07 Dhjetor 2021

Qeveria prezanton mbështetjen për prodhuesit vendor

Prishtinë,  28 tetor -  Daljen nga pandemia Qeveria e sheh si një mundësi të re për të ri-orientuar ekonominë drejt prodhimit e eksportit, drejt rritjes së punësimit të dinjitetshëm, si dhe drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike. Andaj me qëllim të forcimit të pozitës se prodhuesit vendor në treg, në linjë me programin Qeverisës, Kryeministri Kurti dhe Ministri Murati prezantuan sot operacionalizimin e masës 2.1 – Mbështetja për kredi investive dhe masës 2.4 – Rritja e eksportit.

Operaionalizimi e zbatimi i këtyre dy masave synon që ekonomia vendore të fokusohet në prodhim e eksport, ashtu që të kemi rritje ekonomike të qëndrueshme, e cila ju bën ballë lëkundjeve të tregut të jashtëm. Gjatë fjalës së tij në konferencë, Kryeministri Kurti u shpreh se periudha pandemike përveç vështirësive që ka sjellë, gjithashtu ka qenë një kohë reflektimi e mësimi, që na ka bërë që edhe më shumë të kuptojmë potencialin e rëndësinë e prodhuesit vendor.

Në anën tjetër, Ministri Murati shpalosi detajet lidhur me kushtet dhe kriteret për përfitim nga masat 2.1 dhe 2.4, të cilat synojnë nxitjen e investimeve në kapacitete të reja prodhuese e eksportuese, rritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë së prodhimit vendor, ngritjen dhe standardizimin e cilësisë, si dhe aftësimin e punëtorëve dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore.

Së fundi, përfaqësues nga Administrata Tatimore e Kosovës demostruan procesin e aplikimit për masën 2.1, e cila do të bëhet përmes platformës EDI të ATK-së.

Sipas masës 2.1 - Subvencionimi i kredive investive parashihet subvencionimi i kredive investive për bizneset prodhuese dhe përpunuese në vlerë prej 20 % të kredisë; subvencionimi i kredive investive për bizneset në pronësi të grave në vlerë prej 20 % të kredisë, si dhe subvencionimi i kredive për bizneset që kanë nevojë për likuiditet në vlerë prej 10 % të kredisë.

Në anën tjetër, masa 2.4 – Mbështetja e eksportit parasheh mbështetjen financiare për bizneset prodhuese dhe përpunuese në subvencionimin deri në 10,000 euro për ngritjen e kapaciteteve të stafit menaxherial për certifikim profesional; subvencionimin deri në 20,000 euro për ngritjen e kapaciteteve të stafit të angazhuar në prodhim; subvencionimin deri në 50,000 euro për aktivitet lidhur me brendimin dhe marketingun e produkteve; si dhe subvencionim deri në 50,000 euro për pjesëmarrjen në panaire jashtë vendit, si mundësi e gjetjes së tregjeve të reja.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në linjë me Programin Qeverisës, mbetet e përkushtuar në mbështetjen e prodhuesve vendor. Andaj, masat 2.1 dhe 2.4 shënojnë vetëm fillimin e operacionalizimit të plotë të masës 2 – Ringjallja e Ekonomisë dhe Prodhimit, duke dëshmuar edhe njëherë se Qeveria është partner i prodhuesve vendor.


  

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 dhjetor 2021

- Zyra e Rregullatorit për Energji organizon konferencën për integrimin e tregut të energjisë elektrike. (Hotel “Swiss Diamond”, ora 9:00)

-  Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia inauguruese e pranim dorëzimit të detyrës së Kryetarit të Prishtinës ku edhe do të bëhet betimi dhe nënshkrimi i deklaratës solemne për marrjen e detyrës së Kryetarit të ri të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama si dhe betimi i anëtarëve të ri të Kuvendit të Komunës së Prishtinës. (Salla e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, ora 10:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku raporton para Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Lëvizja FOL në partneritet me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë bën lansimin e Raportit “Pajisjet elektronike: fokusi në parandalimin e rasteve të dhunës në familje”. (Hotel Emerald, ora 10:00)

-  Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon shënimin e Ditës së Bibliotekës Komunale “Sulejman Krasniqi”. (Salla e Kuvendit të Komunës së Rahovecit, ora 11:00)

- Me rastin e Ditës së Bibliotekës Komunale “Sulejman Krasniqi” udhëheqes të Komunës së Rahovecit vizitojn shkollën e mesme të lartë  "Heronjtë e Kosovës" në Hoçë të Vogel. (Fshati Hoçë, ora 11:00)

- Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion së bashku me disa organizata të tjera feministe organizon aksion simbolik lidhur me aktgjykimin seksist të Gjykatës Themelore në Gjilan që shfajësoi pesë burra të akuzuar për përdhunim në grup të një vajze 19 vjeçare në vitin 2012. (Para Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ora 12:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti mban dëgjim publik për Pakon e projektligjeve të pronësisë industriale si Projektligji për topografitë e gjysmëpërçuesve; Projektligji për dizajnin industrial, si dhe projektligji për patentat. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë shqyrton Projektligjin për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në fushën e ndërtimit dhe  planin e performancës për vitin 2022 nga Agjencia për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)
 

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-së, ora 13:30)