27 Shtator 2022

KEDS dhe KESCO përgjegjës për sigurimin e energjisë elektrike

Prishtinë, 17 gusht -  Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka njoftuar që sipas masave dhe procedurave operative për balancim të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës në kushtet e pamjaftueshmërisë së furnizimit që parashihen me Kodin e Rrjetit, instruksionet për kufizim të furnizimit mbesin në fuqi deri në stabilizimin e situatës që do të thotë sigurimin e energjisë elektrike të nevojshme për mbulimin e konsumit nga operatorët përgjegjës në treg: Furnizuesi Publik (KESCO) dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (KEDS).

Sa i përket programeve të kufizimit të konsumit ditor ato mund të dallojnë nga dita në ditë në varësi nga ngarkesa (konsumi) dhe nga energjia e siguruar nga palët përgjegjëse për të mbuluar konsumin e energjisë elektrike në vend.

Për oraret e kufizimeve konkrete KOSTT udhëzon qytetarët që të drejtohen në KEDS.

"Gjendja e krizës energjetike me të cilën po përballet Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës e cila ndër të tjera është reflektim i krizës globale energjetike, do të përballohet më me lehtësi me mbështetjen edhe të të gjithë qytetarëve duke shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale dhe duke kursyer aty ku është e mundur", thekson KOSTT.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 shtator 2022

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim udhëheqësin e Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Vassilis Maragos. (Kabineti i kryetarit, ora 9:50 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)

- Koalicioni 27, grupi i organizatave të shoqërisë civile që punojnë në fushën e mjedisit bën publikimin e raportit “Shkatërrimi ekologjik - Koha të veprojmë” i cili paraqet gjendjen e mjedisit në Kosovë, në raport me kërkesat e Bashkimit Evropian në kapitullin 27 “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton raportin e shpenzimeve të Kuvendit, të Bankës Qendrore, Fondit të Kursimeve Pensionale, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- OJQ EC Ma Ndryshe mban konferencën “Zhvillimi i turizmit rural dhe trashëgimisë shpirtërore - Një e ardhme e domosdoshme?”. (Kino Lumbardhi në Prizren, ora 10:00)

-  Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale takohet me kryesuesen e Bordit të Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës znj.Aida Rexhepi dhe me u.d. Drejtoreshën e Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës znj. Pranvera Zejnullahu- Raçi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Shehu Academy në bashkëpunim me projektin e USAID organizon ngjarjen “Ndërlidhja e ofertës me kërkesën në tregun e punës” me moton “Aftësim, Punësim, Zhvillim”. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Aleanca e të Rinjve të Kosovës zhvillon një aksion simbolik para Ministrisë së Arsimit, në mbështetje të kërkesave minimale të mësimdhënësve. (Para Ministrisë së Arsimit, ora 10:00)

- Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë organizon konferencën rajonale “Promovimi i Investimeve Rajonale”. (Hotel International Prishtina në Veternik, ora 11:00)

 - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim Ambasadorin e Luksemburgut, Eric Dietz. (Kabineti i kryetarit, ora 11:30 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)​

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton në parim Projektligjin për Institutin e krimeve të kyera gjatë luftës në Kosovë, dhe raportet e komisioneve kryesore për Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 13:00)

- Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Kastriot mban konferencë për media. (Pallati i Drejtësisë, ora 13:00)

- Komisioni Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë shqyrton Planin e punës së Komisionit, kërkesen për buxhetin e Komisionit dhe shqyrton termat e referencës për Grupin Këshillëdhënës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 14:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike bën zgjedhjen e eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)