29 Mars 2024

Shqipëria ka borxhin më të lartë në rajon

Tiranë, 22 tetor - Nisma e qeverisë shqiptare për uljen e borxhit publik deri në 54 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në fund të kësaj legjislature ka hasur në kundërshtimet e para nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Borxhi publik i vendit rrezikon të kalojë mbi 60 për qind të PBB-së deri në fund të këtij viti. Një studim i hollësishëm për të gjithë vendet e Europës i Fondit Monetar Ndërkombëtar parashikon rritje të mëtejshme të borxhit të Shqipërisë në dy vitet e ardhshme edhe pse qeveria në programin e saj parashikon reduktimin e tij.

Studimi është i ndarë në dy pjesë, në të parën përfshihen ekonomitë e zhvilluara të Europës ndërsa në pjesën e dytë gjejnë vend ekonomitë në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Sipas FMN-së, deri në fund të këtij viti, borxhi publik i Shqipërisë parashikohet të arrijë deri në 60.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por edhe më i pafavorshëm është parashikimi për vitin 2011, ku pritet një rritje e mëtejshme e borxhit publik për të arritur në 61.9 për qind të PBB-së.

Referuar të dhënave që ofron Fondi Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria paraqitet shteti që ka borxhin më të lartë publik krahasuar me vendet e rajonit. Madje, treguesit tanë janë shumë më lartë se mesatarja e borxhit për vendet e europës jug-lindore.

Borxhi publik i Shqipërisë gjatë vitit 2009 arriti në 59.5 për qind të PBB-së, ndërsa mesatarja e vendeve të rajonit ishte 36.9 për qind. Gjatë kësaj periudhe, vende si Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia dhe Serbia kanë pasur një borxh publik më të ulët se 38 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sipas tabelës së paraqitur nga FMN, një tablo e ngjashme pritet të paraqitet edhe për sa i përket këtyre treguesve për vitin 2010.

Pjesë e raportit janë edhe pritshmëritë për rritjen e ekonomike për vitet 2010 dhe 2011. Në fund të këtij viti, Shqipëria pritet të ketë një rritje deri në 3.4 për qind, por kjo shifër pritet të ulet sërish përgjatë 2011-së, ku rritja ekonomike parashikohet të ulet në 2.9 për qind.

Në kuadër të uljes së borxhit publik, qeveria uli në 38 miliardë lekë deficitin buxhetor për vitin 2010 duke u treguar më e kursyer në shpenzime.

Kjo ishte një ndër masat për të arritur në shifrën e 54 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në fund të vitit 2013.

Për sa i përket ndikimeve të krizës si dhe ringjalljes së ekonomive, FMN thekson se vendet e rajonit përfshirë edhe Shqipërinë gjenden në një periudhe post-tranzicioni.

Parashikohet një rigjenerim i vazhdueshëm i ekonomive dhe një rritje ekonomike mesatare prej 3.9 për qind. "Shërimi është udhëhequr nga eksporti, ndërkohë që kërkesa e brendshme mbetet e ulët", - citon FMN.

Pavarësisht parashikimeve pozitive, për përmirësimin e ritmeve të rritjes fondi jep një serë këshillash ku përfshihet marrja në kontroll e deficitit buxhetor nëpërmjet rritjes së të ardhurave dhe konsolidimit në tërësi të politikave fiskale.

Sipas fondit, rajoni do të ketë nevojë për gjetjen e motorëve të rinj në një afat të shkurtër që do të mundësojnë rritjen e ekonomike, siç janë flukset e kapitalit apo rritja e kërkesës së brendshme. E. Senja

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)