19 Prill 2024

Ministrja Tahiri vlerëson procesin e regjistrimit të popullsisë

Prishtinë, 6 prill  - Nën organizimin e Ministrisë së Administratës Publike, Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë dhe Entit të Statistikës të Kosovës, i cili funksionon në kuadër të kësaj ministrie, është mbajtur takimi i parë me kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës, lidhur me përgatitjet për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, i cili do të mbahet nga 31 marsi deri me 15 prill 2011.
 
Ministrja e sapo emëruar e MAP-së, znj. Edita Tahiri në fjalën e hapjes në këtë takim e ka vlerësuar procesin e Regjistrimit si një projekt madhor me rëndësi nacionale, por edhe sfidë njëkohësisht. “ Regjistrimi do të ofrojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të kushteve sociale dhe jetësore të qytetarëve tanë në vitin 2011, që në fakt është një instrument esencial për politika, planifikime dhe vendimmarrje efektive në të mirë të mirëqenies së qytetarëve” ka thënë ministrja Tahiri.
 
Ajo ka shtuar se reforma qeveritare e ndërmarrë nga Kryeministri, z. Hashim Thaçi e shton përgjegjësinë që përballë proceseve të rëndësishme, ashtu siç është ky i regjistrimit të popullsisë, të tregojmë vetëdije të lartë shtetërore, për të dëshmuar se jemi në gjendje të funksionalizojmë çdo dimension të shtetit tonë të ri. Ministrja Tahiri ka premtuar se Ministria që ajo udhëheq do të bëjë angazhime shtesë, si dhe do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet relevante të Republikës së Kosovës, institucionet ndërkombëtare përkatëse, me theks të veçantë EUROSTAT-in, si dhe me donatorët, që ky proces të jetë i suksesshëm dhe i pranueshëm nga të gjitha komunitetet, duke theksuar dy procese të rëndësishme që ndodhen para secilit - ngritjen e komponentëve të shtetit të ri, për të krijuar themele të qëndrueshme, si dhe synimet evropiane dhe euroatlantike, të cilat e shtojnë përgjegjësinë dhe obligimet.
 
Kryetari i Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë , z. Rifat Blaku, i cili njëkohësisht është edhe zëvendësministër i MAP-së, duke e vlerësuar procesin e regjistrimit si shumë voluminoz dhe kompleks, ka kërkuar angazhim dhe mobilizim maksimal nga kryetarët e komunave për të administruar mbi 1460 lokalitete, mbi 5100 qarqe regjistruese, mbi 440 mijë ekonomi shtëpiake dhe një numri shumë të madh regjistruesish dhe monitoruesish, për të realizuar këtë proces sipas standardeve ndërkombëtare. Detajet teknike dhe profesionale të këtij procesi i ka paraqitur Kryeshefi Ekzekutiv i Entit të Statistikave të Kosovës, z. Avni Kastrati, i cili ka dhënë edhe sqarimet e nevojshme për kryetarët e komunave.
 
I konsideruar si prioritet në agjendën shtetërore të Kosovës, Regjistrimi i Popullsisë është një nga projektet e mëdha që do të realizohet pas pavarësisë, i cili do të ofrojë të dhënat e nevojshme mbi demografinë dhe pasuritë familjare, si një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik në veçanti.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)