29 Mars 2024

Lufta kundër korrupsionit të mos i nënshtrohet krizës politike

Prishtinë, 5 tetor - Lëvizja FOL dhe Klubi për Politikë të Jashtme kanë mbajtur sot konferencë për shtyp me ç’rast kanë dalë me një deklaratë të përbashkët sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL deklaroj se Klubi për Politikë të Jashtme dhe Lëvizja FOL, si shumë qytetarë të Kosovës, kanë mirëpritur bastisjet e nisura nga EULEX ndaj bartësve institucional të dyshuar për përfshirje në krim dhe korrupsion.

“Me vëmendje kemi përcjellë të gjitha këto veprime si dhe kemi evidentuar premtimet e zyrtarëve të EULEX-it dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit
Evropian, se së shpejti do të shohim rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Sipas Ilazit, veprimet e lartpërmendura dhe premtimet e shumta kanë krijuar pritje edhe tek qytetarët e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit, bazuar në një model evropian.

Ilazi tha se KPJ dhe FOL shprehin shqetësimin për mungesën e rezultateve
të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të paralajmëruara nga EULEX-i.

“Dy organizatat tona vlerësojnë se ka ngecje evidente si në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta institucionale ashtu edhe në luftimin e kriminalitetit në veri të Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq , Ylli Hoxha, drejtor ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që rezultoi me dorëheqjen e Presidentit të vendit , paraqet një moment të rëndësishëm për Kosovën, në të cilin përçohet mesazhi i dominimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë mbi interesat politike apo individuale.

“Ky moment i hapë rrugë organeve të drejtësisë që të vazhdojnë më tutje, me këmbëngulje, në trajtimin e mbi 100 dosjeve të zyrtarëve të lartë të dyshuar për korrupsion dhe krimit të organizuar. Dhe përderisa dosjet e tyre ende gjenden në sirtarët e Gjyqësorit, zyrtarët e lartpërmendur, të dyshuar për implikim në krim dhe korrupsion, ende vazhdojnë të mbajnë poste të larta në institucione dhe vazhdojnë të menaxhojnë paranë publike”, tha Hoxha.

Sipas tij, KPJ dhe FOL, e konsiderojnë këtë gjendje si të papranueshme dhe thërrasin përgjegjësit institucional që urgjentisht të largojnë nga detyra këta
zyrtarë.

“Së fundmi, KPJ dhe Fol identifikojnë një tendencë të shfrytëzimit të krizës politike të krijuar nga dorëheqja e Presidentit për devijimin e vëmendjes së opinionit publik nga agjenda antikorrupsion dhe antikrim. KPJ dhe FOL konsiderojnë se është e papranueshme që drejtësia ti nënshtrohet cilitdo proces politik, si krizave politike ashtu edhe zgjedhjeve”, deklaroj Hoxha, duke shtuar se rrjedhimisht kriza politike e as zgjedhjet nuk guxojnë të shërbejnë si pretekst për mos nxjerrjen para drejtësisë të zyrtarëve të korruptuar.

Ramadan Ilazi shtoi se qytetarët e Kosovës, bazuar në hulumtimet e bëra
të opinionit publik, kanë shprehur qëndrimin e tyre se korrupsioni është problemi kryesor i vendit. “Kërkojmë nga EULEX-i që në përputhje me këtë prioritet të fillojë të jep rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe me këtë të shërbejë si inspirim për institucionet e Kosovës për vendosjen e një shteti ligjor në Kosovë. Ky në fakt është menduar të jetë edhe misioni i Eulex-it!!!”, tha Ilazi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)