26 Prill 2024

Thaçi nënshkruan rritjen e pensioneve të minatorëve

Prishtinë, 29 nëntor - Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me sindikalistët e kombinatit "Trepça", e cila parasheh rritje të pensioneve për 20 euro nga 1 janari i vitit që vjen.

Kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi dhe së bashku me Sindikatën e Kombinatit "Trepça" dhe minatorët, në zyrat e PDK-së të hënën nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, i cili parasheh ngritje për 20 euro të pensioneve të rreth 3700 minatorëve të këtij kombinati.

Sipas kryeministrit në dorëheqje, institucionet e Kosovës i kanë borxh minatorëve që të kujdesen për një jetë më të mirë dhe krijimin e vendeve të reja të punës për fëmijët e të gjithë, siç i quajti ai "luanëve të nëntokës".

"Ky memorandum mirëkuptimi përfshinë ngritjen e pensioneve të parakohshme dhe stipendiumeve të punëtorëve të Trepçës, në lartësi mujore prej 20 eurove. Pas arritjes së theksuar, pensionet e parakohshme do të vijojnë. Pensionistët që deri tani kanë marr nga 80 euro nga janari 2011 do të gëzojnë pensionet nga 100 euro, pensionistët prej 50 euro, nga janari 2011 pensioni i tyre do të jetë 70 euro. Do të bëhet rritja e stipendive nga 30 në 50 euro dhe implementimi i kësaj marrëveshje do të bëhet nga autoritetet shtetërore të Republikës së Kosovës", ka thënë Thaçi.

Ai theksoi se në mandatin e kaluar ka investuar në investime kapitale, që kanë sjellë një rekord të zhvillimit ekonomik me mbi 5 % rritje, dhe tani do të përkushtohen në integrimin e Kosovës dhe për Kosovën evropiane, në ngritjen e mirëqenien sociale për të gjitha kategoritë, duke theksuar se këto janë zotime politike dhe shtetërore.

Kurse, kryetari i Sindikatës së Kombinatit "Trepça", Ramadan Ademi falënderoi Thaçin për kujdesen që ka pas ndaj minatorëve dhe kompanisë "Trepça".