28 Mars 2024

Sheshet e parregulluara të Prishtinës

Prishtinë, 14 qershor - Komuna e Prishtinës, në planifikimet e saj ka të emëruar shumë sheshe. Që të gjithë mbajnë emra nga më të ndryshimit, duke u nisur nga heronjtë dhe humanistët.

Sheshet aktuale të Prishtinës janë: "Nëna Terezë", "Zahir Pajaziti", "Ibrahim Rugova", "Skënderbeu", "Adem Jashari" dhe "Bill Klinton". Secili nga këto sheshe, ka nga një copë vend, por asnjëri prej tyre nuk është i rregulluar tërësisht, përveç emërtimeve që janë bërë vite më herët. Disa prej tyre madje ekzistojnë vetëm në letër.

INPO ka përcjell me vëmendje zhvillimet në komunën e Prishtinës dhe është në dijeni se problemi me mos rregullimin e asnjë sheshi është problem i hershëm, ka munguar vullneti dhe mjetet për të rregulluar të paktën një shesh ashtu siç e meriton Kryeqyteti.

INPO i bënë thirrje kryetarit të Prishtinës Isa Mustafa që të mbajë premtimin dhe të shpallë konkurs ndërkombëtar për projektimin e shesheve të kryeqytetit.

INPO kërkon nga Mustafa që në konkurset e ardhshme të bashkëpunojë më shumë me arkitektë vendës dhe t’i përfshijë ata në këtë proces, ashtu siç ka kërkuar mendimin e arkitektëve për vizionin për Prishtinën, vitin e kaluar, pak ditë para fushatës zgjedhore.

INPO i kërkon udhëheqjes së komunës së Prishtinës që të jetë më transparente dhe të sqarojnë më herët se kush bënë pjesë në komisionin që do të përzgjedh kompaninë projektuese që dizajnon sheshet e Prishtinës.

Cilat janë sheshet e Prishtinës?

Sheshi "Nëna Terezë" – I emërtuar pas luftës, ky vend që është shndërruar në "shesh" nuk ka arritur të rregullohet siç duhet prej vitit 2007, kur është filluar rregullimi i tij, nga kryetari i atëhershëm z.Ismet Beqiri. Puna nisi pa plan dhe punimet mbetën të papërfunduara tash e tri vjet. Pllakat prej graniti që u vendosën, nuk i përballuan të ftohtit të vitit 2008. Këto pllaka u thyen pasi komuna dhe kompania nuk arritën të merreshin vesh sesi të bëhej shtrimi i tyre.

Sheshi "Zahir Pajaziti" – Lidhet me sheshin "Nëna Terezë", dhe përfshinë një sipërfaqe ndërmjet një kompleksi banesash dhe hotelit "Grand". I emërtuar pas luftës, përpos shtatores së heroit Zahir Pajaziti dhe disa luleve, komuna ende nuk ka ndonjë plan për rregullimin e tij. Është folur shumë se do të rregullohet në këtë, apo në atë mënyrë, por deri tash nuk është prezantuar asnjë projekt që tregon të ardhmen e këtij sheshi.

Sheshi i Pavarësisë "Ibrahim Rugova" – Ka marrë këtë emër pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova. Përfshinë një hapësirë prej disa ari truall dhe ka një ndërlidhje me sheshin "Nëna Terezë". Prej heqjes së objekteve të përkohshme tregtare që gjendeshin në këtë vend dhe shpalljes së konkursit për të pestën herë nuk është zgjedhur ndonjë projekt që do të rregullohej në këtë hapësirë të gjelbëruar. Komuna nuk ka arritur që t'i joshë arkitektët për të projektuar këtë shesh.

Sheshi i Lirisë "Adem Jashari" – Është emërtuar në të njëjtën pako me sheshin e sipërshënuar (Ibrahim Rugova), por edhe për këtë shesh nuk është bërë ndonjë plan që Prishtina do ta “kishte për zemër” që t'ua prezantoj qytetarëve të saj. Shtrihet në hapësirën ndërmjet dy kuvendeve, atij të Kosovës dhe komunës së Prishtinës. Komuna nuk ka treguar ndonjë vullnet të veçantë për të gjetur një zgjidhje arkitektonike për këtë shesh.

Sheshi "Skënderbeu" – Përfshin hapësirën më të vogël që mund të përmbajë një shesh. Përpos shtatores së Skënderbeut, ai vend rrallëherë është mirëmbajtur nga komuna. Madje, projekti tash e 10 vjet ka mbetur i papërfunduar. Në këtë shesh nuk funksionon ndriçimi, e as fontanat që janë planifikuar të ndërtohen rreth tij. Ky shesh gjendet ndërmjet sheshit “Ibrahim Rugova” dhe “Nëna  Terezë”.

Bulevardi/Sheshi "Bill Klinton" – Ky shesh/bulevard përshinë rrugën me të njëjtin emër. Vitin e kaluar në këtë hapësirë është vendosur shtatorja e Bill Klintonit. Komuna ka filluar zgjerimin e kësaj rruge. Por, nuk ka ndonjë projekt sesi do të duket ky bulevard, se sa vend do të ndahet për gjelbërim, apo do të mbulohet tërë hapësira me asfalt.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)