20 Prill 2024

27 nënshkrime u mblodhën, edhe 13 na duhen

Shkruar nga Florin Krasniqi

Komisioni hetimor parlamentar nuk sjell drejtësinë, sepse nuk është gjyq. Komisioni hetimor parlamentar kurrsesi nuk e zëvendëson prokurorinë dhe gjyqësinë, por gjithsesi mund t’i ndihmojë shumë ato. 

Neni 69, paragrafi 2 i rregullores së Kuvendit thotë “Kuvendi me kërkesën e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve, formon komisione për çështje të veçantë, duke i përfshirë edhe çështjet hetimore”.

 Pas mbledhjes së 40 nënshkrimeve, Komisioni hetimor parlamentar për ShIK-un, për gjashtë muaj rresht do të mund të zhvillonte hetime lidhur me këtë organizatë: prej shqyrtimit të dokumentacionit e materialeve të ndryshme, e deri tek intervistimi i njerëzve.

Qëndrimet se Komisioni hetimor parlamentar synon ta zëvendësojë drejtësinë e gjyqësisë, vetëm sa zbulojnë bindjen që drejtësia e gjyqësisë, në të vërtetë, nuk ekziston dhe as që është e mundur tash për tash për këtë rast.

Kjo bindje, duhet ta pranojmë, se nuk është e paarsyeshme. Sepse, po të kishim drejtësi në sistemin tonë gjyqësor, ajo do të vepronte deri më tani.

Mirëpo, ashtu qysh shumica dërrmuese e partive politike, administrata shtetërore dhe ndërmarrjet publike në Kosovë, janë të kolonizuara nga agjentët e ShIK-ut të PDK-së, njësoj edhe policia, prokuroria e gjyqësia kanë përplot elemente të tilla agjenturore që e mbajnë politikën mbi ligjin.

Komisioni hetimor parlamentar natyrisht që shqyrton çështje të cilat edhe mund të hyjnë në fushëveprimin e prokurorisë e gjyqësisë. Por, gjithmonë për t’i ndihmuar e mbështetur ato, e kurrsesi për të marrë rolin e tyre.

Komisioni hetimor parlamentar përherë heton diçka që duket se bie ndesh me ligjin dhe presupozohet që është e dëmshme për shoqërinë tonë. Prandaj, është absurde të mendohet që Komisioni hetimor parlamentar mund të merret vetëm me diçka që nuk merret prokuroria e gjyqësia.

Deri më sot i kemi 27 nënshkrime, që do të thotë se edhe 13 të tjera na duhen. Pra, dy të tretat e nënshkrimeve tanimë janë dhënë, nevojitet vetëm edhe një e treta.

Deputetët e subjekteve opozitare që nuk kanë pranuar të ma japin nënshkrimin, vazhdimisht më kanë dhënë arsye të ndryshme por gjithnjë të paarsyeshme.

Nënshkrimet ua kam kërkuar nga disa herë sepse ua kam kërkuar sa herë që i kam parë e takuar nëpër Kuvend. Jam i bindur që për arsye të cilat vetëm ata i dijnë, ata po i frikësohen ShIK-ut.

Në nenin 71 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, Komisioni hetues parlamentar dhe komisionet tjera, shpjegohet që “Kuvendi mund ta formojë një komision ad hoc, që e ka autoritetin e komisionit funksional. Komisioni ad hoc është komision i përkohshëm, i cili merret me shqyrtimin e një çështjeje të veçantë.”

Dhe se “Kur Kuvendi e identifikon një çështje të rëndësisë së veçantë, e autorizon komisionin ad hoc për ta ftuar secilin zyrtar të Kosovës, që e sheh të arsyeshme, për të dëshmuar para komisionit.” 

Sa më të forta dhe më të disiplinuara që janë partitë politike në një legjislaturë, aq më pak i fuqishëm është roli i komisioneve. Legjislaturat të cilat luajnë një rol qendror në procesin e vënies së ligjit, zakonisht kanë komisione më të zhvilluara dhe aktive; legjislaturat të cilat i nënshtrohen shefit të ekzekutivit, qoftë një kryeministër apo president, kanë komisione më të dobëta.

Në përgjithësi, janë dy kategori të komisioneve: të përhershme dhe ad hoc. Shumica e legjislaturave që kanë komisione të përhershme, mund të formojnë dhe formojnë komisione ad hoc për të investiguar çështje specifike.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të ishin sot ndër demokracitë më të zhvilluara në botë po të mos e kishin organizuar sistemin e kotrollit të pushteteve në mes të Presidentit, Kongresit dhe Gjyqësorit. 

Kongresi Amerikan është i organizuar në komisione të përhershme të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në procesin legjislativ. Sikurse Kongresi Amerikan, po ashtu edhe shumica e parlamenteve të shteteve të tjera, formojnë komisione ad hoc parlamentare përmes së cilave shqyrtojnë dhe hetojnë çështje të rëndësishme shtetërore.

Në vitin 1975, Senati amerikan kishte formuar një komision hetimor të njohur me emrin Komisioni Church (the Church Committee) i cili për detyrë kishte të hulumtojë aktivitetet e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), posaçërisht brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Komisioni zgjati disa muaj dhe doli me një raport voluminoz, që pastaj pati ndikim të madh në reformen e pushtetit dhe mbikqyrjen e organizatave të inteligjencës për të mbrojtur liritë e garantuara me kushtetutë.

Ky hetim nuk zëvendësoi punën e gjyqësorit që pastaj kishte detyrë për të ndjekur shkelësit e ligjit, por hapi rrugën politike për të diskutuar reformën aq shumë të nevojshme. Kur Senati amerikan hetoi e hulumtoi CIA-n, një agjenci kjo zyrtare, legale e formale, mund ta merrni me mend se çka do të bënte për një shërbim si puna e ShIK-ut?! 

Janë me qindra raste të komisioneve hetimore parlamentare dhe të dëgjimeve publike në Kongresin amerikan.  Prej zyrtarëve të ndryshëm shtetëror e deri te korporatat e fuqishme janë hetuar nga Kongresi prej se ekziston ai.

Kjo kurrë nuk është konsideruar si përzierje në punët e sistemit të drejtësisë por si kontribut i domosdoshëm për demokracinë dhe llogaridhënien, e rrjedhimisht edhe për gjyqësinë e drejtësinë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)