27 Nëntor 2022

Gjilani synon të jetë komuna më ekologjike në Kosovë

Gjilan, 13 maj – Kampanja e pastrimit të ambientit nga të gjitha llojet e mbeturinave “Green & Clean” ka vazhduar sot në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Bresalc, në ngjarjen ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni, nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, drejtoresha e Shëndetësisë, Aurorë Osmani dhe ajo e QKMF-së, dr. Arbenita Hajdari.

Kreu i Komunës, Alban Hyseni, ka thënë se synim i tyre është që Gjilani të jetë njëri prej qyteteve më të pastra, më të gjelbra dhe më ekologjik në Kosovë.

“Sot jemi Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në Bresalc për të shënuar simbolikisht kohën e ditën e pastrimit të të gjitha QMF-ve dhe AMF-ve në Gjilan. Mund të konfirmoj se ka filluar pastrimi i të gjitha qendrave dhe ambulantave në nivel të komunës, si pjesë e kampanjës “Green & Clean”, e cila do të përsëritet edhe në vitet tjera të qeverisjes. Synim yni është që Gjilani të jetë njëri prej qyteteve më të pastra, më të gjelbra dhe më ekologjik në Kosovë”, ka thënë kryetari Hyseni.

Ndërkaq, drejtoresha e Shëndetësisë, Aurorë Osmani, ka bërë të ditur se të gjitha QMF-të dhe AMF-të nëpër fshatra janë duke u pastruar nga mbeturinat, duke shtuar se qëllimi është që të krijohet një kulturë për mbrojtjen e ambientit.

Ndryshe, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, e ka hapur kampanjën e pastrimit në Ditën e Tokës, më 22 prill, e cila do të zgjasë deri më 6 qershor.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 nëntor 2022

- Në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. (Kuvendi i Shqipërisë në Tiranë, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës së Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës organizojnë “Ditën e Hapur’’ në të cilën do të marrin pjesë edhe udhëheqësit më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 12:00)