28 Mars 2024

Publikohet Raporti i monitorimit të sektorit të mjedisit në Komunën e Prizrenit – 2020

Prizren, 9 qershor - EC Ma Ndryshe ka publikuar Raportin e monitorimit të sektorit të mjedisit në Komunën e Prizrenit për vitin 2020.

Gjetjet e këtij raporti në kapituj të caktuar kanë identifikuar mangësitë aktuale në sektorin e mjedisit, që kërkojnë vëmendje më të shtuar nga autoritetet komunale, me qëllim të përmirësimit të procesit të planifikimit dhe menaxhimit mjedisor. Gjithashtu ato janë validuar nga zyrtarët përkatës komunalë, si pasqyrim i gjendjes reale në sektorin e mjedisit, duke theksuar se burimet njerëzore dhe financiare nuk janë në nivel të mjaftueshëm, gjë që mbase reflektohet edhe në gjendjen aktuale mjedisore

Metodologjia e ndjekur nga EC Ma Ndryshe për përpilimin e këtij raporti merr në konsideratë 12 ligje që adresojnë aspekte të ndryshme të mbrojtjes së mjedisit. Mbi këtë bazë përmbajtja e këtij raporti mbulon aspektet kryesore që legjislacioni në fuqi adreson, si: Skema institucionale për planifikimin dhe menaxhimin mjedisor;

Korniza ligjore; Hartimi, harmonizimi dhe zbatimi i dokumenteve të planifikimit dhe menaxhimit të mjedisit, projekteve dhe masave për mbrojtjen e mjedisit; Mbikëqyrja inspektive dhe raportimi mjedisor;Krijimi, grumbullimi, menaxhimi i të dhënave dhe sistemit të menaxhimit të dhënave; Bashkëpunimi, koordinimi dhe pjesëmarrja publike; Licencimi dhe lejet mjedisore.

Bazuar në këtë monitorim, dalin konkluzionet se:

Komuna e Prizrenit ka krijuar organ përgjegjës për mbrojtjen e mjedisit, por kapacitetet njerëzore brenda këtij organi janë të pamjaftueshme si në aspektin kuantitativ ashtu edhe në atë profesional, ndërkohë që nuk ka pasur as aktivitete për fuqizimin e tyre në raport me kornizën aktuale ligjore dhe në periudhën raportuese nuk është organizuar asnjë trajnim rreth çështjeve mjedisore për stafin e Sektorit të Mjedisit dhe Menaxhimit të Mbeturinave (SMMM).

Njohuritë e stafit komunal rreth kornizës mjedisore nuk janë të nivelit më të lartë, derisa përcaktimi i sfidave me të cilat ata ballafaqohen si rrjedhojë e mangësive ligjore në fushën e mjedisit ka qenë i pamundur për shkak të mos listimit të tyre nga punonjësit e SMMM.

Shkalla e hartimit dhe zbatimit të politikave lokale për planifikimin dhe menaxhimin mjedisor mbetet problematik, për faktin se nuk ka organizim të mirëfilltë në këtë aspekt; përkatësisht, rrjedha aktuale e hartimit dhe zbatimit të dokumenteve të planifikimit dhe menaxhimit të mjedisit, projekteve dhe masave për mbrojtjen e mjedisit aktualisht e bën të vështirë matjen e efikasitetit të këtyre veprimeve në përmirësimin e gjendjes mjedisore.

Niveli i inspektimit si dhe hartimi i raporteve përkatëse lidhur me zbatimin e kornizës ligjore të mbrojtjes së mjedisit dhe të zbatimit të strategjive mjedisore mbetet i paqartë për shkak të mos shpalosjes së të dhënave në këtë drejtim, derisa është pranuar se në tregues të caktuar nuk ka monitorim. Ndërkaq janë evidentuar edhe dilemat rreth përgjegjësive, sa i përket monitorimit të gjendjes së zonave të mbrojtura.

SMMM në Komunën e Prizrenit ende nuk ka ndërtuar sistem të menaxhimit të të dhënave mjedisore, për shkak të mungesës së resurseve teknike dhe njerëzore për krijimin, grumbullimin dhe menaxhimin e të dhënave mjedisore.

Bashkëpunimi ndërinstitucional në hartimin e politikave publike vlerësohet të jetë i pamjaftueshëm. Në fund të vitit 2020, DSHP ka filluar praktikën e takimeve me aktivistët e shoqërisë civile, me qëllim të shqyrtimit të mundësive për një bashkëpunim më efektiv në mes të Komunës dhe OJQ-ve që veprojnë në fushën e mjedisit. Por bashkëpunimi me shoqërinë civile në hartimin e politikave lokale mbetet i pamjaftueshëm, ashtu sikurse edhe pjesëmarrja e publikut në hartimin strategjive lokale.

Ndërkohë nuk ka saktësi as sa i përket numrit të licencave dhe lejeve mjedisore aktive, sipas aspekteve mjedisore të përcaktuara me kornizën ligjore. Lista me lejet mjedisore është ofruar për vitin 2019, por jo edhe për vitin 2020.

Në fund të raportit janë adresuar edhe disa rekomandime me qëllim të përmirësimeve dhe plotësimeve në proceset e planifikimit dhe menaxhimit mjedisor, drejt arritjes së rezultateve më të qëndrueshme në sektorin e mjedisit dhe mbrojtjen e resurseve natyrore.

Raportin e plotë mund ta lexoni duke klikuar në linkun: https://www.ecmandryshe.org/.../210527102448_Monitorimi_i... 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)