09 Dhjetor 2022

Bordi i MCC-së aprovon programin 200 milion dallarë për Kosovën

Washington, 1 korrik - Bordi  Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në përbërje të Antony Blinken, Sekretar amerikan i shtetit njëkohësisht udhëheqës i këtij bordi, Sekretarja, Janet Yllen, përfaqësuese tregtare, Katherine Tai, administratore e USAID-it, Samantha Power, Kryeshefe Ekzekutive, Alice Albright, Senatori Mike Johanns, Kongresisti Ander Crenshaw,  Susan M. McCue anëtare si dhe Geroge M. Marcus, anëtar, në mbledhjen e rregullt të Bordit të MCC-së të mbajtur dje, kanë aprovuar Projektin Kompakt si dhe kanë hapur rrugën për nënshkrimin dhe finalizimin e proceseve të ratifikimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe dekretimin nga Presidentja e Republikës së Kosovës.

Nga ky financim, 200 milion dollarë do vijnë në formë të grantit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes MCC-së, rreth 35 milion dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, kurse 2 milion do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD-së).

Programi do të përfshijë tri projekte:

1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet  170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh),

2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe

3. Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim

Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë. Kapaciteti i sistemit akumulues të energjisë pritet të jetë më i madhi në Evropë për kokë-banori, dhe shënon njërin prej projekteve më inovative në rajon dhe më gjerë.

Rezerva do të përdoret për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe konsumit.

Bateritë po ashtu mund të përdoren për arbitrazh të energjisë, që do të thotë, për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, me qëllim të përdorimit të saj kur është nevoja gjatë orëve me konsum të lartë.

Tutje, bateritë do të mund të lidhen shumë lehtë me burime solare, të erës, dhe burime të ngjashme, gjë që do ta përshpejtoj kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë.

Projekti i dytë përfshinë dy aktivitete: 1. Zhvillimin e Fuqisë Punëtore Energjetike për të Ardhmen, që synon të krijoj një program të studimit që do të zhvilloj aftësitë e individëve që do të punojnë në sektor të energjisë, kështu duke e mbështetur edhe investimin me MCC-në; dhe 2. Fuqi Punëtore Gjithëpërfshirëse në Sektor të Energjisë, që do të synojë përfshirjen më të madhe të grave në sektor përmes disa nën-aktiviteteve siç janë mbështetja e punëdhënësve në sektor për ambient më të përshtatshëm për gra, rritja dhe fuqizimi i rrjetit të grave në energji dhe dhënia e çmimit për vendet më të mira të punës për gra.

Projekti i tretë është financim nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim, apo ACFD, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Specifkisht, projekti synon të rrisë përfshirjen e sektorit privat gjatë implementimit të programit Kompakt në fushat që mbështesin ose plotësojnë objektivat e projektit të rezervave të energjisë dhe atë të zhvillimit të fuqisë punëtore.

Projektet e mundshme të mbështetura përmes këtij mekanizmi përfshijnë gjenerimin e energjisë së ripërtërishme dhe hapjes së mundësive për financim për agjendë të gjelbër.

Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës, dhe shënojnë njërin nga bashkëpunimet më të rëndësishme në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 dhjetor 2022 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, marrin pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Liritë Fetare. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Raportit për Projektligjin Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:30)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, me raport amendamente të Komisionit funksional për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:45)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon konferencë për media, ku do të publikohet raporti me titull “Qeverisja me duar të pastërta”, raport ky mbi deputetët, ministrat dhe kryetarët e komunave, të cilët kanë probleme me ligjin. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Gjykata Kushtetuese organizon “Ditën e Gjykatës së Hapur” në shënim e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. (Gjykata Kushtetuese, ora 10:00)

- Për të shënuar 9 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Mediave, do të mbajnë një konferencë me temën “Fuqizimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për luftimin e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkëbisedon me studentët e Kolegjit AAB për temën mbi dhunën në bazë gjinore. (Kolegji AAB, ora 10:30)

- Rreth 60 punëtor teknik dhe ata te sigurimit fizik qe punojnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare disa shkolla te Prishtinës  do te protestojnë me kërkesën për rritje të pagave. (Para komunës se Prishtinës, ora 11:00)

- Këshilli Rinor Kosovar organizon Kuvendin Zgjedhor të Këshillit të Nxënësve të Kosovës në nivel vendi. (Amfiteatri i Ministrisë së Drejtësisë, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon aktivitet me studentët e Klinikës Ligjore të IKD– së, ku do të bëhet prezantimi i shpalljes së simuluar të një aktgjykimi të një rasti të korrupsionit. (Sheshi Skënderbeu në Prishtinë, ora 13:30)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në një tryezë me gratë në Komunën e Mitrovicës. (Restaurantin "Va Piano", ora 15:00)

- Me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta të artistit, Blerim Peci, Komuna e Mitrovicës, në bashkëpunim me artistë, familjarë e miq të ish të ndjerit organizojnë takimin përkujtimor për të ndarë së bashku kujtime të bukura e të pashlyeshme për të. (Qendra e Kulturës "Rexhep Mitrovica", ora 17:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në shfaqjen e filmit "Zgjoi". (Kino Armata, ora 17:00)