03 Shkurt 2023

Rihapet terminali doganor i “Trepçës"

Mitrovicë, 2 nëntor - Nga sot është rihapur terminali doganor shtetëror brenda hapësirave të Ndërmarrjes Publike “Trepça” në Mitrovicë. Në ceremoninë hapëse, bashkë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës ishin edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në njërën anë dhe Drejtori i Doganës së Kosovës, Agon Llugaliu, kryesuesi i Bordit të Trepçës, Bahri Hyseni dhe Ushtruesi i Detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Enis Abdurrahmani në anën tjetër.

“Sot është një ditë tejet e rëndësishme për të gjithë ne”, tha kryeministri Kurti në fillim të fjalës së tij. Nga ky veprim i sotëm përfitojnë të gjithë, shteti i Kosovës, Trepça, Dogana e Kosovës, e në veçanti bizneset, shtoi më tej ai.

Kryeministrit Kurti rikujtoi se nga viti 2003 deri në vitin 2014 ky terminal doganor ka qenë në hapësirën e Trepçës, por që padrejtësisht e çuditërisht kjo hapësirë i është privuar Trepçës për terminal doganor dhe i është dhënë një kompanie private jashtë zonës së Trepçës duke bërë që çmimi për maune të rritej në 40 euro dhe në të njëjtën kohë gjithsej 24 punëtorë të ngelin pa punë. “Shtatë vjet më vonë ne po e bëjmë këtë hapje të terminalit doganor në hapësirën e Trepçës, po e rikthejmë në Trepçë atë që gjithmonë i ka takuar Trepçës e në këtë mënyrë po e korrigjojmë një dëm të bërë para shtatë vjetëve”, u shpreh kryeministrit Kurti.                                                                                        

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se rihapja e këtij terminali doganor nënkupton fitim shtesë për Trepçën. Megjithatë ky fitim do të jetë vetëm si e hyrë komplementarë për të sepse Trepçës do t’i kthehet aktiviteti primar si minierë dhe shkritore për t’u rikthyer si motor i zhvillimit ekonomik të vendit. Ministri Murati po ashtu ritheksoi se deri në mesin e vitit të ardhshëm, terminalet të tilla shtetërore do të shtrihen në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh e kënaqur të shoh një avancim të rolit të Ndërmarrjeve Publike, përtej atij primar, në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve. Ajo tha se ky është vetëm fillimi për Trepçën, dhe se vëmendja e deritanishme dhe projektbuxheti i miratuar për të tregon për përkushtimin e Qeverisë dhe ministrisë së Ekonomisë ndaj kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme.


 


  

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 shkurt 2023  - Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 9:00)

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite do të jetë falja e tatimit në pronë në vlerën deri 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e kësaj komune, për vitin 2023. (Salla e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ora 10:00)

- Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës mban konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve teknik të Sektorit Privat te Kosovës dhe dialogu me qeverinë dhe institucionet tjera të Kosovës. (Zyrët e Sindikatës, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore, si dhe shqyrton listën e kandidatëve për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekuiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 13:30)

- Prezantohet puna e kryer rreth vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara të cilat kanë folur hapur për historitë e tyre të, abuzimeve seksuale, dhunës fizike, dhunës psikike, keqtrajtimeve, ofendimeve dhe diskriminimeve. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:30)