26 Shtator 2021

BE prezanton planin më ambicioz për klimën

Bruksel, 16 korrik - Udhëheqësit e Bashkimit Evropian prezantuan të mërkurën planet më gjithëpërfshirëse deri sot për të luftuar ndryshimin e klimës, me një objektiv të ri që deri në vitin 2030 të ulin sasinë e çliruar të karbonit në 55%, nën nivelet e vitit 1990.

Legjislacioni i njoftuar nga Komisioni Evropian, do ta bëjë synimin e bllokut për të arritur neutralitetin e klimës deri në vitin 2050 ligjërisht të detyrueshëm dhe do ta reformojë plotësisht sistemin e energjisë të bllokut.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha gjatë një konference shtypi se plani do të shërbejë si një udhërrëfyes veprimesh konkrete të nevojshme për të arritur synimet për klimën.

"Paketa jonë synon të kombinojë uljen e sasisë së çlirimit të gazeve të dëmshme me masat për të ruajtur natyrën dhe për të vënë vendet e punës dhe ekuilibrin social në qendër të këtij transformimi," tha zonja von der Leyen.

Propozimi do të përfshinte çdo sektor të ekonomisë së BE-së në Sistemin e Këmbimit për Çlirimin e Gazeve, që nxit kompanitë të ulin emetimet duke taksuar karbonin që ato prodhojnë.

Taksa të reja për sektorët e papërfshirë më parë janë propozuar për aviacionin dhe karburantet e transportit. Plani bën thirrje gjithashtu për rritjen e taksave ekzistuese të karbonit në sektorët e transportit, prodhimit dhe energjisë.

Një nga aspektet më të rëndësishme të paketës është një taksë e re mbi karbonin e prodhuar nga importet e huaja, e cila nga ana tjetër mund të rrisë çmimet për konsumatorët. Kjo taksë kufitare - e njohur zyrtarisht si mekanizmi i rregullimit të karbonit në kufirit - do të siguronte që BE-ja ta reduktojë çlirimin e gazeve në të gjitha vendet anëtare dhe të mbronte kompanitë vendase kundër konkurrencës së çmimeve nga kompanitë e huaja pa të njëjtat kufizime mjedisore.

Në prill, zyrtarët e lartë të mjedisit nga Kina, India, Afrika e Jugut dhe Brazili u shprehën kundër një takse të tillë, duke thënë se do të ishte diskriminuese ndaj vendeve në zhvillim që nuk kanë burime për t'u përqendruar në uljen e emetimeve.

Komisioni gjithashtu po planifikon të heqë dorë plotësisht nga shitja e makinave me motor me djegie deri në vitin 2035, duke e çuar efektivisht në zero sasinë e gazeve të çliruar nga makinat e reja.

Propozime të tjera përfshijnë kalimin e miliona ndërtesave në BE tek furnizimi me energji të ripërtëritshme deri në vitin 2030 përmes rinovimit dhe zbatimit të një takse karboni në transportin rrugor.

"Çlirimi i dioksidit të karbonit duhet të ketë një çmim dhe ne e dimë që çmimi i karbonit funksionon," tha zonja von der Leyen.

Komisioni e vuri theksin tek një tranzicion drejt energjisë së rinovueshme në mënyrë të drejtë dhe të arritshme për të gjithë, veçanërisht për individët me të ardhura të ulëta dhe vendet anëtare, ekonomitë e të cilave varen më shumë nga industritë që shkaktojnë ndotje.

Taksat e mjedisit për individët kanë shkaktuar polemika në të kaluarën, siç për shembull protestat e jelekëve të verdhë kundër rritjes së taksave të karburantit nga qeveria franceze.

Meqenëse çmimet e energjisë pritet të rriten, komisioni propozoi krijimin e një fondi prej $ 85.2 miliardësh që qytetarët e vendeve anëtare mund të kenë qasje për të ndihmuar në zbutjen e kostove të kalimit në alternativa të pastra.

Plani i komisionit vjen gjashtë vjet pasi Marrëveshja Klimatike e Parisit sinjalizoi në vitin 2015 një angazhim botëror për të zbutur ndikimin e ndryshimit të klimës dhe për të frenuar ngritjen e temperaturave globale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 Shtator 2021

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pret me ceremoni shtetërore Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe anëtarë të kabinetit qeveritar të Shqipërisë. (Sheshi "Skënderbeu", ora 8:50 - Mediet të jenë të pranishme më së largu, ora 8:10)

- Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2021-22 kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi do të marrin pjesë në përurimin e rekuizitave të sallës së edukatës fizike në shkollën "Dëshmorët e Kabashit" në Korishë. (Korishë, ora 9:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi do të marrin pjesë në zbulimin e emrit të ri të shkollës "Lekë Dukagjini" në "Gani Saramati". (Objekti i shkollës, ora 9:30)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, mbajnë konferencë për media në ora 10:20 - Mediat e akredituara duhet të jenë më së largu në ora 10:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti mban dëgjim publik lidhur me projektligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi do të marrin pjesë në zbulimin e emrit të ri të shkollës "Abdyl Frashëri" në "Rexhep Hyseni". (Objekti i shkollës, ora 10:15)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi do të marrin pjesë në përurimin e rekuizitave të sallës së edukatës fizike në shkollën "Dëshmorët e Zhurit" në Zhur. (Zhur, ora 11:15)

- Konstituohet Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

- Kuvendi i Sociologjisë në kuadër të Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës organizon promovimin e librit të Gëzim Selacit, "Legjitimiteti politik në Kosovë". (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi do të marrin pjesë në përurimin e rekuizitave ndërtimit të shkollës së re “Zef Lush Marku” në Velezhë. (Velezhë, ora 12:00)

- Drejtoresha e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Prizrenit, Sevil Liman Kazaz do të bëjë prezantimin e raportit të punës 4 vjeçar të kësaj drejtorie. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, ora 14:00)