01 Dhjetor 2022

Prezantohet projekti për kthimin e shisheve të plastikës, qelqit dhe kënaçeve

Prishtinë, 22  janar - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me sekretarin, Arben Çitaku dhe këshilltarët politik janë takuar me sekretaren e parë të Ambasadës Gjermane në Kosovë, Anja Becky,  udhëheqësen e projektit, Alexandra Linden dhe përfaqësues të tjerë të GIZ-it Gjerman.

Gjatë këtij takimi është prezantuar projekti i krijimit të sistemit të kthimit të depozitave, projekt ky i cili do realizohet nga MMPH, me përkrahjen GIZ-it Gjerman.

Me këtë rast, ministri Matoshi ka ofruar mbështetjen  për realizimin e këtij projekti i cili do të ndikojë në krijimin e një mjedisi të pastër.

“Projekti i krijimit të sistemit të kthimit të depozitave  do ta fillojmë këtë vit, me përkrahjen e GIZ-it dhe po kështu kërkojmë përkrahjen e të gjithëve, në mënyrë që ta bëjmë Kosovën të pastër dhe të dëshmojmë që ne e duam shtetin tonë të ndërtuar me shumë sakrifica”, deklaroi ministri Matoshi.

I pari i MMPH-së, Matoshi, tha se në këtë projekt do të përfshihet, kthimi i shisheve të plastikës, qelqit dhe kënaçet.

“Shishet e plastikes, qelqit dhe kënaçet së shpejti do të përfshihen në një sistem të kthimit të tyre, në mënyrë që të mbrohet mjedisi dhe të kemi riciklim të mbeturinave në vend”, deklaroi Matoshi.

Matoshi tha se ndotja e mjedisit nga plastikat është një nder problemet  që ka Kosova në fushën e mjedisit.

Ministri Matoshi falënderoi Qeverinë Gjermane dhe GIZ-in për bashkëpunimin e vazhdueshëm në fushën e mjedisit.

Ndërsa përfaqësuesit e ambasadës gjermane dhe GIZ-it kanë ofruar mbështetje për MMPH-në në realizimin e projekteve që janë parapara për mjedisin.

Në realizimin e këtij sistemi Kosova do të marrë model shtetin e Estonisë dhe Lituanisë si vende që kanë këtë sistem të avancuar të depozitave dhe njihen si shtete ekologjike.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 dhjetor 2022 - Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, për fushat që janë në fushëveprim të Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

- Ne kuadër të Ditës botërore të luftës kundër sëmundjes së HIV/AIDS, Drejtoria e Shëndetësisë organizon hapjen e Qendrës Mobile për testim me ç’ rast Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bashkë me Drejtorin e Shëndetësisë Izet Sadiku do të vizitojnë këtë qendë. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton kërkesat buxhetore të institucioneve që i raportojnë Komisionit, lidhur me Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës organizon një panel diskutimi me temë “Barazia - Dita Botërore e HIV/AIDS” me akterët relevant të kësaj teme. (Salla e amfiteatrit në objektin e Qendrës së Studenteve, ora 12:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston dëshmitare nga ZRRE për periudhën 2013-2017 dhenga KEK për periudhën 2018-2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu zhvillon një vizitë në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas. (Objekti i Agjencisë, ora 13:00) 

- Forumi i Gruas i LDK-së mban konferencë për medie. Tema e konferencës është vrasjet e grave dhe nevoja urgjente për reagim institucional e shtetëror. (Selia qendrore e LDK-së, ora 13:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu zhvillon një vizitë në Strehimoren në Prizren. (Strehimorja në Prizren, ora 14:30)

- Kolegji AAB organizon ceremoninë e ndarjes së Çmimit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrime, politikanes së njohur gjermane, ish deputete në Parlamentin Evropian, zonjës Doris Pack. (Teatrin AAB “Faruk Begolli”, ora 15:00)

- Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist organizon protestë për të kërkuar që vrasjet e grave nga burrat të trajtohen si urgjencë kombëtare. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 16:00)

- Galeria 17 organizon hapjen e ekspozitës "In the making", nga Yll Xhaferi dhe DYVO. (Galeria 17, ora 18:00)

- Mbahet hapja solemne e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Art Without Limit International Film Festival” edicioni i 3 -të. (Kino Armata, ora 19:00)