashkëpunimi konkret në fushën e energjisë midis Kosovës dhe Shqipërisë duhet që të jenë pjesë e bisedimeve në takimin e 26 Nëntorit midis të dy qeverive, të Kurtit dhe Ramës.

Opsioni 4: Investim i Kosovës në prodhim rryme me gaz në Greqi   

Ky opsion na sjellë përsëri tek opsioni i parë, vetëm me kushtin që Greqia ta njihte Kosovën, pra.  

Në këtë opsion oferta e Kosovës ndaj Greqisë do të rritej, dhe do të bëhej në mënyrën e investimit që ka bërë Maqedonia atje.  Pra, është fjala për bashkë-investim në termocentralin me rrymë përmes gazit dhe në të njëjtën kohë edhe në UGS në Aleksandroupolis, dhe Kosova do të konsumonte rrymën prej 250MWh, apo atë sasi për aq sa ka mundësi financiare për të investuar atje në të dy projektet.   

Për shkak të kufizimeve financiare, Kosova pastaj në një fazë të dytë, kur do të gjente financa të veta dhe bashkë-investues të tjerë, do të mund të mendonte në sjelljen edhe po të njëjtit gaz deri në Kosovë për të shtuar sasinë e rrymës me gaz të prodhuar pra në Kosovë dhe përdorimin e këtij gazi për procesin e mëtejmë të gazifikimit (për ngrohje dhe për përdorime të tjera si burim energjie).

   Krejt këto opsione duhet të jenë pjesë e projekteve për shqyrtim serioz, paralel me synimet tejet ambicioze të bërë publike javën e kaluar për energji të ripërtërishme (erë dhe diell) nga qeveria për vitet 2030 dhe 2050 në procesin e gjatë të zvogëlimit të CO2 dhe ndotësve të tjerë të ambientit.  

Skenari paralel shtesë midis Kosovës dhe Shqipërisë nëse do të kishte njohje nga Greqia  

Këto projekte konkrete ( opsionet 2 dhe 3) duhet të jenë në tavolinë midis të dy shteteve tona edhe në skenarin nëse opsioni 1 dhe 4 do të kenë sukses (njohje e Kosovës nga Greqia), sepse Kosova dhe Shqipëria nuk duhet kufizuar në vetëm 100Mhw (Shqipëria) e 250MWh (Kosova) e me rreth 2 MKM (Miliardë Kubik Metër- ang.BCM) gaz Amerikan në vit secila prej tyre.

Rritja e industrisë dhe shtimi i prodhimeve vendore dhe e eksportit në të ardhmen e afërt do të kërkojë edhe më shumë rrymë elektrike dhe burime shtesë të energjisë në të dy vendet. Prandaj këtu pastaj mund të shtohen, pos gazit Amerikan, edhe projektet e reja të përbashkëta me erë dhe diell për prodhim rryme elektrike, pos atyre siç paralajmëruan synimet e tyre kryeministri Kurti dhe ministrja Artane Rizvanolli në kuadër të strategjisë ende në formulim e sipër.  

Këto katër opsione, dhe skenarin paralel shtesë, duhet që qeveria e tashme e Kosovës (apo të tjerat që do vijnë pas saj) t’i negociojnë me Washingtonin në mënyrë serioze, pa dorëza dhe pa asnjë frikë edhe nëse nuk do të kishte marrëveshje për asnjërin prej tyre.  

Zgjatja e kësaj çështjeje të gazit në mënyrën e tashme të çuditshme që po e bënë qeveria e Kurtit nuk i vyen as Kosovës, as Greqisë, as Shqipërisë e as SHBA-ve dhe sidomos jo raporteve Kosovë – SHBA.  

Le të jetë publike tash e deri krejt në fund të negociatave dhe e qartë se cili shtet është më i hapur për bisedime për alternativa e opsione shtesë nga ky i vetmi që po bisedohet tash për tash, e cili jo, duke pasur parasysh se Kosova ka nevojë për njohje nga Greqia, po aq sa ka nevojë që të trashë raportet e biznesit me SHBA-të dhe me Shqipërinë, pos përfitimeve praktike që sjellë për Kosovën procesi i gazifikimit si proces tranzicioni energjetik paralel me projektet me erë dhe diell, për të arritur pastaj tek përdorimi i hidrogjenit përmes të njëjtit rrjet të tubacionit.

Nëse do të jenë Greqia apo SHBA-të që do të refuzonin cilin do nga këto katër opsione, atëherë Kosova do të dilte faqebardhë nga përmbyllja e dështuar e këtyre bisedimeve dhe cila do nga qeveritë kosovare (e tashmja apo ndonjë tjetër në të ardhmen) do e kishte mbështetjen e plotë të publikut në Kosovë për epilogun e këtillë.  

Por, me arsyetimet dhe zvarritjet e deritashme të qeverisë aktuale në Kosovë, Amerikanët , përkatësisht qeveria e Kryetarit Joe Biden, i ka krejt arsyet që të jetë e zhgënjyer dhe e frustruar.

Dhe është tash për tash e frustruar dhe e zhgënjyer, për shkak të qasjes së qeverisë së tashme, sado që kryeministri Kurti publikisht e mohon këtë dhe sado që zyrtarët amerikanë në Washington dhe Prishtinë janë të kujdesshëm të mos ia e thonë publikisht atij dhe qytetarëve të Kosovës.

Vënia në tavolinën e negociatave nga ana e Kosovës e këtyre katër opsioneve duhet që të bëhet tash dhe pa vonesë, dhe qeveria e saj duhet t’ia bëjë publike edhe qytetarëve në Kosovë krejt rrjedhat e bisedimeve deri në përmbylljen e tyre, të suksesshme apo jo.

Ka edhe opsione dhe alternativa të tjera shtesë të cilat do të përfshinin edhe Maqedoninë, varësisht prej epilogut të secilit prej katër këtyre opsioneve dhe mundësive financiare të Kosovës, por do të shkruaj për to në ndonjë shkrim tjetër varësisht prej zhvillimeve të ardhshme.

Kjo temë rreth këtyre projekteve të energjisë është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e madhe për të gjitha palët e përfshira dhe të përmendura më lartë dhe është përtej interesave të tyre të brendshme shtetërore ekonomike.

Është po ashtu çështje gjeo-politike e gjeo-strategjike dhe nevojash e interesash të përbashkëta të të gjitha palëve të përfshira, në të njëjtën kohë. Pra është me peshë të madhe edhe nga aspekti i betejës të gjitha palëve kundër gazit rus, por edhe naftës ruse, në rajon ballkanik dhe Evropë.  

Miqve Amerikanë duhet dalë hapur dhe pa asnjë ngurrim e hamendje në tavolinë me këto katër opsione.

Krejt në fund do të duhej që publiku i Kosovës të gjykonte se kush do të ishte fajtor i dështimit eventual të negociatave për këto katër opsione : Prishtina, Athina, Tirana apo Washingtoni, apo edhe se kush do të ishte meritor nëse ato përmbyllen me sukses.

(Autori është themelues i agjencisë së lajmeve dtt-net.com)  

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)