11 Gusht 2022

Për 10 vite serbëve iu paguan 132 milionë euro për energjinë e shpenzuar

Prishtinë, 29 qeshor - Sot, Instituti GAP publikoi raportin “Pagesat për konsumin e energjisë elektrike në komunat veriore në Kosovë”.

Çështja e energjisë elektrike të konsumuar në komunat veriore të Kosovës ka mbetur e pazgjidhur nga viti 1999.

Kjo ka ndodhur meqë, për shkaqe politike, Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) nuk ka operuar në këtë pjesë, dhe rrjedhimisht nuk ka mundur të mbledhë mjetet financiare përmes faturimit të konsumatorëve.

Për këtë arsye, nga viti 1999 e deri në 2017, kostot e këtyre shpenzimeve janë konsideruar si “humbje të energjisë” dhe rrjedhimisht janë përfshirë në faturat e konsumatorëve të qyteteve tjera të Kosovës.

Është llogaritur që përafërsisht faturat e qytetarëve në këtë periudhë ishin për rreth 3.5% më të shtrenjta.

Pas kësaj periudhe, kur u vendos nga Gjykata e Apelit që të mos vazhdohet kjo praktikë, këto kosto u mbuluan nga Operatori i Sistemit të Transmisionit të Kosovës (KOSTT) dhe me asistencë financiare nga qeveria.

Mesatarisht, kosto e shpenzuar për mbulimin e këtyre shpenzimeve sipas GAP gjatë 10 viteve të fundit është 11 milionë euro në vit, ndërsa si total, janë shpenzuar 132.5 milionë euro.

Deri në vitin 2018, kjo kosto ishte më e ulët se 10 milionë euro në vit; ndërsa nga viti 2018 sipas GAP ka filluar të rritet, duke arritur kështu vlerën më të lartë në vitin 2021, prej rreth 38 milionë euro.

Në mënyrë që të ofrohet një zgjidhje për këtë situatë, në vitin 2013 u nënshkrua Marrëveshja për Energjinë në mes të Kosovës dhe Serbisë, përcjellur nga një marrëveshje për implementimin e marrëveshjes së parë në vitin 2015.

Mirëpo, asnjëra nga këto sipas GAP nuk kishin gjetur zbatim, deri në arritjen e një marrëveshjeje të re më 21 qershor të këtij viti, ku Serbia dhe Kosova u dakorduan për aprovimin e një udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë të arritur në vitin 2013 dhe 2015.  

Me ç’rast, më 24 qershor 2022, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ia ka lëshuar licencën ndërmarrjes “Elektrosever”; e cila do të blejë dhe shes energji elektrike për të shërbyer konsumatorët e komunave veriore.

"Në rast të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, qytetarët në komunat veriore do të faturohen dhe do të paguajnë për energjinë elektrike të konsumuar."

"Andaj, një rekomandim nga Instituti GAP është që të sigurohet një zbatim adekuat dhe sipas afateve i kësaj marrëveshjeje nga të gjitha palët e përfshira", thekson GAP.

 




Kalendari

Ngjarjet e datës 11 gusht 2022

- Handikos organizon ceremoninë e shpërndarjes së 70 karrocave për personat me aftësi të kufizuara, donacion nga Izraeli, ku do të marrin pjesë ambasadorja e Izraelit, znj. Tammy Ziv, ministrja e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë,  znj. Donika Gërvalla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. (Qendra e Resurseve për Personat me Aftësi të Kufizuara Adresa: Veternik, ora 10:00)

- Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës mban konferencë për media. (Selia qendrore e Vetëvendosjes, ora 11:00)

- Në qytetin e Vushtrrisë organizohet Akademia Verore "Arbën Xhaferi‘’ edicioni i II-të. (Kalaja e Vjetër të Vushtrrisë, ora 17:00)