01 Dhjetor 2021

Evropa goditet nga çmime rekord të larta të energjisë

Bruksel, 17 tetor - Çmimet e energjisë kanë alarmuar udhëheqësit evropianë dhe trazuan tregjet globale në javët e para të tetorit, duke ngritur shqetësimet për një krizë karburanti gjatë stinës së dimrit që mund të favorizojë Rusinë e pasur me gaz.

Në Evropë, çmimet e gazit natyror janë rritur gati 600% këtë vit nga shqetësimet se nivelet aktuale të ulëta të rezervave do të jenë të pamjaftueshme për dimrin. Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, gazi natyror arriti rishtazi në bursë nivelet më të larta në 12 vite.

Të mërkurën (më 13 tetor) Komisioni Evropian publikoi një paketë masash ndaj rritjes së çmimeve të energjisë, të cilat kanë kufizuar prodhimin industrial dhe i kanë lënë konsumatorët evropianë me fatura më të larta për ngrohjen, ndërkohë që dimri po afron.

Firma gjermane e energjisë E.ON pezulloi përkohësisht kontratat e reja të furnizimit me gaz natyror për banesat, tha kompania të martën (më 12 tetor), ndërsa furnizuesit në të gjithë Evropën po përballen me një rritje të madhe të kërkesës pas skadimit të masave izoluese për shkak të pandemisë.

Gjermania aktualisht nuk ka mungesa në furnizimin me gaz, tha një zëdhënës i ministrisë të mërkurën kur u pyet nëse qeveria do të ndërmarrë veprime për të mbushur depozitat e vendit në përgjigje të rritjes globale të çmimeve.

Depozitat e gazit të vendit aktualisht janë 75% të mbushura dhe vazhdojnë të mbushen, tha zëdhënësi i ministrisë së energjisë, duke shtuar se kapaciteti i depozitimit të gazit gjerman është më i lartë se ai i vendeve të tjera si p.sh. Britania.

Pasiguritë mbi ndikimin që mund të sjellë rritja e çmimeve të energjisë tek inflacioni dhe rritja e normës së interesit, goditën tregjet globale të aksioneve dhe bonot në Evropë.

Me konsumatorët që përballen me një rritje të madhe në faturat e karburantit në dimër, çmimet e energjisë kanë kryesuar axhendën politike të Bashkimit Evropian.

BE-ja, e cila importon 90% të gazit të saj, vëren se Rusia nuk kishte ndjekur shembullin e furnizuesit tjetër të saj kryesor, Norvegjisë, në rritjen e furnizimeve.

Presidenti Vladimir Putin tha të mërkurën se Rusia po shtonte furnizimin me gaz në Evropë dhe ishte e gatshme të stabilizonte tregun.

Por zëvendës drejtori i kompanisë ruse të gazit Gazprom u citua të ketë thënë se po vazhdonte magazinimi i gazit natyror në depozitat nëntokësore në Rusi. Kompania Gazprom gjithashtu tha këtë javë se do t’i jepte përparësi tregut të saj në vend të shitjeve të eksportit, sepse pritet të ketë një dimër të ftohtë dhe me dëborë.

Disa parlamentarë evropianë kanë aluduar se Gazprom nuk ka rritur furnizimin me gaz, në përpjekje për të nxitur miratimin e shpejtë për Nord Stream 2, një tubacion i sapondërtuar që do të dërgojë gazin rus në Gjermani. Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane e kundërshtojnë projektin, duke thënë se ai do ta bëjë BE-në edhe më të ndërvarur nga karburanti rus.

Rusia ka mohuar vazhdimisht të ketë ndonjë axhendë politike.

Ministrat e BE-së debatuan nëse unioni duhet të fillojë blerjen kolektive të gazit, për të përmirësuar kështu pozicionin e tyre negociues dhe për të krijuar rezerva strategjike të furnizimit.

Komisionerja e BE-së për energjitikën Kadri Simson tha se depozitat nëntokësore të gazit ishin më shumë se 75% të mbushura në të gjithë Evropën dhe vendet kanë mjaftueshëm për të mbuluar nevojat e tyre dimërore, por se rritja e çmimeve dëshmoi nevojën për të kaluar me shpejtësi tek burimet e rinovueshme.

Megjithatë, rezervat e gazit në BE janë në nivelin më të ulët prej 10-vitesh. /VOA/

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 dhjetor 2021 - Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe OJQ Të Drejtat e Grave organizojnë diskutimin për manipulimin mendor dhe keqtrajtimin psikologjik si elemente të dhunës në familje. (Hoteli Emerald, ora 9:45)
    
- Bëhet betimi i kryetarit të komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe nënshkruhen deklaratat  solemne për marrjen e detyrës nga anëtarët e Kuvendit të komunës. (Salla e Kuvendit të komunës në Deçan, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Jugut. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ku do të bëjnë betimin anëtarët e Kuvendit dhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 10:00)
    
- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës mban konferencë të jashtëzakonshme për shkak të mos aprovimit të kërkesave për lirim të masave. (Te ish-Rilindja, kompleksi III nr. 42, ora 12:00)
    
- Grupi Parlamentar i AAK-së, në Kuvendin e Kosovës mban tryezën me temën: Ngritja enorme e çmimeve dhe jostabiliteti ekononomik. (Salla N – 506, ora 13:00)
    
- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime (SIT), bën lansimin e platformës: Ofrimi i shërbimeve online dhe fizikisht për kryerësit e veprave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. (Hotel “Prishtina”, Prishtinë, ora 14:00)

- Galeria 17 me mbështetjen nga Swiss Cooperation Office në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës organizojnë ngjarjen Dinner party/ Make me coffee make me a sandwich, në kuadër të ekspozitës së kuruar nga Natalija Vujošević. (Galeria 17 rruga Henrik Bariç, nr.10, ora 18:00)

- Mbahet hapja zyrtare e edicionit të dytë të Festivalit “Art Without Limit International Film Festival”. (Kino Armata, ora 18:00)

- Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës organizojnë hapjen e ekspozitës vjetore të anëtarëve të Asociacionit të artistëve vizual të Kosovës. (Galeria e Artëve të Kosovës, ora 19:00)