19 Prill 2024

Shefi i BP kërkon falje për rrjedhjen shkatërrimtare të naftës

SHBA, 18 qershor - Shefi ekzekutiv i kompanisë British Petroleum, Tony Hayward u përball dje me kritika të ashpra nga anëtarë të një komisioni të Kongresit amerikan, të cilët thanë se korporata e tij ka një të kaluar të karakterizuar nga ndërmarrja e hapave të rrezikshëm, shkurtimi i kostos dhe vënia e përfitimeve përpara sigurisë, hapa këto që ka mundësi të kenë kontribuar në shpërthimin e platformës së shpimit të naftës, pronë e kompanisë Deepwater Horizon, në Gjirin e Meksikës.

Hayward shprehu keqardhje të thellë për këtë katastrofë, por ai tha se është tepër herët të arrihet në përfundime rreth shkaqeve të shpërthimit të 20 prillit.

Zyrtari i lartë i BP-së Tony Hayward tha se ishte dërmuar personalisht, siç u shpreh ai, kur mësoi rreth vdekjes së 11 personave nga shpërthimi në platformën e kompanisë së shpimit të naftës  Deepwater Horizon në Gjirin e Meksikës, e marrë me qira nga kompania e tij.

\"Jam mëse i vetëdijshëm rreth seriozitetit të situatës. Kjo është një tragjedi. Dua t’i flas direkt popullit, që jeton dhe punon në rajonin e Gjirit të Meksikës. E di fare mirë që ky incident ka pasur një ndikim të madh në jetën tuaj dhe ka shkaktuar probleme shumë të mëdha dhe për këtë më vjen shumë keq. Gjithashtu më vjen shumë kq për ndikimin që ka pasur rrjedhja e naftës tek mjedisi\".

Disa ligjvënës amerikanë sugjeruan që zoti Hayward duhet të japë dorëheqjen, por jo të gjithë ligjvënësit i çuan në atë ekstrem kritikat e tyre. Anëtari demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, John Dingell nga shteti i Michiganit vuri në dukje se zoti Hayward kishte pasur një rritje rroge prej 41 për qind vitin e kaluar, ndërkohë që përfitimet e kompanisë British Petroleum pësuan rënie, madje ai ngriti pyetjen se çfarë lloj ngritje rroge do të merrte zoti Hayward këtë vit pas katastrofës së naftës në Gjirin e Meksikës.

Ligjvënësi tjetër demokrat nga shteti Ajova, Bruce Braley theksoi se fjala rrjedhje e naftës as që i afrohet përshkrimit të derdhjes së naftës nga pusi 1.5 kilometra nën sipërfaqen e oqeanit. Një numër ligjvënësish kritikuan ashpër kompaninë BP për atë që ata e cilësuan si të kaluar të errët të sigurisë për vite me rradhë.

Ligjvënësi demokrat Bart Stupak tha se gjatë 5 vjetëve të fundit, 26 njerëz kanë humbur jetën dhe 700 të tjerë janë plagosur në aksidente të kompanisë BP, përfshirë rrjedhjen e tanishme të naftës në Gjirin e Meksikës, derdhjen e naftës nga një tubacion në Alaska dhe shpërthimi në një rafineri në Teksas. Ligjvënësi tjetër demokrat, Mike Ross nga shteti Arkansa përmblodhi me pak fjalë pikpamjen e shumë ligjvënësve se katastrofa e tanishme është pjesë e një paterne.

\"Së fundmi janë bërë të njohura shumë njoftime se në ditët dhe javët para shpërthimit, BP e vetëdijshme mori një numër vendimesh, që shtuan rrezikun e shpërthimit dhe të rrjedhjes së naftës. Me sa duket BP vuri përfitimet para sigurisë. Shumë njerëz humbën jetën, miliona litra naftë vazhdojnë të përhapen në Gjirin e Meksikës\".

Shefi ekzekutiv i BP-së Tony Hayward tha se përparësia kryesore e kompanisë së tij është ndalimi i rrjedhjes së naftës në Gjirin e Meksikës.

\"Së pari ne po bëjmë të gjitha përpjekjet për të mbyllur pusin e çarë dhe si rezultat të ndalojmë përhapjen e naftës në oqean. Tani ne po shpojmë në dy puse të tjera, që besojmë se do të na japin zgjidhjen përfundimtare. Ne presim që ky operacion të përfundojë në muajin gusht\".

Zoti Hayward nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve rreth dizenjos së pusit dhe nëse BP kishte vënë re shenja paralajmërimi përpara shpërthimit se pusi kishte shumë probleme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)