19 Prill 2024

Mitrovicë, prezantohen tri projekte

Mitrovicë, 23 nëntor - Sot në Mitrovicë janë prezantuar tri projektet e para që do të realizohen me mbështetje të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian  në kuadër të Agjencionit Rajonal Zhvillimor në Veri (ARZHV).

Këto projekte, kryesisht të lidhura me bujqësi mbulojnë komunat Mitrovicë, Skenderaj, Vushtrri dhe Zubin Potok.

Kjartan Björnsson, kryesuesi i Operacioneve të Zyrës Ndërlidhëse të KE-së, se tha sivjet janë ndarë 7 milionë për projektet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës, prej të cilave 1 milion është ndarë për rajonin e veriut.

“Në veri janë mbështetur tri projekte që kanë të bëjnë me mbështetjen e bujqësisë, biznesit dhe ndërmarrësisë”, tha ai.

Bjornson sqaroi se projekti që ka të bëj me përkrahjen e zhvillimit të bujqësisë, në vlerë prej 446 mijë eurosh, do të mbuloj katër komunat: Mitrovicën, Skenderajn, Vushtrrinë dhe Zubin Potokun.

“Në kuadër të këtij projekti parashihet që të ketë aktivitete promovuese për bujqësinë”.

Ndërsa projekti tjetër, tha ai, që ka të bëj me ofrimin e këshillave për ndërmarrësinë, në vlerë prej 318 mijë euro,  do të realizohet në Zubin Potok. Bjornsson tha se një projekt tjetër i kësaj natyre, në vlerë prej 421 mijë eurosh do ta ketë qendrën në Skenderaj.   

Ai theksoi se grantet janë pjesë e Zhvillimit Ekonomik Rajonal të BE (EURED) që mundëson standarde më të mira për rajonin verior në veçanti dhe Kosovën në përgjithësi. “Këto janë projektet e para që përfitojnë nga skema e granteve me shumë të përgjithshme prej 1.1 milion euro, përderisa përkrahja për zhvillim është paraparë që të vazhdoj në fillim të vitit të ardhshëm”.

Björnsson tha se qëllimi i tyre i përbashkët është që të përmirësojnë ekonominë dhe të krijojnë vende të punës. “Ende nuk e kemi të përfunduar dhe do të shfrytëzoja këtë mundësi që t’iu bëjë thirrje të gjithë akterëve relevant që të punojnë më shumë dhe të fokusohen në zhvillim e kësaj pjese të Kosovës."

Në këtë prezantim për ndarjen e tri projekteve të para të mbështetura nga ZNKE-së ishin të pranishëm edhe drejtuesit e katër komunave që janë pjesë e ARZHV-së, si kryetari i  komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i cili është edhe kryetar i bordit të ARZHV-së, mandej kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i Vushtrrisë, Bajram Mulaku dhe nënkryetari i Zubin Potokut, Agim Hasani.

Kryetari Kastrati, ka falënderuar drejtuesit e ZNKE-së për mbështetje, duke e cilësuar me rëndësi për zhvillimin ekonomik në këtë rajon të Kosovës.

Kryetari Kastrati, ju ka uruar sukese edhe përfituesve të këtyre projekteve dhe ka theksuar se realizimi i tyre do të përcillet vazhdimisht. “Janë këto tri projektet më të mira që janë përzgjedhur në mesin e shumë projekteve të tjera serioze që janë ofruar”, tha ai. 

Ndërsa, Bjornsson ka shtuar se AZHRV-ja ka punuar për së afërmi me partnerët zhvillimor, si me zyrtarë komunalë, shoqërinë civile dhe sektorin privat, për të identifikuar prioritetet strategjike të rajonit dhe zhvillimin e projekteve për të implementuar këtë vizion.

Ai tha se komuna e  Zveçanit dhe Leposaviqit ende nuk janë pjesë e kësaj përpjekjeje, por ato inkurajohen vazhdimisht për t’iu bashkangjitur procesit të Zhvillimit Ekonomik Rajonal të BE. 

Ai tregoi se për vitin e ardhshëm do të ndahen pesë milionë euro për mbështetje të projekteve nëpërmjet këtyre agjencive zhvillimore rajonale në Kosovë. Tha se ata janë të gatshëm që të nisin punën për pranimin projekteve të reja që do të mbështeten.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)