28 Mars 2024

Sarkozi: “Euro nuk ka vlerë, nëse Greqia dështon”

Paris, 8 mars - Franca është një nga vendet më të fuqishme ekonomikisht në Europë dhe një fjalë e saj ka vlerë të madhe, veçanërisht kur vjen nga Presidenti i vendit  Nicolas Sarkozi.

 

Ai nuk është prononcuar shpesh në lidhje me krizën greke, duke ia lënë Gjermanisë rolin kryesor, por një ditë më parë, Sarkozi ka bërë një deklaratë interesante për krizën në Greqi dhe pasojën që ajo mund të ketë për monedhën europiane.

“Franca do ta mbështesë Greqinë dhe përpjekjet e saj për të reduktuar shifrën e lartë të deficitit buxhetor dhe nuk ka ndërmend që të shohë një vend se si “merr anën”. Nëse krijuam euron, monedhën e përbashkët, nuk mund ta lëmë një vend që të shkojë në falimentim, për më tepër një vend që është në Eurozonë. Përndryshe nuk do të kishte kuptim edhe vetë krijimi i euros”, ka deklaruar Sarkozi në një takim të bërë dje. “Ne duhet ta mbështesim Greqinë, sepse ata po bëjnë përpjekjen e tyre, ose përndryshe nuk do të ketë më euro”, ka shtuar shefi i Elizesë.

Kryeministri grek, Papandreu, po bën një turne ndërkombëtar në disa vende të Europës, për të përfunduar në Shtetet e Bashkuara në mënyrë që të mbledhë mbështetje për situatën në të cilën ndodhen financat në vendin e tij. Të premten është takuar me kancelaren Merkel në Gjermani, ku ka marrë në përgjithësi mbështetje, por jo siguri për ndihmë të mundshme financiare.

Për sa i takon zyrtarëve francezë, edhe ata bënë të ditur se Greqia nuk ka nevojë për një ndihmë financiare në këto momente, por Presidenti Sarkozi e bëri të qartë që Parisi do ta ndihmonte Greqinë, nëse ajo nuk do të arrinte që të dilte e vetme nga kriza. “Euro nuk do të kishte kuptim nëse nuk do të kishte solidaritet mes nesh”, ka vazhduar Sarkozi.

Megjithatë ai ka shprehur një mendim që nuk është i artikuluar në ndonjë politikë apo hap konkret për t’u ndërmarrë e aq më tepër në ndonjë shifër. Deri më tani, të gjitha vendet e tjera të Eurozonës po presin se në ç’mënyrë do t’ia dalë Athina e vetme uljes së deficitit buxhetor.

 

Asnjë nga vendet e zonës nuk ka premtuar për ndonjë ndihmë në para, ndërkohë që Gjermania është shprehur tërësisht kundër një hapi të tillë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)