25 Prill 2024

Partitë politike me financime të ndryshme

Prishtinë, 29 nëntor - Partitë politike në Kosovë, financimin e fushatës elektorale të zgjedhjeve të 12 dhjetorit kryesisht pritet ta bëjnë përmes parave të fondit të partive politike si dhe përmes parave të inkasuara nga anëtarësia.

Në prag të fillimit të fushatës zgjedhore, partitë politike kanë filluar të mendojnë edhe për mënyrën e financimit të fushatave të tyre zgjedhore.

Shumica deklarohen se burim kryesor do të jenë paratë nga fondi për demokratizim që u shpërndahen partive politike të përfaqësuar në Parlament, por edhe nga paratë e anëtarësisë së tyre.

Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, thotë se burim kryesor i financimit të fushatës do të jetë fondi për demokratizmi dhe paratë e partisë.

“Kemi para nga fondi për demokratizimin e partive politike dhe nga anëtarësia e jonë. Do t’i përmbahemi rregullave të KQZ-së për deklarimin e financimit”, tha ai.

Edhe Arbër Geci, zëdhënës i AKR-së, thotë se kjo parti do t’i shfrytëzojë të gjitha mënyrat e financimit të cilat parashihen sipas ligjit. Geci thekson po ashtu se gjithçka do të jetë transparente dhe do të jepet llogari për çdo para të shpenzuar.

“AKR ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore. Çdo herë kemi qenë transparentë dhe gjithmonë e kemi deklaruar prejardhjen”, tha Geci.

Blerim Kuçi nga AAK-ja, thekson se burim kryesor i financimit do të jenë paratë nga anëtarësia e saj dhe tani veç ka filluar organizimi i mbledhjes së parave nëpër degë.

“Degët kanë organizuar disa ndihma dhe kjo do të jetë burimi kryesor i financimit. Gjithçka do të deklarohet ashtu siç është përcaktuar me ligj”, tha Kuçi.

Ndryshe, risi paraqet mënyra e financimit të cilën e ka zgjedhur LDD-ja. Xhemajl Hyseni nënkryetar i kësaj partie thotë se kandidatët e kësaj partie për deputetë do të duhet vetë të financojnë fushatën e tyre.

Ndryshe sipas ligjit të gjitha partitë duhet të deklarojnë mënyrat e financimit të partisë dhe fushatës së tyre zgjedhore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)