07 Dhjetor 2021

Ndahen mbi 36 milionë euro për përfituesit e skemave sociale dhe pensionale

Prishtinë, 27 tetor - Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati sot në Mbledhjen e 42-të të Qeverisë ka propozuar ndarjen e mjeteve financiare për mbështetjen e përfituesve nga skemat sociale dhe pensionale, në kuadër të zbatimit të masës 3.2 – Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale.

Me anë të këtij vendimi, përfituesit e skemave pensionale në muajin nëntor do të përfitojnë nga 100 euro shtesë mbi pensionin e rregullt dhe shtesën aktuale. Në anën tjetër, përfituesit e skemave sociale në muajt nëntor dhe dhjetor do të përfitojnë dyfishin e pagesës së rregullt dhe shtesës aktuale, shtesë e cila gjithashtu aplikohet si pjesë e masës 3.2 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Gjatë fjalës së tij në Mbledhjen e Qeverisë, Ministri Murati theksoi se përmes këtij vendimi mundësohet mbështetja e kategorive më të cënueshme të shoqërisë sonë. Më tutje, kjo masë për nga vëllimi i familjeve që prek është më e madhja që është miratuar ndonjëherë në Qeveri, me afërsisht 330 mijë familje që do të përfitojnë mbështetje financiare. Pra, një politikë e tillë prek shumë familje dhe ka një ndikimin tejet të madh në buxhetin familjar.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në linjë me vizionin e Qeverisë, mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e masave që kanë për synim mbështetjen e familjes dhe ngritjen e mirëqenies qytetare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 dhjetor 2021

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Ambasada Franceze, Aleanca Franceze e Prishtinës dhe Espace Campus France, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin AAB organizojnë hapjen e Panairit Universitar Francez në Kosovë i cili do tu mundësoj studentëve kosovarë të zbulojnë programet akademike të ofruara nga 30 universitete dhe 16 webinare nga Franca. (Universitetin AAB, ora 10:00)

- Ministri i  MMPHI Liburn Aliu raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit të përformancës "Mbledhja, trajtimi dhe asgjësimi i mbeturinave komerciale”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)  

- VentureUP në partneritet me Sustainability Leadership Kosova dhe financuar nga UNDP organizon ditën e garës finale e eko-startup-eve të Programit Green Hub. (Amfiteatri i objektit të Administratës Qendrore të Universitetit të Prishtinës, ora 10:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrtimin raportin me propozim-amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Deminim Humanitar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 12:00)

- Të rinjte e iniciatives “Hajde në shkollë” organizojnë forum teatrin që ka për qëllim vetëdijësimin dhe parandalimin e braktisjes së shkollimit në mesin e të rinjve në komunën e Klinës. (Shtëpia e kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, ora 14:00)

- Kosovo 2.0 dhe Fondacioni 17  organizojnë diskutimin lidhur me mobilizimin e komunitetit për ruajtjen dhe rikthimin e hapësirave të përbashkëta publike, me fokus në historinë e tri kinemave që i shpëtuan privatizimit. (Kino Armata, ora 17:00)

- OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” organizojnë diskutimin "Le të flasim" i cili synon të sjellë vëmendjen dhe ndërgjegjësimin tek audienca në lidhje me diskriminimin racor, martesat e hershme, gjuhën e urrejtjes në institucionet publike dhe rrugën e edukimit mbi dy dekada. (Kino Armata, ora 19:00)