11 Gusht 2022

Rikonfirmohet mbështetja e Bankës Botërore

Prishtinë, 16 Prill - Drejtoresha rajonale dhe koordinatorja  për Evropën Juglindore e Bankës Botërore, znj. Jane Amitage, e shoqëruar nga udhëheqësi i Bankës Botërore për Kosovën, z. Ranjit Nayak, vizitoi dje Ministrinë e Administratës Publike dhe u prit nga ministrja, znj. Edita Tahiri.
 
Ministrja Tahiri e ka njoftuar znj. Amitage për prioritetet  dhe strategjinë e MAP-së dhe ka thënë që synon një administratë të qëndrueshme, profesionale , të paanshme, ku qytetari është në qendër të vëmendjes.  Gjithashtu, ministrja e MAP-së ka theksuar nevojën e krijimit të një instituti për hulumtime në fushën e administratës, me ç’rast do të krijohej një bazë e të dhënave të cilat do të ndihmonin në planifikimin dhe krijimin e politikave publike.
 
Ajo ka përmendur dhe Regjistrimin e  popullsisë, si një projekt të rëndësishëm për shtetin e ri të Kosovës, i cili do të krijojë të dhëna që do të jenë bazë e planifikimit ekonomik të vendit.
 
 Znj. Jane Amitage ka uruar ministren Tahiri për postin e ministres dhe ka rikonfirmuar mbështetjen e Bankës Botërore për MAP-në. Ajo ka theksuar se beson që fryma e re e ardhur në këtë ministri do të realizojë suksesshëm projektet  për Kadastrën dhe Modernizimin  Sektorit Publik, për të cilat Banka Botërore  ka siguruar mbështetje me kredi në kuadër të Strategjisë  Kalimtare të Grupit të Bankës Botërore për Kosovën 2010- 2011.

Duke e falënderuar për këtë përkrahje Bankën Botërore, ministrja Tahiri ka siguruar se ajo do të angazhohet që të zhduken dukuri të tilla siç janë korrupsioni e nepotizmi dhe t’i hapet rruga vlerësimit meritor të punës dhe kapaciteteve në administratën publike. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 gusht 2022

- Handikos organizon ceremoninë e shpërndarjes së 70 karrocave për personat me aftësi të kufizuara, donacion nga Izraeli, ku do të marrin pjesë ambasadorja e Izraelit, znj. Tammy Ziv, ministrja e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë,  znj. Donika Gërvalla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. (Qendra e Resurseve për Personat me Aftësi të Kufizuara Adresa: Veternik, ora 10:00)

- Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës mban konferencë për media. (Selia qendrore e Vetëvendosjes, ora 11:00)

- Në qytetin e Vushtrrisë organizohet Akademia Verore "Arbën Xhaferi‘’ edicioni i II-të. (Kalaja e Vjetër të Vushtrrisë, ora 17:00)