16 Prill 2024

Miratohet Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Buxhetin

Prishtinë, 5 korrik - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dr. Jakup Krasniqi në fillim të seancës së sotme, e cila kishte në rend të ditës shqyrtimin për herë të parë të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010, e ka dënuar sulmin me armë dhe plagosjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës Petar Miletic.

Ky sulm, si dhe veprime të tjera gjatë ditëve të fundit në pjesën veriore të Kosovës, organizohen dhe nxiten nga regjimi i Beogradit dhe vijnë pikërisht në prag të opinionit të Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë, ka theksuar kreu i Kuvendit të Kosovës.

Këtë sulm e ka dënuar edhe kryeministri Thaçi,i cili ka theksuar se Qeveria e Kosovës e ka hapur Zyrën për shërbime civile për të gjithë qytetarët në pjesën veriore të Mitrovicës, duke garantuar se ekzekutivi i vendit do të jetë e palëkundur në respektimin e rendit dhe të ligjit në gjithë territorin e Kosovës. Në vazhdim edhe shefat e të gjitha grupeve parlamentare e kanë dënuar sulmin ndaj deputetit Miletic.

Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010 e ka prezantuar para deputetëve ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, i cili ka pohuar se projektligji në fjalë paraqitet këtu, pas një sërë takimesh konsultative ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe Institucioneve tjera me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë muajit prill të këtij viti.


“Qëllimi kryesor i rishikimit të Buxhetit është përshtatja e politikave ekonomike si dhe akomodimi i kërkesave me prioritet për organizatat buxhetore të mbështetura në obligime ligjore apo vendime të Qeverisë”, ka theksuar Shala, i cili ka shtuar se negociatat me FMN-në kanë përcaktuar të gjitha rritjet e nevojshme të shpenzimeve dhe kursimet përkatëse në vitin 2010. Këto, ka thënë ministri kanë ndikuar në rishikimin dhe plotësimin e dokumentit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve për periudhën 2011 – 2013.

Shala në vazhdim ka përmendur një varg zërash të këtij rishikimi të buxhetit. Në krahasim me Buxhetin Fillestar, në këtë rishikim të hyrat janë ngritur për 7.5 %, të cilat ekskluzivisht janë dedikuar për investimet kapitale, si p.sh. në projektin e autostradës etj.

Janë ngritur edhe rezerva buxhetore të shtetit, nga 200 në 241 milion euro. Kursimet e identifikuara ka pohuar Shala arrijnë shumën prej 51.5 milion euro. “Duke u mbështetur në politikat e Qeverisë për të përfshirë sektorin privat në disa nga ndërmarrjet Publike, me këtë rishikim kemi propozuar deklarimin e Dividendës nga PTK-ja (80.0 milion euro) dhe Aeroporti i Prishtinës (10.0 milion euro). Mjetet likuide që posedojnë këto ndërmarrje, të cilat do të privatizohen do t’i jepen pronarit, pra Qeverisë, në formë dividende, para se të kryhet procesi i privatizimit, ka thënë ministri.

Shala ka numëruar një varg të projekteve shtesë të investimeve kapitale si financimin e autostradës “Morinë-Merdare” prej 130.0 milion euro për këtë vit, pastaj prodhimin e pasaportave biometrike për qytetarët e Republikës së Kosovës, për të cilat janë ndarë 1.8 milion euro investime kapitale dhe 0.7 milion euro në mallra dhe shërbime.

“Gjithashtu, financim shtesë është bërë në sektorin e shpenzimeve operative, si kategoria e pagave në shumë prej 6.3 milion euro ( rritjeve e pagave në polici, shëndetësi, Forcën e Sigurisë së Kosovës, rritjen e pagave për oficerë të burgjeve, sigurimin e pagave për rritjen e numrit të oficerëve në Shërbimin Korrektues të Kosovës si dhe Ministrinë e Integrimeve Evropiane si ministri e re në themelim e sipër”, ka thënë Shala i cili ka përmendur se është financuar pjesa e dytë e vitit 2010 për RTK-në në shumë prej 5.2 milion euro , si dhe Ligji për depozita në shumë prej €1.0 milion. Gjithashtu, është rimbursuar programi “Shpenzime të paparashikuara” prej €5.0 milion i dedikuar për shpenzime të jashtëzakonshme në institucionet buxhetore.

Në vazhdim shefat e grupeve parlamentare nga pozita dhe deputetë të shumtë të këtij grupimi e kanë vlerësuar me nota pozitive rishikimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2010, duke e lavdëruar edhe planifikimin dhe menaxhimin mirë financiar të Qeverisë së Kosovës. Shefat e grupeve parlamentare nga opozita dhe deputetë të shumtë nga këto radhët e këtyre grupimeve, ndërkaq, i kanë bërë vërejtje të shumta rishikimit të buxhetit dhe përgjithësisht politikave buxhetore të Qeverisë së Kosovës. Vërejtjet kanë konsistuar prej pabarazisë në financimin e komunave, duke i privilegjuar komunat të cilat udhëhiqen nga partia e kreut të Qeverisë, pastaj në ndarjen buxhetore të ministrive varësisht nga forca dhe autoriteti i ministrit të dhënë.

Në këtë drejtim madje edhe kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, Gani Koci, ka pohuar se komisionit të tij i kanë ardhur (deri në momentin kur mbahej seanca) kërkesa të shumta nga ministritë përkatëse që tejkalojnë shumën prej 20 milion euro. Ai madje si shembull të shkeljes ligjore për sa i përket financimit të subjekteve dhe institucioneve ka përmendur Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, e cila, sipas Kocit, ka tërhequr mjete financiare për më shumë punonjës, se sa i ka në të vërtetë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka falënderuar deputetët për debatin përmbajtjesor parlamentar lidhur me rishikimin e Buxhetit. “Buxheti është mundësi për zhvillim dhe proces integrues, si dhe për funksionalizimi të institucioneve tona”, ka thënë Thaçi, i cili duke falënderuar për vërejtjet dhe sugjerime e bëra, i ka ftuar deputetët që ta votojnë rishikimin e Buxhetit të Kosovës.

Deputetët në fund, me shumicë votash, e kanë miratuar në parim Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)