20 Prill 2024

Privatizimi i NP-ve vetëm nëse luftohet korrupsioni

Prishtinë, 11 maj - Ekspertë për çështje ekonomike në Kosovë vlerësojnë se privatizimi i kompanive publike do të jetë i suksesshëm dhe do të ndikojë në rritjen ekonomike, vetëm në qoftë se luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Privatizimi i disa ndërmarrjeve publike dhe dhënia me koncesion e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, në qoftë se në Kosovë luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Në proces të privatizimit tashmë është Postë-Telekomi i Kosovës dhe Korporata Energjetike. Në proces është po ashtu edhe dhënia me koncesion e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Por, raportet e ndryshme të mekanizmave ndërkombëtarë se në Kosovë ekziston korrupsioni, kanë sjellë një mesazh negativ tek investitorët e huaj për këtë proces, thotë Ibrahim Rexhepi, ekspert i ekonomisë.

Qeveria e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare, sipas Rexhepit, duhet t’i shpallin luftë kësaj dukurie, në mënyrë që në Kosovë të krijohet një ambient i sigurt për investitorët e huaj.

“Kjo luftë do të krijonte përparësi për investitorët e mundshëm në Kosovë. Por, nga ana tjetër, ky është një sinjal për investitorët se në çfarë niveli është krimi dhe korrupsioni”, thotë Rexhepi.

Pavarësisht kësaj, Muhamet Sadiku, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, e vlerëson të ngutshëm privatizimin e kompanive publike. Sipas tij, nuk është koha e duhur për një proces të tillë.

“Është pak e çuditshme kjo nguti për të vënë në lëvizje procesin e privatizimit të tri kompanive më të mëdha, duke pasur parasysh se kjo është një kohë e shkurtër. Besoj se kjo nuk është koha e duhur”.

“Pastaj, kjo qeveri nuk ka as kapacitete kohore; fjala është për një vit, vit e gjysmë dhe, në anën tjetër, janë në pyetje edhe metodat e privatizimit, të cilat duhet të analizohen edhe më shumë”, thotë Sadiku.

Sipas tij, i gjithë procesi i privatizimit të kompanive publike duhet të rishqyrtohet.

“Unë nuk mendoj se procesi duhet të pezullohet. Procesi duhet të rishqyrtohet dhe të shikohet edhe një herë nëse vërtet ishte i vënë në binarë të duhur në periudhën e deritanishme. Do të thotë, kërkohet një ripozicionim, rishikim i tërësishëm i privatizimit të këtyre kompanive“, thekson Sadiku.

Sipas një raporti të bërë nga Instituti “Riinvest”, faktori që do të ndikojë për një proces jo edhe aq të përkryer të privatizimit është korrupsioni brenda ndërmarrjeve publike, sidomos në Postë-Telekomin e Kosovës dhe në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Në anën tjetër, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka vlerësuar se përshpejtimi i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike do të ndikojë dukshëm në rritjen e efikasitetit të tyre dhe në reduktimin e korrupsionit, sidomos përmes zvogëlimit të aktiviteteve të prokurimit publik, ku edhe duket të jetë më e shprehur kjo dukuri.

(EL)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)