03 Shkurt 2023

Të hyrat nga pagesat ujore rriten për 220 për qind

Prishtinë, 20 dhjetor - Këshilli Ndërministror i Ujërave ka mbajtur takimin e parë në përbërjen e tij të re, në të cilin ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Në kuadër të diskutimit mbi gjendjen e sektorit të ujërave në Kosovë dhe orientimit strategjik të Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë fushë, kryeministri Kurti tha se janë të përkushtuar në zhvillimin e sektorit të ujërave dhe se beson që kjo qeveri është me aktivja deri më tani në përparimin e këtij sektori.

Duke renditur disa prej veprimeve që qeveria ka ndërmarrë deri më tani, kryeministri Kurti tha se kanë krijuar grupi punues për kthimin e ligjshmërisë në dhënien e së drejtës ujore me qëllime komerciale, kanë ndaluar dhënien e pasurisë ujore pa koncesion, kanë miratuar programin për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore, kanë miratuar financimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura për Gjilan dhe Mitrovicë.

 Kurse sa i përket qeverisjes korporative në ndërmarrjet rajonale të ujërave dhe ujitjes, kryeministri Kurti tha se ka emëruar Bordet e përkohshme të Drejtorëve me përbërje të barabartë grash dhe burrash dhe janë në proces të përzgjedhjes së Bordeve të Drejtorëve për shumë ndërmarrje tjera.  

Ai veçoi rritjen prej 220% në të hyrat nga pagesat ujore si dëshmi e angazhimit të qeverisë dhe ndërmarrjeve publike në grumbullimin e të hyrave, por edhe e besimit të lartë të qytetarëve ndaj qeverisë dhe institucioneve vartëse.

Të vetëdijshëm për rezervat e ulëta ujore në vend të cilat nuk kalojnë shifrën prej 500 milionë metra kube ujë, kryeministri Kurti ritheksoi synimin e Qeverisë për të rritur këto kapacitete duke ndërtuar dy diga të reja brenda këtij mandati, gjatë të cilit synohet edhe përfundimi i ndërtimit të impianteve në shtatë qendrat e mëdha të Kosovës.

Kryeministri Kurti shprehu falënderimin në emër të qeverisë ndaj komunitetit të donatorëve për përkrahjen e vazhdueshme në sektorin e ujërave, duke veçuar qeverinë i Zvicrës dhe Gjermanisë, Komisionin Evropian dhe Bankën Botërore.

Në këtë mbledhje, përpos ministrave të kabinetit qeveritar dhe institucioneve të linjës, të pranishëm ishin edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly dhe zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jan-Axel Voss.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 shkurt 2023  - Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 9:00)

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite do të jetë falja e tatimit në pronë në vlerën deri 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e kësaj komune, për vitin 2023. (Salla e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ora 10:00)

- Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës mban konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve teknik të Sektorit Privat te Kosovës dhe dialogu me qeverinë dhe institucionet tjera të Kosovës. (Zyrët e Sindikatës, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore, si dhe shqyrton listën e kandidatëve për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekuiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 13:30)

- Prezantohet puna e kryer rreth vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara të cilat kanë folur hapur për historitë e tyre të, abuzimeve seksuale, dhunës fizike, dhunës psikike, keqtrajtimeve, ofendimeve dhe diskriminimeve. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:30)