23 Prill 2024

Zjarri në Rusi prek rritjen ekonomike

Moskë, 12 gusht - Vala e zjarreve dhe e të nxehtit që ka përfshirë mbarë Rusinë si kurrë ndonjëherë mund të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike të vendit, duke qenë se dëmet e shkaktuara nga kjo situatë janë shumë të mëdha.

Madje, sipas disa analistëve, kjo situatë mund të “fshijë” 14 miliardë dollarë që llogariten të jenë rritja ekonomike e këtij viti.

Ndërkaq situata vazhdon që të jetë shumë e rëndë në zonat problematike të vendit, ndërsa zjarret pa pushim përfshijnë fusha dhe pyje dhe madje sipas parashikimeve, ato nuk do të qetësohen as gjatë kësaj jave.

 Vetë Putin, i njohur për dëshirën për t’u shfaqur në pamje të çuditshme para mediave, këtë herë ka marrë rolin e një piloti shpëtimi, duke drejtuar një avion që është përpjekur të shuajë zjarrin në një zonë në afërsi të Moskës.

Parashikimet e motit bënë të ditur të hënën se kjo valë e paprecedentë të nxehti ka zgjatur për 50 ditë pa ndërprerje në Moskë dhe në shumë zona të Rusisë Qendrore me temperatura që kanë arritur gjatë ditës edhe në 35 gradë Celsius e më shumë.

Kujtojmë me këtë rast se bëhet fjalë për zona në të cilat në verë, temperatura nuk i kalon të 25 gradët Celsius e njerëzit janë të mësuar me një klimë të freskët gjatë stinës së verës. Janë shënuar ndërkaq edhe viktimat e përpjekjeve për shuarjen e zjarrit.

Si pasojë, shifra zyrtare e të vdekurve nga vala e të nxehtit ka arritur shifrën 54. Qindra njerëz besohet se kanë humbur jetën nga efektet e valës së të nxehtit, temperaturave të larta dhe tymit që vazhdon të mbulojë edhe Moskën, përpos shumë zonave në rrethinat e saj.

Kjo, sipas shkencëtarëve dhe ekspertëve, është edhe vala më e madhe e të nxehtit që është hasur për dhjetëra vjet dhe ka shumë mundësi që të ketë prekur me dëmin e shkaktuar 1% të Prodhimit Kombëtar Bruto të vendit, që llogaritet të jetë 14 miliardë dollarë.

Kjo humbje ka të bëjë kryesisht me dëmtimin e të korave, të cilat janë djegur nga zjarri, duke shkaktuar edhe një rritje të çmimit të drithërave në tregun ndërkombëtar që do të reflektohet në mënyrë më konkrete në vjeshtë.

Me zgjedhjet presidenciale, në një distancë prej dy vitesh, Putin dhe Medvedev janë duke u përpjekur se po bëjnë maksimumin për parandalimin e përsëritjes së një vale të re të të nxehtit, pra të dëmeve të shkaktuara prej saj. Këto kohë ata janë përballur me akuza të ashpra nga opozita dhe nga njerëzit për një menaxhim të keq të situatës dhe mungesë të kontrollit të saj.

Qeveria ka përkrahur një propozim të ministrit të Emergjencave për të hedhur 54 miliardë rubla gjatë tre viteve të ardhshëm e për të përmirësuar dhe modernizuar zjarrfikëset, dobësia e të cilave ka shkaktuar ndoshta vonesa në përballimin e situatës.

Kritikët e kanë quajtur një investim të tillë shumë të vogël dhe mbi të gjitha të vonuar, duke qenë se një gjë e tillë duhet të ishte bërë kohë më parë dhe nëse do të kishte ndodhur, situata do të ishte me pasoja më të pakta se sa aktualisht.

Rusia ka një sistem të prapambetur dhe primitiv të emergjencës dhe si pasojë edhe të zjarrfikëseve, që përbën një problem që nuk mund të zgjidhet me një investim të vetëm.

Ndërkaq mjegulla e shkaktuar nga tymi i zjarreve që digjen në afërsi të Moskës vazhdon që të qëndrojë e nderur në kryeqytetin rus që prej javësh dhe zyrtarë të shëndetësisë së kryeqytetit bënë të ditur se një numër shumë i madh njerëzish në Moskë po vdesin si pasojë e tymit dhe komplikacioneve në rrugët e frymëmarrjes që shkaktohen prej tij.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)