26 Prill 2024

Mitrovica siguron 30 milionë euro investime

Mitrovicë, 2 dhjetor - Përkrahja që ka siguruar Komuna e Mitrovicës nga mekanizmat e Bashkimit Evropian për disa projekte madhore, pritet ta ndryshojnë këtë qytet brenda një kohe relativisht të shkurtër.

Shuma e ndarë për projekte të ndryshme të kësaj komune kalon shifrën prej 30 milionë euro, që është përafërsisht sa dy herë buxheti vetanak.

Drejtuesit e komunës shprehën shumë të kënaqur me këtë mbështetje që kanë marrë nga strukturat e BE-së, duke pasur parasysh se kjo komunë prej përfundimit të luftës është përballur me probleme të mëdha ekonomike si pasojë e rrethanave politike.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se tashmë janë kaluar barrierat që kanë ekzistuar pas lufte dhe gjithë fokusi kryesor përveç segmentit të sigurisë është fokusuar në zhvillimin ekonomik.

Ai theksoi se mbështetja e Komisionit Evropian për ndërtimin e kapaciteteve të reja të ujësjellësit rajonal në Mitrovicë me 13 milionë euro, do të zgjidh përfundimisht furnizimin me ujë të pijes për qytetarët e rajonit.

“Jemi shumë të lumtur me këtë mbështetje dhe shprehim mirënjohjen më të thellë për këtë përkrahje që do të siguroj kushte më të mira për jetë  për mitrovicasit dhe qytetarët e komunave të këtij rajoni”.

Kryetari Kastrati, sqaroi se përveç ndërtimit të kapaciteteve të reja të ujësjellësit është siguruar mbështetja edhe për rregullimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në qytet.

“Rrjeti i ujësjellësit është shumë i vjetruar dhe i dëmtuar. Gati gjysma e ujit humbet në rrjet. Tashmë kemi marrë mbështetje nga Luksemburgu për rregullimin e rrjetit të ri që do të kushtoj 4.5 milionë euro”.

Një tjetër projekt kapital në Mitrovicë në vlerë prej 14.5 milionë euro pritet të nis së realizuari vitin e ardhshëm. Është fjala për Qendrën rekreativo-sportive në Mitrovicë e cila poashtu do të realizohet me ndihmën e Komisionit Evropian. I pari i komunës, thotë se ky është një investim që defenitivisht Mitrovicën do ta bëj qytetin më atraktiv në Kosovë.

“Projekti që parashihet të realizohet me këto mjete, si pishina, salla sporti, mandej qendra biznesi etj, do ta shndërrojnë Mitrovicën në një panoramë që opinioni nuk ka pasur rastin ta shoh deri me tani”.

Përveç tyre, kryetari Kastrati përmend edhe projektin që është përgatitur për rregullimin e shëtitores në afërsi të sheshit “Mehë Uka”, mandej hapësirën afër rrethrrotullimit, rregullimin e shtratit të lumit Lushta etj.

“Këto projekte do të ofrojnë kushte shumë më të mira për jetë në Mitrovicë dhe ky qytet më nuk do të ketë imazhin e një qyteti me tela gjemborë prej të cilit ikin investitorët”.  
         
Ndërsa drejtori për Urbanizëm në komunë, Mehdi Bala, përmend një projekt tjetër shumë të rëndësishëm që është realizuar në hapësirën përreth ndërtesave kolektive të banimit në lagjen “Tjegullorja”.

Është fjala për rregullimin e shumë fushave për lojë për fëmijët e asaj lagjeje që janë ndërtuar me një donacion të Komisionit Evropian në vlerë prej rreth 300 mijë eurosh.

Si projekte kapitale që janë realizuar sivjet në Mitrovicë, zyrtarët komunalë përmendin edhe fabrikën për prodhimin e shtyllave të betonit “Tekno Burim” që është përuruar sivjet në Mitrovicë me një investim të përbashkët kroato-kosovar në vlerë  prej 5 milionësh.   

Drejtuesit komunalë përmendin si çështje shumë të rëndësishme procesin e rindërtimit në veri që është duke vazhduar.

Ata sqarojnë se përveç milionave eurove që ka ndarë  Qeveria e Republikës së Kosovës për këtë qëllim, komuna e Mitrovicës, përkundër buxhetit të limituar ka investuar 600 mijë euro në dy vitet e fundit për këto projekte, me qëllim që të sigurohet kthimi i të zhvendosurve nga pronat e tyre.

Poashtu përmendet edhe rindërtimi i Lagjes së Romëve dhe kthimi i pjesëtarëve të komunitetit RAE nga kampet ku kanë jetuar deri me tani, duke e bërë këtë si skorien më të suksesshme të kthimit në gjithë Kosovën.    


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)