29 Mars 2024

Qeveria lansoi Kartën për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme

Prishtinë, 22 prill - Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, organizoi ceremoninë e lansimit të Kartës për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme.

“Sot po fillojmë bashkë nismën Karta për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme. Duke e nënshkruar atë, komunat tuaja, komunat tona, do të përfitojnë mbështetje financiare e profesionale në dizajnimin e politikave të integruara të zhvillimit urban, social dhe ekologjik”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.

Qeverisja lokale ka një rol të rëndësishëm në zbatimin e Agjendës së Gjelbër dhe në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, tha kryeministri, duke ftuar komunat të bëhen pjesë e kësaj nisme.

Ai shtoi se në ndërtimin e së ardhmes, në gjetjen e zgjidhjeve për të luftuar ndryshimet klimatike, të gjithë e kemi një rol të veçantë.

Niveli qendror dhe lokal i qeverisjes, qytetarët, ndërmarrjet dhe organizatat joqeveritare, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, duhet të koordinohen së bashku, theksoi kryeminsitri.

Duke rënditur hapa të rëndësishëm që janë marrë nga Qeveria për një të ardhme më të qëndrueshme dhe të gjelbër, kryeministri veçoi parkun e erës “Selac Windpark” me kapacitet prej 105 MW, si dhe projektin 64 milionësh “Solar4Kosova”, termocentrali diellor ndër më të mëdhenjtë në Evropë.

Përmes Kartës për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme, Qeveria e Republikës së Kosovës synon të përmirësojë performancën ekonomike, të nxisë inovacione për të krijuar sektorë të rinj biznesi, për t’i bërë komunat tona të qëndrueshme në aspektin mjedisor dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës sonë dhe të brezave që do të vijnë.

Vizioni i Qeverisë është planifikimi dhe investimet cilësore, me qëllim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe infrastrukturës së integruar në harmoni me mjedisin e pastër, mirëqenien dhe mobilitetin.

Në këtë ceremoni, pati video mesazhe nga znj.Viola Von Cramon, Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, z.Manuel Sarrazin, Përfaqësues special i qeverisë federale gjermane për Ballkanin Perëndimor dhe znj.Marieluise Beck, ish deputete e Bundestagut nga Partia e Gjelbër gjermane.

Ndërsa fjalë rasti patën: znj.Ulrika Richardson, Kordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, z.Jacob Webber, i ngarkuar me punë, Ambasada e Britanisë në Kosovë, znj.Annette Fath-Lihic, Këshilltare e Lartë Politike/Kordinatore Ekzekutive në Zyrën e BE-së në Kosovë dhe z.Edolind Topalli, aktivist i ri për mbrojtjen e mjedisit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)