18 Prill 2024

Ligji i Punës i diskriminon lehonitë

Prishtinë, 5 tetor - Neni 48 i Ligjit të Punës është jo i favorshëm për lehonitë dhe nuk iu jep mundësi të kujdesen për fëmijën për një kohë më afatgjatë vlerësuan debatuesitë  në tryezën për Ligjin e Punës.
Përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, (BSPK) që ishte organizator i këtij debati, shprehën shqetësimin se pushimi i lehonisë prej 3 muajve nuk mjafton për nënat që të kujdesen për fëmijët e tyre.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi tha se Ligji i Punës ka ende shumë mangësi, por sipas tij, më jetiku është rregullimi i ligjit të lehonisë. Ai tha se nuk është arsye që i jep Qeveria e Kosovës për implikimet buxhetore dhe koston e lartë. Arifi sugjeroi Qeverinë që të shikoi se si janë ligjet për lehonitë në rajon. “Nuk mjaftojnë 3 muaj për një lehoni dhe t’i ndërpritet pushimi. Nuk është pengesë kostoja për miratimin e këtij ligji. Miratimi i këtij ligji rregullon shumë probleme”, tha ai.

Arifi insistoi se nuk është arsye që e përmendin qeveritarët koston.

Në anën tjetër Gjylnaze Novoberdaliu nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se kanë konstatuar se 3 muaj pushim lehoni mjaftojnë. Ajo vlerësoi se edhe shtetet në rajon e kanë vetëm 3 muaj. Nuk harroi të përmend edhe implikimet buxhetore dhe koston e lartë. “Për shkak të implikimeve buxhetore dhe kostos së lartë kështu është hartuar ky ligj. Jemi konsultuar edhe me ekspertë të Bankës Botërore dhe jemi pajtuar që të jetë kështu Ligji për Lehonitë”, tha Novobërdaliu.

Mirëpo Agron Demi nga instituti “GAP”, tha se kostoja që arsyetohen se është e lartë nuk qëndron. Sipas tij, Qeveria ka miratuar ligje që kanë një kosto edhe ma të lart. “Kemi ligjin për financimin e partive politike që arrin shumën 11 milion euro dhe që është miratuar në parim dhe nuk është diskutuar fare që ka një kosto shumë të lartë. Bile ky ligj parasheh që për cdo vit të rritet buxheti për financimin e partive politike. E nëse e krahasojmë rëndësin e Ligjit të Punës me atë të financimit të partive politike është jo reale për një shtet që pretendon të ketë politika favorizuese për qytetarët e vetë”, tha ai.

Edhe Rita Hajzeri deputete e Kuvendit dhe nënkryetare e Komisionit për Punë dhe Mirëqenie Sociale tha se Qeveria duhet të gjej alternativa që të arrijë në një kompromisë për nenin 48. Ajo tha se ka shumë mundësi të rregullohet me ligj puna e pushimit të lehonisë. “Mund të bëhet 3 muaj plus 3 muaj pushim. Tre muajt e parë le të jenë pushim dhe 3 muajt e dytë me gjysmë pagë. Ka shumë alternativa që mund të rregullohet neni 48 nëse ka vullnet Qeveria”, tha Hajzeri.

Ajo vlerësoi se nëse nuk bëhen ndryshime në këtë nen ka rrezik edhe të bie shkalla e lindjeve në Kosovë për shkak se nuk mund të bëhet planifikimi familjar. “Ky nen nxjerr shumë probleme dhe nëse nuk rregullohet ose nuk bëhet ndonjë kompromisë do të kemi problem si shoqëri në të ardhmen”, tha Hajzeri.

Ligji i Punës ende nuk është miratuar. Gjatë gjithë kohës Qeveria ka dhënë arsye se është kostoja e lartë dhe për këtë arsye nuk është miratuar.
Janë zhvilluar shumë debate për Ligjin e Punës, mirëpo më së shumti është debatuar për nenin 48 që e përcakton pushimin e lehonisë. Me këtë ligj lehonat kanë vetëm 3 muaj pushim që vlerësohet se është një kohë mjaft e shkurtë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)