29 Mars 2024

Lansohet skema e granteve për nxitjen e partneriteteve të hulumtimit

Prizren, 9 shtator - Sot në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) Prizren është lansuar skema e grantit që ka për synim nxitjen e partneriteteve të hulumtimit të aplikuar ndërmjet Institucioneve publike të Arsimit të Lartë (IAL) dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) nga Kosova.

Në kuadër të skemës së financimit me vëllim të përgjithshëm financiar prej 200,000 Euro, do të jepen grante deri në 50,000 Euro për secilën prej ideve më inovative hulumtuese të paraqitura.

Përveç mbështetjes financiare për projektet, do të ofrohen seminare dhe kurse trajnimi gjithëpërfshirëse për të rritur më tutje ndërgjegjësimin dhe për të zgjeruar ekspertizën në lidhje me aktivitetet e Kërkimit dhe Zhvillimit (K&Zh) si dhe për të lehtësuar krijimin e partneriteteve të reja mes universiteteve dhe industrisë në këtë fushë.

Ky program për zhvillimin e kapaciteteve pritet të fillojë në tetor të këtij viti, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e projekt-propozimeve të përbashkëta është në fillim të muajit dhjetor të vitit 2022.

Aktiviteti në fjalë është pjesë e projektit Digital4Business, i cili financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe zbatohet në kuadër të Qendrës së Transformimit Digjital të GIZ-it në ITP Prizren. Zbatimi i këtij aktiviteti lehtësohet nga EduTask.

Në ngjarjen lansuese morën pjesë përfaqësues nga institucionet qeveritare të Kosovës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada Gjermane në Kosovë, IAL-të publike dhe private, sektori privat dhe ekspertë individualë.

Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i Kosovës, z. Mentor Arifaj, në fjalimin e tij në ngjarje mirëpriti lansimin e skemës së granteve, duke thënë se aktivitetet si ajo e mbajtur sot janë kyçe në aspektin e sjelljes së sinergjive të reja dhe ndërtimit të partneriteteve në ekosistemin e inovacionit, gjë e cila do të çojë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe privat, akademisë dhe organizatave të shoqërisë civile.

Ai tha se promovimi i inovacionit në të gjithë sektorët e industrisë është prioritet i institucionit të tij.

Znj. AnnaCarin Platon, shefe e Departamentit Politik dhe Zëvendës Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se BE-ja mbetet e përkushtuar në mbështetjen e Kosovës për zhvillimin e ekosistemeve dhe rezultateve të kërkimit dhe inovacionit, gjë e cila bëhet gjithashtu edhe përmes programeve të financimit të BE-së si Horizon Europe pjesë e së cilës është bërë Kosova kohët e fundit. Znj. Platon shtoi se mezi pret të shohë partneritetet e reja universitet-biznes dhe rezultatet e prekshme të këtij granti duke inkurajuar veçanërisht komunitetin e biznesit të Kosovës që të përfitojë nga kjo mundësi për të krijuar nivel më të thellë besimi dhe përvoje në projektin e përbashkët të hulumtimit dhe zhvillimit me IAL-të e Kosovës.

Znj. Vera Baumann, shefe e Bashkëpunimit Zhvillimor në Ambasadën Gjermane, theksoi se Qeveria Gjermane mbetet e përkushtuar në mbështetjen e digjitalizimit dhe inovacionit në Kosovë, veçanërisht përmes Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) Prizren – si një nga shembujt e shumtë të suksesshëm të bashkëpunimit ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës.

Ajo u bëri thirrje universiteteve dhe komunitetit të biznesit që të përfitojnë nga skema e granteve dhe të krijojnë bazë për bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen.

Projekti Digital4Business filloi punën në shkurt të vitit 2022 dhe do të zgjasë deri në fund të janarit të vitit 2024.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)