25 Prill 2024

Zoellick: Ekonomia e re globale kërkon qasje të reja

Washington, 15 prill - Konceptet e vjetra të “Botës së Tretë”nuk vlejnë më në ekonominë e re globale shumëkahëshe dhe kërkohen qasje të reja për të marrë në konsideratë interesat e vendeve në zhvillim, thotë Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Robert B. Zoellick.

Në një fjalim para Takimeve Pranverore të Bankës Botërore, Zoellick tha se kriza ekonomike globale e vitit 2009 dhe ngritja e vendeve në zhvillim në ekonominë globale ishte kumti i vdekjes së konceptit të vjetër të Botës së Tretë si një entitet i ndarë mu sikur që ishte viti 1989 për Botën e Dytë të Komunizmit. Kjo ka implikime të thella për multilateralizmin, veprimet e përbashkëta globale, raportet mes fuqive, zhvillimin dhe institucionet ndërkombëtare siç është Grupi i Bankës Botërore dhe ka nxjerrë në shesh nevojën për t’ju qasur problemeve nga një këndvështrim tjetër.

“Me dekada të tëra, studentët e politikave të sigurisë dhe atyre ndërkombëtare kanë debatuar për paraqitjen e një sistemi shumëkahësh. Është koha që ne të pranojmë paralelen e re ekonomike. Nëse viti 1989 ishte dëshmitar i përfundimit të “Botës së Dytë”me vdekjen e komunizmit, atëherë, viti 2009 pa fundin e asaj që njihej si “Botë e Tretë”: Tash jemi në një ekonomi të re e shumëkahëshe botërore, që zhvillohet me hapa të shpejtë,” tha Zoellick në një fjalim në Qendrën për Studime Ndërkombëtare Woodrow Wilson në Uashington D.C, me ç’rast ua kujtoi audiencës se disa i patën konsideruar veprimet e ish Presidentit amerikan si një mundësi e humbur. “Ne nuk mund t’i lejojmë vetes të trajtojmë gjeo-politikën si të zakonshme.”

“Varfëria vazhdon dhe duhet të adresohet. Vazhdon të ketë gjendje të rënduara dhe ato duhet të adresohen. Sfidat globale po rriten dhe po ashtu duhet adresuar. Por mënyra në të cilën ne duhet t’u qasemi këtyre çështjeve po ndryshon,”tha Zoellick. “Kategorizimet e tejkaluara të Botëve të Para dhe të Treta, donatorëve dhe lutësve, udhëheqësve dhe të udhëhequrve më nuk përshtaten.”

Përderisa varfëria dhe situatat e brishta mbesnin si sfida për t’u tejkaluar, vendet në zhvillim rriteshin për të përfaqësuar një hise përherë e më të madhe të ekonomisë globale dhe duke ofruar një burim të rëndësishëm të kërkesës për rimëkëmbje nga kriza globale ekonomike e kohëve të fundit.

Kjo nuk ndodhi vetëm me Kinën dhe Indinë, por edhe me Azinë Juglindore, Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme. Afrika po ashtu mund të bëhet një ditë një shtyllë e rritës ekonomike. Andaj, Zoellick theksoi se vendet në zhvillim meritojnë pranim më të madh në menaxhimin e sistemit global dhe në zgjidhjet e propozuara për rregullime financiare, ndryshime klimatike dhe menaxhimi i krizave duhet të pasqyrojë interesat e tyre. Ishte e rëndësishme të pranohej se implikimet e ekonomisë së re botërore shumëkahëshe për bashkëpunim multilateral dhe t’u rezistohej forcave gravituese që tërhiqnin mbrapa një botë të kombeve-shteteve në ndjekjen e interesave më të ngushta, tha Zoellick.

“Me pushtet vjen përgjegjësia. Vendet në zhvillim kanë nevojë për pranim që ato janë tash pjesë e arkitekturës globale,” tha Zoellick.

Pas dëmtimeve jashtëzakonisht të mëdha të shkaktuara nga rënia e sistemeve financiare, u bë e qartë se bota kishte nevojë për rregullime më të mira financiare, me kapital më të fuqishëm, likuiditet dhe standarde mbikëqyrëse, tha Zoellick. “Por, ruajuni nga pasojat e paqëllimshme,” ai tërheq vërejtjen. “Ne nuk duhet të kufizojmë kostot duke inkurajuar proteksionizëm financiar, ose të limitojmë në mënyrë të padrejtë shërbimet financiare ndaj të varfërve. Rregulloret e miratuara në Bruksel, Londër, Paris ose Uashington duhet të funksionojnë për bankat e mëdha në botën e zhvilluar. Por çfarë për ato më të vogla, qofshin në vendet e zhvilluara ose vendet në zhvillim?”

Ndryshimet klimatike kanë shkaktuar një sprovë tjetër, ku një qasje e njëjtë e imponuar nga bota e zhvilluar nuk do të funksionojë për vendet në zhvillim, tha Zoellick. “Politikat për ndryshime klimatike mund të lidhen me zhvillimin dhe të fitojnë mbështetje nga vendet në zhvillim për rritje të pakët të emetimit të karbonit – por jo nëse ajo imponohet si një këmishë e forcës,”tha ai.

“Vendet në zhvillim kanë nevojë për mbështetje dhe financime për të investuar në shtigje më të pastra të rritës. 1.6 miliardë njerëzve u mungon rryma. Përderisa ne duhet të kujdesemi për mjedisin, ne nuk mund t’i lëmë fëmijët afrikanë të kryejnë detyrat e shtëpisë në dritë të qiririt ose t’ua mohojmë punëtorëve afrikanë punët prodhuese. Sfida mbetet në mbështetjen e kalimeve në energji më të pastër pa sakrifikuar qasjen, produktivitetin dhe rritën e cila mund të nxjerrë me qindra miliona njerëz nga varfëria”

Një fushë e tretë ku botëkuptimet e vjetra nuk vlenin më dhe kur interesat e vendeve në zhvillim duhej të merreshin në konsideratë ishte reagimi ndaj krizës ekonomike. “Në një botë në tranzicion, ekziston rreziku që vendet e zhvilluara të përqendrohen në arritjen e majave për sistemet financiare, ose të përqendrohen në keqmenaxhimin e vendeve të zhvilluara si Greqia,” tha Zoellick. “Dëgjimi i perspektivës së vendeve në zhvillim nuk është më vetëm çështje e bamirësisë dhe solidaritetit: është në interesin e të gjithëve. Këto vende në zhvillim tash janë burim i rritës dhe importues të të mirave kapitale dhe shërbimeve për vendet e zhvilluara.”

Ndryshimet në ekonominë globale dhe sistemin multilateral kanë implikime të thella për Bankën Botërore, tha Zoellick. Zhvillimi nuk shkonte më në drejtimin veri-jug por jug-jug dhe jug-veri. Banka Botërore duhet të ndjekë politika të reformave konstante duke u ndryshuar për t’u përshtatur me rrethanat që ndryshojnë në mënyrë rapide me qëllim që t’u shërbehet më së miri interesave të të varfërve në botën në zhvillim.

Institucioni shpresonte që në Takimet Pranverore të tij të shpallte një ndryshim që do t’u jepte vendeve në zhvillim të paktën 47% të përqindjes së votave, bashkë me rritjen e parë në më shumë se 20 vjet të kapitalit të tij, i cili do të forconte bilancin që ka siguruar më se $100 milionë në asistencë financiare që nga korriku i vitit 2008. Kur kësaj i shtohet edhe programi më gjithëpërfshirës në historinë e institucionit, i reformës, që sillet nga rritja e qasjes në informacione deri te përmirësimi i politikave të huazimeve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)