19 Janar 2022

Nënshkruhet Marrëveshja për Sigurime Sociale me Republikën e Shqipërisë

Elbasan, 26 nëntor - Në mbledhjen e mbajtur sot në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka nënshkruar dy marrëveshje me homologet nga Shqipëria, përkatësisht Ministren Ibrahimaj dhe Ministren Manastirliu. Marrëveshjet e nënshkruara sot synojnë zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit në mes të të dy vendeve në fushën e mirëqenies sociale. 

Marrëveshje e nënshkruar në mes të Ministrit Murati dhe Ministres Ibrahimaj në fushën e Sigurimeve Shoqërore si objektiv kryesor ka sigurimin e mbrojtjes shoqërore për qytetarët që jetojnë në të dy vendet, duke u mundësuar atyre të realizojnë të drejtat e tyre siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës, si dhe të realizojnë të drejtën në pension nga fondi i kursimeve pensionale individuale. Me fjalë të tjera, përmes kësaj marrëveshje qytetarët e të dy vendeve do të kenë mundësi që të pranojnë pensionet përkatëse që u takojnë sipas legjislacionit të vendeve të tyre, në vendin ku ata janë duke jetuar pas pensionimit, në Kosovë apo në Shqipëri. 

Në anën tjetër, marrëveshja e nënshkruar në mes të Ministrit Murati dhe Ministres Manastirliu përkon me Fushën e Mbrojtjes Sociale dhe ka për qëllim bashkëpunimin në mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtave të tyre. Përmes kësaj marrëveshje synohet përcaktimi i rregullave të bashkëpunimit në mes të të dy palëve për të siguruar mbrojtën e fëmijëve pa kujdes prindëror, riatdhesimin e fëmijëve të pashoqëruar, si dhe lehtësira për realizimin e kontaktit të fëmijëve me prindër të shkurorëzuar.  

Të dyja këto marrëveshje edhe më tej fuqizojnë bashkëpunimin e suksesshëm e të vazhdueshëm me Republikën e Shqipërisë dhe shtyjnë përpara vizionin e përbashkët për ngritje të mirëqenies shoqërore të qytetarëve në të dy vendet.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 janar 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Banesore, shqyrton raportin e grupit punues në lidhje me zbatimin e mbikëqyrjes së Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media në të cilën do të prezantohet analiza me titull “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft raportin e monitorimit të Ligjit për Shëndetin Mendor dhe diskuton për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. . (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike inicon procedurat lidhur me auditimin e raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës, së subjekteve politike, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)
 
- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- The British School of Kosova organizon shfaqjen edukativo - arsimore për fëmije  "Mushkonjat dhe Princi". (Teatri "Faruk Begolli" në Kolegjin AAB, ora 11:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës mban ceremoninë e themelimit të 22 vjetorit të saj në të cilën do të marrin pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe drejtues nga odata ekonomike, përfaqësues nga institucionet ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga organizatat e kontabilitetit. (Qendra e Shërbimit për Tatimpagues, ish-ndërtesa e Gërmisë, sheshi Skënderbeu, ora 14:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' hapet ekspozitë memoaresh e kujtimesh "Dhoma e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit". (Muzeu Etnologjik i qyteti të Gjilanit, ora 16:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj tubim me qytetarë ku do të shpaloset Manifesti - dokumenti i parë i partisë. (Hotel Grand, ora 17:00)