24 Prill 2024

SHBA përjashton rrezikun e shpërbërjes së zonës euro

Uashington, 17 maj - Sekretari amerikan për Thesarin, Timothy Geithner përjashton rrezikun e shpërbërjes së zonës euro, që një këshilltar i presidentit Barack Obama e ka vlerësuar si të mundshëm.

Geithner, i pyetur në Bloomberg TV lidhur me deklarata të bëra në Londër nga këshilltari ekonomik Paul Volcker, në të cilat përmendej "një shpërbërje e mundshme e euros", shprehu besimin në kapacitetin e vendeve të bashkimit monetar për zgjidhjen e problemeve të tyre ekonomike.
    
"Mendoj se Evropa ka kapacitetin të dalë nga kriza. Mendoj se ata janë angazhuar për zgjidhjen e këtij problemi, se ata mund ta bëjnë këtë dhe se do ta bëjnë", deklaroi ai gjatë një emisioni të transmetuar që më parë nga televizioni në faqen e tij të internetit.
    
"Ata do të veprojnë dhe në këtë mënyrë do të kenë mundësinë të përmirësojnë me kohë besimin e njerëzve", shtoi ai duke iu referuar mosbesimit të tregjeve kundër borxhit publik të disa vendeve evropiane.
    
Geithner iu përgjigj gazetarit i cili e pyeti nëse nuk pajtohej me Volcker në këtë pikë: "Ne, Paul Volcker dhe unë, jemi dakord pothuaj për gjithçka".
    
Ministri kritikoi një propozim të senatorëve republikanë të cilët kërkojnë që Shtetet e Bashkuara të kundërshtojnë çdo ndihmë të Fondit Monetar Ndërkombëtar për një vend që rrezikon të mos jetë në gjendje ta shlyejë atë.
    
"Shtetet e Bashkuara nuk kanë refuzuar asnjëherë asnjë cantimë të dhënë nga FMN", theksoi ai.
    
"Jemi shumë më të fortë si vend falë asaj që FMN-ja ka bërë në të kaluarën dhe, edhe një herë, ne kemi një interes të madh ta ndihmojmë Evropën të dalë nga kjo situatë dhe do ta bëjmë këtë në një mënyrë të arsyeshme për ekonominë amerikane dhe taksapaguesit amerikanë", shpjegoi  Geithner.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)