25 Tetor 2021

Prodhimi i energjisë së pastër regjistron rekord në gjithë botën

Paris, 7 prill - Në një raport të publikuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme (IRENA) behët e ditur se kapacitetet e energjisë së rinovueshme vitin e kaluar tejkaluan rekordin e mëparshëm me pothuajse 50 për qind, me më shumë se 260 gigavatë (GW), pavarësisht nga pandemia COVID-19.

Statistikat vjetore të kapacitetit të energjisë së rinovueshme të IRENA 2021 tregojnë se pjesa e energjisë së rinovueshme në gjithë kapacitetin e ri gjenerues u rrit ndjeshëm për të dytin vit radhazi.

Më shumë se 80 për qind e gjithë kapacitetit të ri të energjisë elektrike shtesë vitin e kaluar ishte e rinovueshme, ku energjia diellore dhe ajo e erës përbënin 91 për qind të energjisë së re të rinovueshme.

Sipas raportit, deri në fund të vitit 2020, kapaciteti global i energjisë së pastër arriti në 2.799 GW, ku energjia hidrike ende përbën pjesën më të madhe me 1.211 GW, megjithëse energjia diellore dhe ajo e erës po ngrihen shpejt.

"Dy burimet e ndryshueshme të energjisë së rinovueshme dominuan në zgjerimin e kapacitetit në vitin 2020 me 127 GW, përkatësisht 111 GW të instalimeve të reja të energjisë diellore dhe të erës", thuhet në raport.

Duke komentuar mbi raportin, Drejtori i Përgjithshëm i IRENA-s Francesco La Camera, tha se numrat tregojnë një histori të jashtëzakonshme të qëndrueshmërisë dhe shpresës.

Ai gjithashtu shtoi se përkundër sfidave dhe pasigurisë së vitit 2020, energjia e rinovueshme doli si një burim i optimizmit të pamohueshëm për një të ardhme më të mirë, më të barabartë, elastike, të pastër dhe të drejtë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Tetor 2021

- Komisioni i Pavarur i Mediave në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë të UP-së, me rastin fillimit të javës globale për edukimin mbi median dhe informacionin, organizojnë tryezë diskutimi me temën: “Edukimi Medial - Përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi do të mbahet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit”. (Hotelin Emerald, ora 10:00)

- GLPS mban tryezë diskutimit me temë “Meritokracia në shërbimin e jashtëm të Kosovës: një sërë rekomandimesh që duhet marrë parasysh”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:30)

- Punëtorët e Lotarisë së  Kosovës mbajnë protestë në të cilën do të kërkohet miratimi i ligjit për Lotarinë e Kosovës. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 11:00)

- Mbahet konferencë për media lidhur me Festivalin e 12 -të i Filmit të Shkurtër Ballkani Përtej Kufijve. (Kino Armata, ora 12:45)

- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës  do të mbajnë tubim për të diskutuar masat e reja. (Golden Imperial, ora 19:00)