28 Mars 2024

Llamkosi, borxhet pengesë e privatizimit

Prishtinë, 4 shtator – Në valën e 44 të privatizimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, (AKP), nuk shfaqi interesim askush që ta privatizoj ndërmarrjen e prodhimit dhe përpunimit të llamarinës “Llamkos”, në Vushtrri.

Fajin për këtë Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të “Llamkosit”, (SPPLl), ia hodhi AKP-së për shkak të obligimit me borxhe që i ka trashëguar më herët kjo fabrikë, kompania që tash e privatizon duhet t’i likuidojë.

Por, në valën e  45 të privatizimit, kanë shfaqur interesim disa kompani. Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi tha se ka disa kompani serioze që janë interesuar, por sipas tij, kompanitë nuk i bëjnë publike në AKP.

“Ka disa kompani që kanë shprehur interesim për të marrë pjesë në tenderin e shpallur për Ndërmarrjen e Re ‘Llamkos Steel’ SH.P.K. Këto kompani i kanë tërhequr dokumentacionin e nevojshëm për të marrë pjesë në tender”, tha Kaloshi.

Sipas Kaloshit afati i fundit për parakualifikim do të jetë dita e mërkurë, 1 shtator 2010.

“Dita për dorëzimin e ofertave do të jetë më 8 shtator 2010, nga ora 10, deri në orën 12, kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë duke filluar nga ora 13”, tha ai.

Kaloshi tha se “Llamkosi”, është në tender bashkë me detyrimet dhe ai që e privatizon duhet t’i shlyej borxhet paraprake që e kapin shumën e 10 milion eurove.

“Ndërmarrja e Re ‘Llamkos’, është në tender për privatizim bashkë me detyrimet që llogariten të jenë 10.3 milionë euro”, tha Kaloshi.

Por kryetari i SPPLL, Enver Isufi shprehet pesimist se do ta privatizojë ndonjë kompani “Llamkos-in”, për shkak se sipas tij, problemi ende qëndron te detyrimet.

“Ata që e marrin ‘Llamkosin’, janë kushtëzuar nga AKP-ja me likuidimin e borxheve. Askush nuk i paguan borxhet të tjetërkujt dhe prapë po e them se ne jemi shumë pesimist se do të ketë diçka pozitive”, tha Isufi.

Sipas Isufit interesim për privatizimin e “Llamkos-it”, ka pasur nga shumë kompani serioze. “E kanë vizituar shumë kompani me renome dhe kanë shprehur gatishmëri për ta blerë, por kur janë takuar me zyrtarët e AKP-së, ata kanë ndryshuar qëndrimin dhe janë tërhequr sepse borxhet e huaja askush nuk i lanë”, tha ai.

Isufi tha se janë 470 punëtor që presin kthimin në punë. Por sipas rregullave të tenderimit të AKP-së, ai që privatizon këtë ndërmarrje duhet të punësojë së paku 200 punëtorë, ndërsa nuk kushtëzohet që t’i kthejë të gjithë punëtorët në punë. Në “Llamkos”, kanë qenë të punësuar 470 punëtorë.    


AKP-ja në një dokument që e pati lëshuar thuhet se secili ofertues i kualifikuar duhet të pranojë borxhin hipotekar në bankën “Raiffeisen Bank” dhe të paguaj atë. Ky dokument mandej sqaron se, secili ofertues i kualifikuar duhet të përgatitet të merret me kërkesat e kreditorëve kundër “Llamkos-it” së bashku me procesin e Arbitrimit në Paris, thuhet në këtë dokument.

Ndërmarrja “Llamkos”, në Vushtrri mundë të prodhoj llamarinë të zinkuar të paketuar në bobina deri në 15 tonë dhe në tabela, pllaka, deri në 5 tonë si dhe produkte finale nga llamarina e zinkuar.

Kompania mund të prodhoj produktet e galvanizuara si: Pllaka të çelikta të galvanizuara 120,000 tonë në vit. Elemente të profilizuara të pllakave të çelikta: të galvanizuara ose të ngjyrosura 42.700 tonë në vit.

Produkte të formuara të pllakave të çelikta nga 25,000 deri 35.000 tonë në vit. Produkte të pllakave të prera të çelikta 80.000 tonë në vit.   

Kapaciteti i prodhimit i fabrikës është deri në 120.000 ton llamarinë të zinkuar në vit.
Llamarina e zinkuar prodhohet në trashësi prej 0.2 deri në dhe në gjerësi prej 800 deri 1500 mm të paketuar në formë bobine dhe në formë tabele pllakë.

Elhami Ismajli
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)