18 Prill 2024

Shqipëri, Emigrantët dërgojnë vetëm 1/6 e kursimeve

Tiranë, 3 gusht - Emigrantët shqiptarë i kanë kursimet vjetore gjashtë herë më të larta sesa shuma e parave që dërgojnë në atdhe, por pavarësisht kësaj, remitancat në vitet e fundit po vijnë në rënie.

Të dhënat e qendrës së studimeve ekonomike dhe sociale tregojnë se 49 për qind e emigrantëve shqiptarë duan të kthehen në vendin e tyre për të investuar në hapjen e bizneseve.

Emigrantët gjatë 2009-s kanë kursyer 3.5 miliardë euro, por investimi i këtyre parave në Shqipëri kërkon strategji dhe mbështetje nga qeveria shqiptare. “Niveli i kursimeve është dukshëm më i lartë sesa është niveli i remitancave.

Emigrantët shqiptarë kursejnë në vendet e emigrimit gjashtë herë më tepër sesa dërgojnë në vendlindjen e tyre. Këto kursime mund të përdoren kryesisht për investime dhe i gjithë problemi është se si mund të joshen kursimet e emigrantëve për t’u përdorur për investime në vendlindje”, është shprehur Ilir Gedeshi, drejtor i qendrës së studimeve ekonomike sociale.

Vetëm në Itali, 20 mijë biznese menaxhohen suksesshëm nga shqiptarët, të cilët nuk kanë prona në vendin ku punojnë, por në Shqipëri, çka tregon se lidhja me vendin e origjinës është e fortë.

E megjithatë, specialistët mendojnë se Shqipëria me liberalizimin e vizave mund të përballet me një fluks të ri eksodi, ku shqiptarët do të kërkojnë mundësi të reja punësimi, siç ndodhi para pak vitesh në Rumani. “Familjet shqiptare janë të prira të bëjnë bashkim familjar në vendet ku jetojnë, pasi kanë një lidhje të fortë me njerëzit e tyre.

Kjo na bën që të parashikojmë që remitancat të ulen në vazhdimësi, por kursimet e tyre do të rriten. Një e katërta e shqiptarëve kanë mendim për të investuar në Shqipëri, por e rëndësishme është koordinimi i qeverisë me ta”, thekson Nicoolaas Zwager, nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkim.

Sipas specialistëve, mendohet se remitancat në vitet e ardhshme do të jenë gjithnjë në ulje, pasi pjesa më e madhe e emigrantëve janë bashkuar me familjet e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)