16 Gusht 2022

Kriza, shtohen të papunët në Shqipëri

Tiranë, 21 prill - Norma e papunësisë në Shqipëri u rrit në 13.75 për qind në fund të vitit 2009, nga 12.68 për qind që qe në vitin 2008, duke shënuar rritjen për herë të parë në një dekadë të numrit të të papunëve të regjistruar zyrtarisht. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e publikuara dje nga INSTAT.

Zyrat e Ministrisë së Punës shënuan në dhjetor 143 mijë të papunë të regjistruar, nga 140 mijë që qenë para fillimit të krizës ekonomike në verën e vitit 2008. Nga të papunët, vetëm 10 mijë vetë marrin pagesë papunësie, ndihmën sociale që teorikisht u jepet njerëzve që kanë humbur një vend pune dhe po kërkojnë një vend tjetër pune.

Punësimi në rënie

Gjatë vitit 2009, u shënua gjithashtu për herë të parë rënie neto e numrit të të punësuarve në sektorin publik apo në ekonominë private jobujqësore. Sipas statistikave, 403 mijë shqiptarë kanë një punë që u jep një rrogë mujore. Rreth 2500 vetë kanë humbur vendin e punës gjatë vitit të krizës.

Sektori publik, ku përfshihet administrata dhe ndërmarrjet nën pronësi shtetërore ulin numrin e të punësuarve me 300 vetë ndërsa biznesi privat mbylli 2200 vende pune. Shqipëria ka njohur zyrtarisht rritje ekonomike prej 5 për qind në vit gjatë dekadës së fundit, por kjo rritje nuk ka prodhuar vende pune.

Që nga viti 2001, numri i njerëzve që marrin një rrogë çdo muaj në Shqipëri është rritur me vetëm 8800 vetë, ose më pak se 2.25 për qind. Pavarësisht kësaj, hapja e vendeve të reja të punës ka qenë premtimi më i zakonshëm politik në raste zgjedhjesh. Partitë politike premtojnë zakonisht hapjen e dhjetëra mijëra vendeve të punës sa herë që ka zgjedhje.
Perspektivë e zymtë

Edhe në vitin 2010, situata e punësimit nuk pritet të përmirësohet. Qeveria ka marrë në heshtje një vendim për të ngrirë punësimet e reja për një periudhë prej së paku një vit, me shpresë se në këtë mënyrë do të stabilizojë financat publike.

Nga ana tjetër, industria e ndërtimit pritet të mbajë sërish më pak njerëz në punë se zakonisht për shkak të bllokimit të investimeve publike dhe rënies së kërkesës për blerje apartamentesh.

Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, si dhe reforma e nisur në këtë sektor pritet të shtojë gjithashtu ushtrinë e të papunëve.

“Ulen” të vetëpunësuarit në bujqësi

Instituti i Statistikave njoftoi dje se ka bërë një vëzhgim të ri në Shqipërinë rurale dhe ka zbuluar se numri i fshatarëve të pranishëm fizikisht në Shqipëri është 496 mijë vetë, ose 72 mijë vetë më pak nga sa kishte rezultuar nga vlerësimi i mëparshëm i kryer në vitin 2007.

Për shkak se çdo njeri i aftë për punë në Shqipërinë rurale konsiderohet i vetëpunësuar, pavarësisht nga niveli i të ardhurave që siguron nga punimi i ngastrës së tokës.

Zyrtarisht, në zonat rurale në vendin tonë nuk ka të papunë, por dihet gjithashtu se rreth gjysma e krahëve të punës emigrojnë gjatë pranverës dhe verës për të punuar në Greqi, ku sigurojnë të ardhura disa herë më të larta se në atdhe. INSTAT thotë se llogaritja si “të vetëpunësuar në bujqësi” të të gjithë atyre që kanë një ngastër toke nën pronësi, është në përputhje me metodologjinë e Eurostat, i cili konsideron si të punësuar çdokënd që merr të ardhura në para apo në mall, pavarësisht se sa është e ardhura.

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 gusht 2022

- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal organizon debatin publik për të prezantuar dhe diskutuar rreth draft Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve me dhe pa Pronar 2022-2028. (Amfiteatri i Qeverisë në ish ndërtesen e Rilindjes, ora 9:00)

- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, do të takojë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Kuvendi i Kosovës, Salla N204, ora 9:00 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)

- Komuna e Rahovecit organizon degjim publik me biznese dhe grupe te interesit për buxhetin e vitit 2023 dhe Kornizës Afatmesme Buxhetore për vitet 2024-2025. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)