16 Maj 2022

Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK-ut

Prishtinë, 2 prill - Pas emërimit të Besim Beqajt në krye të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Odën Ekonomike të Kosovës do ta udhëheqë Safet Gërxhaliu, nënkryetar i deritashëm i këtij asociacioni. Ai do të jetë ushtrues detyre derisa të merret një vendim përfundimtar nga strukturat e këtij asociacioni.

Nënkryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, do ta zëvendësojë kryetarin e deritashëm Besim Beqajn, derisa të merret vendim përfundimtar nga këshilli drejtues dhe kuvendi i Odës. Kështu njoftoi sekretari i përgjithshëm i OEK-ut, Berat Rukiqi, duke sqaruar edhe hapat e mëtejshëm.

"Ne do të konsultohemi me anëtarët e Këshillit Drejtues dhe me anëtarët e Kuvendit dhe do ta hartojmë një plan për ta shikuar mundësinë që kjo të rregullohet në kuadër të ndryshimeve të reja që kanë ndodhur këtu. Besoj që z.Gërxhaliu me mjaft kompetencë do t'i udhëheq detyrat që ka si kryetar i OEK-ut", thotë Rukiqi.

Ai thekson se shumë shpejt do ta organizojnë mbledhjen e këshillit të përgjithshëm, ndërkaq për mbledhjen e kuvendit nevojiten përgatitje shtesë. Por kjo nuk do të ndikojë në punën e OEK-ut, pasi është krijuar një ekip që ka udhëhequr të gjitha proceset në këtë asociacion , shprehet Rukiqi.

"Oda ka pasur një ngritje të vazhdueshme vitet e fundit nën udhëheqjen e këtij ekipi do ta vazhdojmë punën dhe besoj që nuk do të ketë ngecje në aktivitetet tona", shprehet Rukiqi.

Gërxhaliu ka qenë drejtor për bashkëpunim ekonomik ndërkombëtar, e më pas nënkryetar në këtë asociacion që ka rreth 15 mijë anëtarë. Ndërkohë, qeveria duhet të gjejë zëvendësim edhe për kryetar të Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale, të cilin post e udhëhiqte Beqaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 maj 2022

- Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung, hapin nesër në Pejë edicionin e 8-të të Shkollës Diplomatike Verore. (Hotel Dukagjini në Pejë, ora 9:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, viziton familjen e veprimtarit Ukshin Hoti. (Krushë e Vogël, ora 9:50)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës, e cila do të udhëhiqet nga Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00‪)

- Konstituohet  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- ECIKS organizon ngjarjen përmbyllëse të programit Access - “Qasja në Treg dhe Shërbimet e Digjitalizimit për Bizneset Kosovare”, program ky i cili përgjatë katër viteve pati për qëllim të lehtësojë zhvillimin dhe transformimin digjital në sektorin privat dhe publik në Kosovë. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Në kuadër të Ditëve të Gjuhës Gjermane në Kosovë, Goethe Zentrum hap dyert për të gjithë të interesuarit për tu njoftuar me ofertart e tyre. (Goethe Zentrum në Prishtinë, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me ekspertin e angazhuar nga UN Women lidhur me përfundimin e draftligjit për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- OJQ Aktiv ka kënaqësinë t'ju ftojë në promovimin e ueb faqes “Miqësia Serbo-Shqiptare”. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitrovicë, Mbreti Petri I, 183a, ora 11:00)

- Me rastin e 23-vjetorit të zhdukjes së profesorit, politologut dhe luftëtarit të paepur të çështjes kombëtare Mr. Ukshin Hoti, do të bëhet një vizitë në Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit. (Fshati Krushë e Madhe, ora 11:00)

 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes zyrtare e edicionit te dytë të panairit Max fest. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 11:00)

-  Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrtion raportin me rekomandime për Projektligjin për turizmin dhe raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi organizon takime publike me qytetarë për kërkesat e tyre dhe ecurinë e projekteve në këto fshatra: Brestoc, Hoçë e Vogël. (Objektet e shkollave fillore të fshatit Brestoc dhe Hoçë e Vogël, ora 17:00)

- Në kuadër të Ditëve të Gjuhës Gjermane në Kosovë, shfaqet filmi "Sami, Joe und ich" nga Karin Heberlein si dhe mbahet diskutim me temë "Diaspora në Kinema: Promovimi i imazhit të Kosovës në vende gjermano folese. (Kinema Armata, ora 18:00)

- Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi organizon takime publike me qytetarë për kërkesat e tyre dhe ecurinë e projekteve në këto fshatra: Nagac dhe Celinë. (Objektet e shkollave fillore të fshatit Nagac dhe Celinë, ora 18:00)

- Shfaqet premiera e dokumentarit “Babai dhe Babai”. (Muzeu Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë, ora 20:00)

- Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi organizon takime publike me qytetarë për kërkesat e tyre dhe ecurinë e projekteve në këto fshatit Krushë e Madhe. (Shtëpia e Kulturës “Muhamet Malsori”, ora 20:00)