18 Prill 2024

Gjermanët hyjnë në aleancën e gazsjellësit transadriatik

Berlin, 22 maj - Gjiganti gjerman i energjisë elektrike dhe i gazit E.ON Ruhrgas bleu dje 15 për qind të aksioneve të projektit të Gazsjellësit TransAdriatik, (TAP), i cili deri tani kontrollohej nga zvicerania EGL dhe Statoil nga Norvegjia. Lajmin e bëri të ditur vetë konsorciumi.

Në këtë mënyrë, aleanca për këtë gazsjellës u fuqizua edhe më tej, së bashku me shanset e projektit për t’u realizuar. “Kjo është një lëvizje strategjike dhe një hap i rëndësishëm në realizimin e projektit. E.ON Ruhrgas ka një histori të gjatë në zhvillimin me sukses të projekteve të gazit si dhe zotëron diturinë e mjaftueshme për të fuqizuar TAP”,  deklaroi kompania. Dy kompanitë e tjera do të kenë 42.5 për qind të aksioneve tani e tutje, por TAP bën të ditur se mbetet e hapur për të pranuar investitorë të tjerë të interesuar.

TAP synon të hapë një Korridor Jugor në furnizimin e Europës me gaz, përmes ndërtimit të një gazsjellësi nga Trikalla në Greqi për në Itali, duke kaluar nga Shqipëria dhe deti Adriatik. Ky gazsjellës synon të gjejë një mënyrë për transportimin e gazit të Lindjes së Mesme dhe Detit Kaspik në Europë, duke shmangur territorin rus.

Por problemi qëndron në faktin se kontratat e gazit me vendet prodhuese në zonën e Azisë Qendrore mbartin rreziqe të mëdha politike. Për më tepër, aktualisht në këtë zonë nuk ka gaz të mjaftueshëm për të furnizuar një gazsjellës të ri.

Sipas drejtorit të TAP, Kjetil Tungland, zhvillimi i TAP do të varet nga ecuria e punimeve për zhvillimin dhe shfrytëzimin e fushës gazmbajtëse Shah Deniz në Detin Kaspik. Për këtë arsye, TAP thotë se do të marrë vendimin e saj për ndërtimin ose jo rreth vitit 2012.

Qeveria shqiptare ka dhënë të gjitha lejet e nevojshme për ndërtimin e këtij gazsjellësi. Aleati i ri i projektit, gjermania “Ruhrgas” është një nga kompanitë më të mëdha të fushës. Gjatë vitit të kaluar, ajo ka shpërndarë nëpër Europë 53 miliardë metra kub gaz. TAP synon të ketë një kapacitet vjetor transportimi prej 10 miliardë metra kub në vit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)