25 Prill 2024

4 Nëntori i ftohtë për Sopotin

Shkruar nga Zenelabedin Latifi

 Po vie edhe një nëntor, që sjell vjeshtën e vërtetë për zemrat tona. Aq sa vijnë pranvera që sado pak na ngrohin shpirtin e ftohur, nuk kalon shumë kohë, dhe vie 4-shi i nëntorit që për ne më është bërë një plagë, e cila nga kujtimet tona lëndohet edhe më shumë.

Për gjeneratat më të reja kjo mund të jetë vetëm një datë në kalendar dhe një histori e shkruar, mirëpo për gjyshërit tanë, që nga afër me sytë e tyre e panë një tmerr të tillë është shumë e rëndë, të cilëve nuk iu shëruan plagët dhe vështirë të ndodhë një gjë e tillë.

Ishte koha kur armiqtë kishin marrë hovin dhe iu vërsuleshin shqiptarëve të pafajshëm për t\'i zhdukur nga trojet e shqiptare. Këtë e bënin ngase e dinin se shqiptarët nuk kishin ndihmëtar dhe si të pambështetur nga dikush, ata e shfrytëzonin rastin për të bërë spastrim etnik ndaj shqiptarëve.

Këto vite ishin sulmuar shumë troje shqiptare, por plaga ime preku në këtë datë, ngase për këtë më tregonte gati se çdo ditë gjyshi im, i cili si i ri 14 vjeçar kishte përjetuar tmerrin e asaj dite, kur katilët serbosllavë dhe shovenistët maqedonas i kishin mbledhur burrat e fshatit Sopot për t\'i pushkatuar.

Ai me shumë emocione rrëfente ngjarjet, të cilat nëse e merr një laps dhe fillon t\'i shkruash, atëherë do të nevojiten vëllime të tëra për të përshkruar ato ditë të kobshme.

Ai tregon se si i kanë shpier nga fshati Sopot në fshatin Shushevë (2 km larg Sopotit) dhe kanë filluar tmerrësisht t\'i rrahin dhe t\'i pushkatojnë meshkujt nga mosha 11 deri në moshën 95 vjeçare.

Ata shtazërinë e tyre e treguan mjaftë mire kur vranë fëmijë, mirëpo duke mos lënë pa shtënë katër plumba edhe mbi plakun 95 vjeçar. Fatkeqësitë nuk kishin të ndalur, derisa nga vrasësit kishte edhe prej fqinjëve të sopotasve, të cilët shfrytëzuan situatën që të shfryhen mbi njerëzit e pafajshëm.

Kurse gjyshi, Haxhi Bajram Latifi, fatmirësisht dhe falë Zotit, kishte shpëtuar, dhe ndoshta caktimi për të jetuar solli që tash ai të na rrëfen për ato ndodhi. Ai tregon çastet e prekshme kur kishin marrë 15 fëmijë për t\'i vrarë por i lëshuan, mirëpo batilat erdhën prapë dhe i morën dhe 5 prej tyre dhe i vranë.

Në atë masakër vranë 64 meshkuj shqiptarë dhe 2 mbetën të plagosur, mirëpo nuk mundën ta shuajnë rrënjën shqiptare, dhe ne tani ende jetojmë në këto troje.

Për këtë ngjarje në vitin 2000 u botua edhe libri \"Masakra serbosllave-maqedonase ndaj shqiptarëve në Karadak\", autor i të cilit është Tefik Jahiu.

Si përkujtim për atë ngjarje, sopotasit bënë një përmendore, e cila për sa të ekzistojë njeriu në tokë, do të tregojë se shqiptarët gjithmonë kanë qenë të shtypur dhe janë vrarë pafajësisht. Gurthemeli i saj u bë më 4 nëntor 2007, kurse inaugurimi në nëntorin e vitit 2008.

Ajo përmendore plotësisht u arrit të bëhet falë tregimeve që i tregonte dëshmitari i gjallë Haxhi Bajram Latifi. Tani në fshatin Sopot, jeton përmendorja me krahë shqiponje e cila për serbët dhe maqedonët është një goditje e rëndë, dhe ajo nuk do të lejojë që 64 martirët të harrohen, ku edhe në të shkruan \"Ata janë të gjallë\", dhe vërtetë ata janë të gjallë, sepse emrat e tyre kurrë nuk do të zhduken.

Ne nuk e harruam as fjalën e urtë shqipe, e cila na thotë: \"Kush ka vdekur për atdhe, nuk ka vdekur por ka le\".

Mërzinë na e largon ajeti kur\'anor ku Allahu thotë: \"E për ata që u mbytën në rrugën e All-llahut mos thoni: \"Janë të vdekur\", Jo, ata janë të gjallë, por ju nuk kuptoni (gjallërinë e tyre).\"

 
/Autori është student në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Ekonomi-Biznes/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)