25 Tetor 2021

Gjykata ka vendosur kundër Ambientit në rastin e hidrocentraleve në Deçan

Deçan, 5 qershor - Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (QRGJS) e konsideron skandaloze se si Gjykata e Apelit dështon ta identifikojë dëmin e qartë të pariparueshëm që hidrocentralet e kundërligjshme i shkaktojnë Deçanit, natyrës, banorëve paditës dhe të gjithë neve.

Me një vendim të tillë QRGJS konsideron se Gjykata e Apelit abuzon diskrecionin gjyqësor dhe mbështet kompanitë që dëmtojnë interesin publik, ato që shkatërrojnë ambientin në formë kriminale.

Kështu qe sipas QRGJS-se, Gjykata e Apelit e ka vlerësuar më të rëndësishëm interesin financiar të Kelkos Energy Sh.p.k. se sa interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

''Me largimin e masës ndaj hidrocentraleve shkatërruese të natyrës në Deçan, Gjykata e Apelit ka dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe ka formuar dyshim të bazuar në paanshmërinë dhe pavarësinë e saj.''

''Vendime të tilla e vënë edhe më shumë në pah nevojën urgjente për një veting të gjyqtarëve në Kosovë, ata të cilët po e humbin të ardhmen e këtij vendi, duke u shëndërruar në klientë të kompanive private me qasje keqpërdoruese ndaj ligjit", thekson QRGJS.

Në kolegjin e përbërë nga Gjyqtarët Mehmet Ndrecaj, Delushe Halimi dhe Gani Avdiu, Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën për pezullim të lejeve dhe licencave për hidrocentralet në Deçan, dhe kështu ka hequr masën e cila ua ndalonte operimin hidrocentraleve Deçani, Belaja dhe Lumbardhi II deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se tre banorët paditës të Deçanit nuk kanë dëshmuar se po u shkaktohet dëm i pariparueshëm, banorë të cilët tërë jetën kanë gëzuar bukurinë e Lumbardhit dhe natyrës përreth tij përpara se ajo të shkatërrohej për interesa private.

Për më tepër, Gjykata e Apelit kishte konstatuar se shtyrja e ekzekutimit të lejeve do t’i shkaktonte dëm direkt të pariparueshëm Kelkos Energy Sh.p.k. “pasi që investimi për ndërtimin e [hidrocentralit] është i madh, dhe ky dëm në mënyrë indirekte do të ndikonte te një pjesë e banorëve (qytetarëve) të Deçanit që furnizohen me energji elektrike.”

Madje si përfundim, Gjykata e Apelit kishte konstatuar në vendim se shtyrja e ekzekutimit të lejeve të hidrocentraleve në Deçan “do të ishte kundër interesit publik.”

Me anë të këtij vendimi Gjykata e Apelit dëmton natyrën dhe shkel të drejtat e qytetarëve, dhe minon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Dhënia e lejeve për hidrocentrale në kundërshtim me ligjin duhet menjëherë të ndalohet dhe të ndëshkohet nga gjyqësori, sepse një praktikë e tillë e rrezikshme mund të sjell dëme në natyrë që asnjëherë nuk mund të riparohen.

Interesi publik për të mbrojtur natyrën dhe të mirat e saj duhet vënë gjithmonë përpara interesave të ngushta politike e klienteliste. Ne ua kemi me borxh gjeneratave të reja që ta ruajmë ambientin dhe të kundërshtojmë kompanitë dhe institucionet publike që për interesa private po e shkatërrojnë atë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Tetor 2021

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-089 për deminimin Humanitar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Lëvizja Studentore për Barazi Studim Kritikë Veprim, mban aksion simbolik. (Para Fakultetit Ekonomik, ora 10:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton propozim-vendimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe formon grupin punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Bëhet lasnimi i projektit “Përfshirja e grave në tryezën negociuese në Kosovë”, mbështetur nga Bashkimi Evropian. (Shtëpia e Evropës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton vendimin e Qeverisë për aprovimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Kosmonte Foods”, formon grupin e punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Trepçën, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Mbahet simpoziumi shkencor “Muhaxhirët nëpër vite 1877/78 – 2021”. (Instituti Albanologjik, ora 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve të artit pamor për vitin 2020. (Kabineti i Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ora 13:00)

- Fondacioni Jahjaga organizon lansimin e edicionit të tretë të Revistës ZA që prodhohet nga fondacioni me përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Italisë përmes Planit të Tretë Kombëtar të Italisë për Gra, Paqe dhe Siguri. (Libraria Dukagjini në Sheshin “Nënë Tereza”, ora 18:00)