19 Prill 2024

Vendet e EJL-së thellojnë bashkëpunimin në çështjet buxhetore

Prishtinë, 11 tetor - Fuqia e Komisionit për Buxhet dhe ndikimi i tij në forcimin e parlamentit dhe të demokracisë së një vendi, bashkëpunimi ndërmjet qeverisë dhe parlamentit në procesin buxhetor, kontrolli ndaj qeverisë, kontributi i parlamenteve në arritjen e qeverisjes së mirë financiare në vendet e rajonit dhe politika buxhetore në BE – nevoja për bashkëpunim ndërmjet parlamenteve, kanë qenë çështjet që janë diskutuar sot në Konferencën e parë të komisioneve parlamentare për Buxhet të vendeve të Evropës Juglindore, me temën “Roli i parlamenteve në procesin buxhetor”, të organizuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës. 

 
Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, Gani Koci, i cili e udhëhoqi këtë konferencë, duke shfaqur shpresën që ky takim të ndikojë në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet parlamenteve dhe vendeve të rajonit, potencoi se Kosova ka nevojë për ndihmën dhe përvojën e vendeve që kanë traditë më të gjatë të demokracisë dhe të funksionimit të shtetit.

Duke folur rreth strukturës, detyrave dhe funksionimit të komisionit që ai udhëheq, Koci tha se taksapaguesit duhet ta dinë se ku shkojnë dhe si shpenzohen paratë e tyre. Ai tha se Kosova ka pasur prioritetet e saj në shpenzimin e buxhetit dhe orientimi kryesor ka qenë në infrastrukturë, si parakusht për nxitjen e zhvillimit ekonomik. Kjo, sipas tij, është bërë dhe po bëhet me ndihmën e institucioneve relevante ndërkombëtare.

“Jemi në krijim e sipër të mekanizmave të kontrollit të buxhetit dhe Gjermania ka traditë në këtë drejtim. Kur ke pak buxhet, duhet të dish ku ta orientosh dhe si ta shpenzosh”, theksoi Koci.

Pasi bëri një elaborim të të gjithë ecurisë së planifikimit, hartimit, shqyrtimit dhe miratimit të buxhetit, në qeveri dhe kuvend, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa potencoi edhe një varg vështirësish me të cilat përballet komisioni gjatë punës së tij. Ai në këtë rast përmendi agjensionet e pavarura, sistemin e pagave, mungesën e bazës së mirëfilltë të të dhënave, kuadrin e pambyllur ligjor rreth çështjeve financiare, etj.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Hans-Dieter Steinbach, pasi potencoi rëndësinë e takimeve të tilla në shkëmbimin e përvojave, theksoi se ligji buxhetor ka një rol të rëndësishëm për të secilin vend, pra edhe për Kosovën. Ai foli për përcaktimin e prioriteteve dhe vlerësoi se Komisioni për Buxhet nuk e ka vetëm rolin e para-dhënësit, por vendos edhe për shpenzimin e buxhetit. Duke e nxitur bashkëpunimin regjional në këtë fushë, ambasadori gjerman uroi që kjo konferencë të mos e jetë e fundit.

Drejtori i Zyrës së GTZ-së në Kosovë, Michael Nebelung, foli për rolin dhe ndihmën që organizata që ai udhëheq i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Komisionit për Buxhet dhe Financave në forcimin e rolit të tij. “Parlamenti është zemra e një demokracie. Për buxhetin duhet të ketë qartë dhe transparencë”, theksoi Nebelung. Ai potencoi domosdonë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit, në të cilin kuadër duhet parë edhe këtë Konferencë.

Një nga panelistet e Konferencës, kryetarja e Komisionit për Buxhet në Bundestagun Gjerman, Petra Merkel, takimin e sotëm e cilëso si diçka të re, përmes të cilës mund të mësohet nga njëri-tjetri. “Ne që merremi me buxhetin kemi diçka të përbashkët jashtë kufijve tanë. Këtu e shoh veten si parlamentare dhe dua të tregoj se si e bëjmë ne buxhetin”, theksoi Merkel, ndërsa porositi të pranishmit që të marrin përvojat e të gjithëve nga pak.

Ajo tha se Gjermania ka traditë të gjatë dhe disa mënyra të menaxhimit të buxhetit janë forcuar. Deputetja gjermane potencoi rëndësinë e kujdesit në forcimin e besimit te votuesit, shpenzimin racional të buxhetit, hapjen e vendeve të reja të punës etj. Ajo foli gjerësisht për strukturën dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit që ajo udhëheq nga Bundestagun gjerman.

“Komisioni për Buxhet është administrues i besuar i ligjit parlamentar për buxhetin. Ai ka funksion të veçantë prestigji, sepse përmban njërën nga të drejtat më të vjetra të parlamentit, krahas të drejtës së peticionit, konsultat i mban në pavarësi të madhe nga seanca plenare dhe vendimet i tij formojnë bazën financiare të të gjitha aktiviteteve shtetërore”, theksoi Merkel.

Duke folur për bashkëpunimin ndërmjet qeverisë dhe parlamentit në procesin buxhetor, përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Shyqyri Hyseni, theksoi se ky bashkëpunim bazohet në ligj, ndërsa ministria i përgjigjet Kuvendit përmes raporteve me shkrim dhe prezencës fizike të zyrtarëve të saj. Ai foli në detaje rreth procedurave të hartimit dhe miratimit të buxhetit.
Anëtarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, nga radhët e opozitës, deputetja Besa Gaxherri, gjatë fjalës së saj rreth rolit të opozitës në kontrollin ndaj qeverisë, theksoi se në vendet në tranzicion kontrolli i menaxhimit të buxhetit paraqet element krucial. Ajo tha se kritikat e opozitës nuk duhet parë si destruktive, por si ndihmesë në një planifikim të mirë të buxhetit.

“Debati për buxhetin është debati më i rëndësishëm për në vend, andaj në të duhet të marrin pjesë të gjithë akterët”, tha Gaxherri. Rreth rolit të konferencës, ajo tha se përvojat e vendeve të tjera duhet të shërbejnë si model i mirë edhe për Kosovën. 


Edhe anëtari tjetër i Komisionit për Buxhet nga radhët e opozitës, Xhevdet Neziraj, thekso se opozita, deri diku ka luajtur rol konstruktiv dhe pozitiv në çështjet e buxhetit.

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Safete Hadërgjonaj, theksoi se ky komision, edhe pse i krijuar së voni, është përpjekur që të bëjë kontroll të menaxhimit të financave publike dhe puna e tij të jetë publike. Ajo foli gjerësisht rreth detyrave që ka ky komision. Rreth organizimit dhe mënyrës së funksionimit, ajo tha se është ofruar ndihmë nga Britania e Madhe.

Duke folur rreth rolit të opozitës, zëvendëskryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, theksoi se ky komision dhe ai për Mbikëqyrjen e Financave Publike, janë të një rëndësie të veçantë. Ai tha se qeveria, politikat e saj synon t’i realizojë përmes buxhetit. Duke folur rreth strukturës buxhetore në Kosovë, Osmani potencoi se ajo ndahet në katër shtylla, ndërsa roli i opozitës paraqitet kryesisht në shtyllën e investimeve kapitale.

Gjatë trajtesës së temës: Si mund të kontribuojnë parlamentet në arritjen e qeverisjes së mirë financiare në vendet e rajonit, kryetari i Komisionit për Ekonomi dhe Financa në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Edmond Spaho, theksoi se kontributi i anëtarëve të këtij komisioni në qeverisje të mirë, jepet në dy mënyra: si ligjvënës dhe si kontrollues.

Ai tha se brenda komisionit zhvillohen debate të gjera dhe në shumë rasti ai i ka plotësuar ligjet që vijnë nga qeveria. Spaho radhiti një varg mënyrash se si tentohet të ndikohet për një qeverisje të mirë, si: monitorimi i zbatimit të legjislacionit ekonomik, ftesa për ministrat në seanca dëgjimore, kontrolli parlamentar nëpër ministri dhe institucione të tjera, ngritja e komisioneve hetimore parlamentare etj. “Kontrolli i qeverisë bëhet edhe përmes miratimit të raportit për treguesit faktik të buxhetit”, potencoi ai. 

Anëtari i Komisionit për Buxhet më Parlamentit Evropian, Göran Färm, duke folur rreth politikës buxhetore në Bashkimin Evropian dhe nevojës për bashkëpunim ndërmjet parlamenteve, theksoi se duhet të ketë një pajtim ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Ministrave në mënyrë që të ketë një buxhet përfundimtar. Ai theksoi se nuk është e lejuar që të ketë deficit në buxhetin e Bashkimit Evropian, ndërsa suficiti iu kthehet shteteve anëtare. Ai radhiti fushat kryesore në të cilat shpenzohet ky buxhet dhe potencoi rritjen e shpenzimeve në disa syresh.

Duke folur rreth rolit të opozitës në parlamentin e një vendi rreth çështjeve buxhetore, ai tha se për disa gjëra që lidhen me perspektivën afatgjate, duhet të ketë një zë të përbashkët dhe të kalohen kufijtë e pozitës dhe opozitës. “Buxhetet nuk janë numra. Ato janë politika. Kur t’i caktoni prioritetet, duhet ta keni parasysh se jeni përfaqësues të qytetarëve”, theksoi Färm.

Duke bërë një rezyme të diskutimeve në ditën e parë të Konferencës, Naser Osmani, potencoi se rezultati i tyre ishte gatishmëria për të thelluar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave në çështjet buxhetore, roli i Komisionit për Buxhet dhe Financave është i rëndësishëm në menaxhimin e borxhit publik, ndërsa roli i opozitës ka një rëndësi të veçantë në ngritjen e transparencës dhe të kontrollit të shpenzimeve të mjeteve publike.

“Është një konstatim që duhet ë ketë një koordinim të shteteve nacionale me BE-në, sa i përket përmbajtjes së marrëveshjeve dhe traktateve të miratuara që kanë të bëjnë me kontrollin e deficitit dhe suficitit, investimeve strategjike, borxheve shtetërore dhe përmbajtjes së rregullave financiare”, theksoi Osmani.

Në paraqitjen për media, panelistet Göran Färm, Petra Merkel, Gani Koci, Edmond Spaho dhe Besa Gaxherri, folën për rëndësinë e Konferencës dhe nevojës për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve të rajonit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, anëtari i Komisionit për Buxhet i Parlamentit Evropian, Färm, tha se Kosova është një shtet i ri dhe kjo paraqet sfidë për të. “Për herë të parë isha në Kosovë në vitin 2000, dhe mund të them që prej atëherë shumëçka është përmirësuar. Shpresoj që për disa vite në vijim, do të jem në pozitë t’ju përuroj si një shtet i ri, anëtar i Bashkimit Evropian”, theksoi Göran Färm.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)