25 Prill 2024

UNDP mbështet reformën e administratës publike të Kosovës

New York, 27 tetor - Në vazhdim të vizitës në New York, Ministrja e Administratës Publike zhvilloi takime me drejtues të lartë të UNDP-së me të cilët bisedoi për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe UNDP-së,  në  veçanti në fushën e administratës publike dhe të angazhimeve për zbatimin e Rezolutës 1325.

Në takimin me znj. Geraldine Fraser- Moleketi, Drejtoreshë e Programit për Praktikat e Qeverisjes Demokratike, temë qendrore e bisedës ishte shtetndërtimi dhe proceset e demokratike në Kosovë.

Ministrja Tahiri fillimisht falënderoi UNDP për mbështetjen e dhënë për zhvillimin e Kosovës dhe pastaj foli për filozofinë reformatore të Qeverisë së Kosovës dhe angazhimet për të ndërtuar një shtet demokratik në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit.

Ajo theksoi prioritet kryesore për fuqizimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik, reformën e administratës publike dhe perspektivën euro-atlantike të vendit, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit me faktorin ndërkombëtar për t’i bërë realitet këto objektiva.  

Më pas, ministrja Tahiri elaboroi procesin e reformave në administratës publike dhe vizionin e Ministrisë së Administratës Publike për krijimin e një administratë publike të qëndrueshme, të aftë për t’i dhënë shërbime të mira qytetarëve dhe bizneseve.

Ajo vuri në pah dy dimensionet e reformës -reformën në shërbimin civil dhe në qeverisjen elektronike dhe përparimet e arritura në këto drejtime.  Në kontekst të integrimit të praktikave të mira administrative, zonja Tahiri iu referua angazhimeve të UNDP-së për praktika të qeverisjes demokratike me ç’rast theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit me UNDP-në.

Nga ana e saj, Moleketi shprehu admirim për vizionet reformatore të shtetndërtimit të Kosovës dhe besimin se udhëheqja e Kosovës do të jetë në gjendje t’i realizoj këto qëllime, duke qenë se në të kaluarën kishte përballuar sfida edhe më të mëdha.

Po ashtu, ajo konfirmoi gatishmërinë e UNDP-së për të vazhduar përkrahjen e reformave në administratën publike të Kosovës,  si një komponent vitale e qeverisjes demokratike. Moleketi ia dorëzoi Ministres Tahiri publikimin e fundit të UNDP-së mbi praktikat e qeverisjes demokratike.

Më pastaj,  ministrja Tahiri u prit në Zyrën për Parandalimin e Krizave dhe Rimëkëmbjen të UNDP-së me ç’rast u takua me drejtorin, z. Jordan Ryan. Në takim u bisedua për programet dhe angazhimet e UNDP-së për mbështetje të vendeve të paskonfliktit dhe në veçanti për programet për fuqizimin e grave në politikë dhe lidership.

Ryan theksoi se Kosova është në fokus të angazhimeve të UNDP-së  dhe bashkëpunimi do të zgjerohet në drejtime të reja të interesit të përbashkët. 

Duke u ndal në motivin këtij takimi, në kontekstin e shënimit të dhjetëvjetorit të Rezolutës 1325, ai vlerësoi lartë kontributin e grave të Kosovës për paqe dhe shtetndërtim duke shprehur optimizmin se në periudhat e ardhshme fuqizimi i grave do të marrë mbështetje edhe më të madhe në gjithë globin.

Në mënyrë të veçantë cilësoi rëndësinë e bashkëpunimeve rajonale dhe në këtë kuadër çmoi lartë punën e Lobit Rajonal të Grave të drejtuar nga ministrja Tahiri. 

Në këtë takim, ministrja Tahiri foli për rëndësinë e reformave të administratës publike, si një nga dimensionet esenciale të demokratizimit të vendit dhe kërkoi mbështetjen e UNDP-së në këtë rrugëtim. Ajo po ashtu u angazhua për perspektivat e fuqizimit të grave në kontekstin e demokratizimit dhe mundësive të barabarta.

Në takimin me Haoliang Xu, zëvndësdrejtor, Zyra rajonale e UNDP-së për Evropen Lindore u diskutuan programet aktuale të UNDP-së në Kosovë dhe rezultatet në përmirësimin e qeverisjes dhe jetës së qytetarëve.

Ministrja Tahiri vlerësoi lartë ndihmën e UNDP-së për zhvillimin e Kosovës dhe posaçërisht të zyrës së UNDP-së në Kosovë. Ajo theksoi rëndësinë e përkrahjes së zyrës së UNDP-së në Kosovë, me theks në programet e reformimit dhe modernizimit të administratës publike dhe të fuqizimit të grave.  
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)