25 Tetor 2021

Paralajmërimi i zymtë i OKB-së mbi ngrohjen globale

Washington, 9 gusht - Një komision i Kombeve të Bashkuara që trajton çështje që lidhen me ndryshimin e klimës thotë se ngrohja globale është tashmë një tipar i përhershëm i jetës së përditshme, por ende mund të ndërmerren hapa për të parandaluar pasojat më të rënda të saj.

Paneli Ndërqeveritar mbi Ndryshimet Klimatike lëshoi të hënën një raport që pritej prej kohësh, ku thuhej se ndryshimet klimatike "shkaktohen pamëdyshje nga aktivitetet njerëzore" që kanë çuar në një ngrohje graduale të Tokës, me pak më shumë se 1.1 gradë Celsius që nga shekulli paraindustrial, ai i 19-të.

Paneli paralajmëron se në 20 vjet, bota ka të ngjarë të arrijë dhe madje të tejkalojë pragun e ngrohjes prej 1.5 gradë Celsius që siç kanë parashikuar shkencëtarët do të çojë në ndryshime të pakthyeshme të tilla si shkrirja e akullnajave, ngritja e nivelit të detit, përmbytje shkatërruese e thatësirë në të gjithë botën.

Po sipas raportit thuhet se megjithatë bota mund t'i zbusë pasojat e rënda të këtyre ndryshimeve përmes një zhvendosjeje të menjëhershme nga karburantet fosile, që janë burim emetimi të gazit karbonik në atmosferë, i cili shkakton të ashtuquajturin efektin serrë, proces gjatë së cilit nxehtësia bllokohet në atmosferën e Tokës, në vend që të lëshohet në hapësirë.

"Këmbanat e alarmit janë shurdhuese", tha të hënën Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres nëpërmjet një deklarate me shkrim në lidhje me raportin që paralajmëron siç tha "një situatë emergjence për njerëzimin".

Zoti Guterres tha se raporti i ri "duhet të shënojë fundin e përdorimit të qymyrgurit dhe karburanteve fosile", duke u bërë thirrje vendeve të zhvilluara në botë të heqin dorë nga fabrikat ekzistuese të qymyrit, të katërfishojnë kapacitetet e prodhimit të energjisë nga dielli dhe era, si dhe të trefishojnë investimet në energjinë e rinovueshme deri në vitin 2030.

Ky raport, miratuar nga 195 vende, do të jetë në qendër të takimit të ardhshëm të nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara mbi çështje të klimës, i cili do të mbahet në Glasgou të Skocisë në muajin nëntor. Samiti synon hartimin e një strategjie globale për të luftuar ndryshimet klimatike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Tetor 2021

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-089 për deminimin Humanitar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Lëvizja Studentore për Barazi Studim Kritikë Veprim, mban aksion simbolik. (Para Fakultetit Ekonomik, ora 10:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton propozim-vendimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe formon grupin punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Bëhet lasnimi i projektit “Përfshirja e grave në tryezën negociuese në Kosovë”, mbështetur nga Bashkimi Evropian. (Shtëpia e Evropës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton vendimin e Qeverisë për aprovimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Kosmonte Foods”, formon grupin e punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Trepçën, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Mbahet simpoziumi shkencor “Muhaxhirët nëpër vite 1877/78 – 2021”. (Instituti Albanologjik, ora 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve të artit pamor për vitin 2020. (Kabineti i Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ora 13:00)

- Fondacioni Jahjaga organizon lansimin e edicionit të tretë të Revistës ZA që prodhohet nga fondacioni me përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Italisë përmes Planit të Tretë Kombëtar të Italisë për Gra, Paqe dhe Siguri. (Libraria Dukagjini në Sheshin “Nënë Tereza”, ora 18:00)