29 Mars 2024

Profesorët e Universitetit të Prishtinës s'respektojnë oraret

Prishtinë, 4 qershor - Lëvizja “Vetëvendosje” gjatë një konference për media ka prezantuar raportin mbi monitorimin mbajtjes së orëve të mësimit, të cilat do të duhej të mbaheshin nga profesorë të Universitetit të Prishtinës, por që nuk janë mbajtur gjatë muajit maj, në Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetin Filozofik.

Pas ankesave të shumta të studentëve dhe duke ditur gjendjen e rëndë në Universitetin e Prishtinës, Qendra, Studim, Kritik, Veprim e Lëvizjes “Vetëvendosje” ka bërë monitorimin e orëve mësimore në fakultetin Juridik, Ekonomik dhe Filozofik që do të duhej të mbaheshin nga profesorët e Universitetit të Prishtinës. 

Në këtë studim del se profesorët që mungojnë më së shumti në ligjërata janë ata të Fakultetit Filozofik, por nuk ngelin shumë pas tyre edhe ata Fakultetit Juridik dhe të Fakultetit Ekonomik. Prandaj, u kërkua që studentët e Universitetit të Prishtinës të ngrenë zërin për mungesën e profesorëve gjatë ligjëratave.

Në masë të madhe profesorët e Universitetit të Prishtinës nuk i respektojnë oraret zyrtare, nuk i respektojnë kontratat e tyre të punës për të cilën marrin një pagë deri në 3 herë mbi mesataren e pagës në Kosovë, të cilën ata e marrin nga fondet publike që mbushen nga qytetarët e Kosovës dhe nga studentët e Universitetit të Prishtinës. Duke mos qenë në shërbim të studentëve për çka janë të thirrur, ata po dëmtojnë cilësinë e arsimit të lartë dhe studimin universitar.

Duke e bërë këtë ata grumbullojnë 2-3 e më shumë grupe brenda një ligjërate të vetme dhe, kështu, përveç që shkelin rregullat administrative, ata krijojnë kushte të papërshtatshme për studentët që ndonjëherë kalojnë shifrën prej 200 vetësh të ndjekin normalisht një ligjërim të tillë.

Në anën tjetër, një numër shqetësues i profesorëve kanë munguar në më shumë se 50% të orëve të planifikuara, madje disa prej tyre nuk e kanë mbajtur asnjë orë mësimore sidomos në muajin Maj që ishte muaji i fundit i ligjëratave për këtë vit Akademik.

Mungesat në masë kaq të madhe nuk mund të arsyetohen nga askush sidomos kur ne e dimë se mosprania e tyre lidhet shumë me angazhimet e tyre nëpër punë të ndryshme nëpër institucione shtetërore ku bartin funksione politike, në kolegje private unversitare si dhe nëpër ndërmarrje të ndryshme private.

Ne nuk mund të presim që kjo gjendje të rregullohet nga palët që vetë  janë të përfshira në krijimin e kësaj gjendjeje të rëndë por, ne mendojmë dhe do të punjmë që studentët të ngrenë zërin dhe të bëjnë presionin e duhur përmes aktivizmit studentor pët ta përmirësuar gjendjen dhe thjesht për të kërkuar atë që është e drejtë që Universiteti të jetë në shërbim të studentëve e jo studentët vetëm në funksion të burimeve të pagave të administratës dhe stafit akademik të Universitetit të Prishtinës.

Duke vështruar veç e veç raportin e monitorimit për secilin nga këto tri fakultete del se në Fakultetin Juridik profesorët që mungojnë më së shumti janë: Bedri Peci- Kolegji FAMA, Enver Hasani - kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Hajredin Kuçi- zëvendëskryeministër. Këta, në fakt nuk kanë qenë prezentë më tepër se 60 për qind të ligjëratave që e kanë qenë të parapara të mbahen nga ana e tyre.

Në Fakultetin Ekonomik për mungesë të pranisë në ligjërata prijnë: Besim Beqaj - Kolegji FAMA dhe ministër i Integrimeve, Valentina Toqi - Kolegji AAB, Driton Balaj- Kolegji FAMA, Justina Pula-Shiroka - ministre e Energjetikës dhe Minierave. Këta sipas raportit të monitorimit kanë munguar më shumë se 50 për qind të orëve.

Në Fakultetin Filozofik për mungesa prijnë: Kristë Shtufi - Kolegji Fama, Nait Vrenezi- ushtrues detyre i Entit të statistikave të Kosovës, Astrit Salihu- këshilltar i kryeministrit, që gjatë muajit maj nuk kanë qenë mbi 50 për qind të ligjërata.

Ariana Arifi, anëtare e kësaj lëvizje, tha se pas ankesave të studentëve për mungesën e profesorëve kemi vendosur që ta bëjmë monitorimin e orëve në Universitetin e Prishtinës. Sipas saj, monitorimi ka filluar më 4 maj dhe ka vazhduar deri më 31 maj. Ajo njëherësh tha se gjatë monitorimit është vërejtur një parregullsi e madhe nga ana e profesorëve, të cilët nuk i respektojnë orët e mësimit.

Ndërsa Ron Gjinofci, anëtar tjetër i Lëvizjes “ Vetëvendosje”, tha se profesorët shpeshherë i ndërrojnë oraret e mësimeve, ndërsa ndonjëherë në “marrëveshje” me studentët i shkurtojnë orët e punës së tyre.

Ai përmendi edhe të dhënën se ka raste kur profesorët bëjnë grumbullin e 2-3 grupeve të studentëve në një orë të vetme. Në këtë mënyrë, ata profesorë përveç që shkelin rregullat administrative, krijojnë kushte të papërshtatshme që studentët të mund të mësojnë kur në auditore gjenden 200-300 studentë.

“Në UP gjatë monitorimit është vërejtur se numri më i madh i profesorëve i dërgojnë asistentët për të mbajtur ligjërimin, që do të thotë se ata nuk e kryejnë punën e tyre të paraparë me kontratë, të cilën ata e kanë nënshkruar dhe për të cilën paguhen nga fondet publike që mbushen nga qytetarët dhe studentët e UP-së”, tha Gjinofci.

Ai gjithashtu shtoi se 50 për qind e profesorëve mungojnë gjatë ligjëratave, gjë që është shumë shqetësuese.

Sipas tij, Lëvizja “Vetëvendosje” do të vazhdojë të punojë në këtë aspekt për të bërë më shumë presion për ta ndaluar këtë gjë dhe njëherësh tha se kjo lëvizje do të vazhdojë edhe në ta ardhmen të ndërmerr aksione të tilla.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)