27 Prill 2024

Shtrenjtimi i çmimit të bukës, rritë varfërinë në Kosovë

Prishtinë, 15 gusht - Pas shtrenjtimit të çmimit të bukës ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se varfëria në Kosovë vetëm sa është duke u rritur.

Ndërsa sipas Entit të Statistikave të Kosovës, (ESK), indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë është më i lartë për 0,3 për qind në muajin korrik 2010.

Problemi kryesor që Kosova ka një numër kaq të madh të të papunëve, sipas ekspertëve, vlerësohet edhe ekonomia jo e zhvilluar që nuk mundet t’i pranojë afër 30 mijë të ri gjatë vitit që janë të gatshëm për punë.

Ligjëruesi i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skenderi thotë se varfëria ekstreme është duke shënuar rritje.

“Hulumtimet e Bankës Botërore dhe disa organizatave tjera, tregojnë të dhëna shqetësuese, se varfëria në Kosovë është duke u rritur”.

Skenderi shfaq shqetësimin se edhe ato të ardhura që i sigurojnë qytetarët përmes krijimit të të ardhurave vetanake janë duke u zvogëluar.

“Edhe ata të cilët punojnë dhe sigurojnë minimumin e ekzistencës së tyre përmes krijimit të të ardhurave vetanake, qofshin ato nga pasuritë, pronat apo punët që ata kryejnë, dita-ditës po rrezikohen, sepse të ardhurat për kokë banori dhe shporta e tyre konsumatore janë në shpërpjesëtim me njëra-tjetrën, që do të thotë se standardi i tyre social po vjen duke u përkeqësuar”, vlerëson Skenderi.

Sipas Skenderit, duhet ndryshuar politikat sociale në Kosovë në aspektin pozitiv, që sipas tij duhen qasje tjera përmes segmenteve tjerë ekonomiko-socialë.

“Në këtë mendoj se duhet bërë ndryshime radikale arsimore drejt hapjes së shkollave profesionale që gjenerojnë më shumë dhe më shpejt vende të reja pune sipas kërkesave të ekonomisë”.

Ai thotë se edhe bujqësia, blegtoria, turizmi duhet të subvencionohen sepse gjenerojnë  vende të reja të punës.

Sipas Skenderit, shtrenjtimi i çmimit të bukës prek xhepin e konsumatorit dhe sidomos te rastet sociale që kanë vështirësi të përballen me shpenzimet.

“Sidomos rastet social, rastet e të punësuarve me paga fikse që kanë vështirësi të përballen me shpenzimet e tërësishme mujore”, tha ai.

Edhe sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se duhet të bëhet përpjekje që të kemi rezerva shtetërore.

“Nëse kjo krizë e çmimeve, sidomos në artikuj bazë sikur buka, vazhdon, atëherë të ketë mundësi të ofertohet tregu sepse çmimet ngritën për shkak të mungesës së ofertës”, tha ai.

Sipas Rukiqit këto lëvizje të çmimeve nuk mund ta dëmtojnë ekonominë e vendit, por duhet të pasur kujdes.

“Këto janë lëvizje afatshkurtra të cilat nuk mund ta dëmtojnë ekonominë, por prapë se prapë duhet  të bëjmë përpjekje që të mos kemi kësi lëvizje të shpeshta të çmimeve sidomos të mallrave bazë”, tha ai.

Sipas Bankës Botërore dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, (MPMS), 15 për qind e popullatës së Kosovës jetojnë në varfëri me nga 0.45 cent, ndërsa edhe 18 për qind e popullatës rrezikohet nga varfëria.

Ndërsa sipas hulumtimeve numri i të papunëve shkon më shumë se 50 për qind. Sipas të dhënave të MPMS-së në Kosovë 34 mijë e 307 familje, me 149 mijë e 277 anëtarë marrin ndihmë sociale prej 60 deri në 80 euro.

Përndryshe Kosova sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtarë dhe Bankës Botërore radhitet njëri ndër vendet më të varfra në Evropë.

.  
Elhami Ismajli



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)