14 Gusht 2022

Projektligji për Prishtinën është proceduar në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë, 16 qershor - Shqyrtimi i propozim Planit të veprimit të Kuvendit të Kosovës për sfidat e Raportit të progresit të Komisionit Evropian për vitin 2009 ishte temë thelbësore e mbledhjes së sotme të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, të kryesuar nga Esat Brajshori, kryetar i Komisionit, në të cilën morën pjesë edhe ministrat: Sadri Ferati, ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Edita Tahiri, ministre e Ministrisë së Administratës Publike. 

Mbi bazën e disa çështjeve të ngritura në mbledhjen e mëparshme të këtij komisioni, por edhe në këtë mbledhje, ministri Sadri Ferati foli lidhur me disa nga rezultatet e arritura në funksionalizimin e pushtetit lokal, të qeverisjes e të ngritjes së cilësisë së shërbimeve komunale. Z. Ferati theksoi se në të  gjitha komunat e Kosovës, pos në veri, janë themeluar njësitë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Një segment i rëndësishëm i Ministrisë ka qenë kontakti me subjektet komunale për të parë nga afër se si po  zbatohen dispozitat ligjore në lëmin e përdorimit të gjuhëve. Në të gjitha komunat qytetarëve u ofrohen shërbime direkte  në gjuhët zyrtare të përcaktuara me ligj. Janë duke u hartuar edhe rregullore përkitazi me zbatimin sa më konsekuent të dispozitave të ligjeve mbi përdorimin e gjuhëve. Është shënuar progres edhe në funksionimin e zyrave kadastrale, të cilat tani gjenden në  një fazë të modernizimit të veprimtarisë së gjithëmbarshme. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka mundësuar një sistem elektronik të avancuar , i cili ka filluar aplikimin në shumicën e komunave të Kosovës. 

Me ritëm të kënaqshëm po vazhdon edhe procesi i decentralizimit. Po punohet me durim dhe me këmbëngulje për të ecur përpara. Aty ku Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka qasje, rezultatet janë evidente. Këtë, tha Sadri Ferati, e tregon rasti i Graçanicës, në të cilën po shënohen rezultate evidente në investime. Brenda dy tri vjetëve kjo komunë do të përfitojë rreth 12 milionë euro në fushën e investimeve. Po investohet edhe në veri aty ku ka qasje.  Kjo është dëshmi se po i kushtohet rëndësi e madhe cilësisë së jetës shoqërore – ekonomike. Lidhur me çështjen e Ligjit për Prishtinën, ministri Ferati theksoi:”Projektligji për Prishtinën është proceduar në Kuvendin e Kosovës. Ne e kemi përfunduar punën tonë”.

Ministrja Edita Tahiri në fjalën e saj u përqendrua në reformën e administratës publike. Aprovimi i ligjeve për shërbimin civil dhe ai për Pagat, si dhe ligjet tjera bazike, janë një kontribut i rëndësishëm në  reformimin e mëtejmë të administratës. Po punohet në ndërtimin e një administrate të profesionalizuar dhe efikase. Krahas rritjes së efikasitetit administrata nuk duhet të lejojë të bjerë pre e politizimeve dhe korrupsionit, pra ajo duhet të jetë e paanshme. Shtyllë tjetër e e avancimit të administratës do të jetë zbatimi i sistemit elektronik. Në vazhdim ministrja Tahiri foli edhe për procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

Për këtë çështje ngrenë disa pyetje edhe deputetët, sidomos kur është fjala për qytetarët e Kosovës që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Ajo tha se regjistrimi përfshin vetëm popullsinë vendëse, mirëpo duhet të gjenden forma edhe për përfshirjen në regjistrim edhe të emigrantëve nga Kosova. Është një mundësi që gjatë regjistrimit familjarët të paraqesin për regjistrim anëtarët e tyre të familjes që punojnë e jetojnë jashtë vendit. Për këta do të mund të bëhej një listë supelemntare Por, në këtë aspekt mund të ndihmojnë edhe vetë emigrantët, të cilët në periudhën e regjistrimit do të vinin në Kosovë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 gusht 2022

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së, ora 12:00)

- Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunë së Gjilanit, Alban Hyseni do të bëhet rivarrimi i dëshmorit, Enver Pacolli nga varrezat civile në Hajvali në varrezat e dëshmorëve në Gjilan, për nder të ditëlindjes së tij. (Varrezat e dëshmorëve në Gjilan, ora 12:00)
 
- Mbahet dita e dytë e festivalit “Mal Fest” në Malishevë i cili synon të jetë tradicional dhe objektiv e ka rininë dhe mërgatën e Komunës së Malishevës. (Parku i qytetit në Malishevë, ora 19:00)

- - Në kuadër të Akademisë Verore ‘’Arbën Xhaferi" behët promovimi i librit "Teknologjia e Lajmit" e autort Zylyftar Bregu ku i pranishëm do të jetë edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë Ferit Idrizi poashtu Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi. (Kalaja e Vjetër e Vushtrrisë, ora 19:30)